LDK: Koalicioni për qeverinë e re të Kosovës, nënshkruhet brenda dy ditësh

Tuesday, 28 Prill 2020 20:59

Zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës thanë të martën se gjatë dy ditëve të ardhshme pritet nënshkrimi i marrëveshjes për koalicionin e ri qeverisës të kësaj partie me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Nismën Socialdemokrate, Aleancën Kosova e Re dhe partitë e pakicave kombëtare. Lëvizja Vetëvendosje paralajmëron kundërshtimin e procesit duke e cilësuar atë jo kushtetues.

 

Lidhja Demokratike, javën e kaluar hodhi edhe propozimin që Avdullah Hoti të jetë mandatar për formimin e qeverisë së re. Zoti Hoti të martën u taku me disa nga partitë më të cilat tashmë në parim janë pajtuar për formimin e qeverisë dhe paralajmëroi se të mërkurën mund të pritet edhe prezantimi i përbërjes së qeverisë së re.

 

“Jemi të vetëdijshëm që do ta marrim qeverisjen e vendit në një situatë bukur të vështirë, me pandemi, me nevojën që shpejt të intervenojmë në ekonomi dhe të kthejmë miqësitë që janë lënduar gjatë këtyre javëve dhe muajve të fundit. Por jemi të përgatitur me një ekip të shkëlqyeshëm, unë jam shumë i kënaqur me ekipin që po formësohet për këtë qeveri dhe besoj që shumë shpejt, nesër të përmbyllen të gjitha çështjet dhe do të dalim para jush e para qytetarëve me përbërjen e qeverisë së re”, tha zoti Hoti.

Propozimi për zotin Hoti pasoi kërkesën e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, drejtuar Lidhjes Demokratike që të provojë formimin e qeverisë. Presidenti Thaçi tha pas një takimi këshillues javën e kaluar me partitë politike tha se do t’i jap mandatin kujtdo që dëshmon se ka shumicën në parlament.

Lëvizja Vetëvendosje i cilëson këto zhvillime jokushtetuese dhe ka paralajmëruar veprime, nëse presidenti mandaton dikë jashtë kësaj lëvizjeje, që është fituese e zgjedhjeve të parakohshme të 6 tetorit të vitit të kaluar.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike Arben Gashi, tha sot se është e drejtë e secilit t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese nëse konsideron se ka shkelje.

“Letra e presidentit është një letër njoftuese dhe nuk ka bazë juridike apo kushtetuese që të dërgohet në Gjykatë Kushtetuese. Sa i përket dekretit është çështje tjetër dhe vendimit të kuvendit, është e drejtë e kujtdo që konsideron se iu ka mohuar një e drejtë ose ka veprime jo kushtetuese nga kuvendi që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese dhe në këtë rast lëvizja Vetëvendosje mund t’i drejtohet kësaj gjykate dhe është ajo që e gjykon, nuk jemi ne”, tha zoti Gashi.

Lufta për numrat në parlament

Pjesë e procesit për formimin e qeverisë së re është edhe Aleanca Kosova e Re e afaristit Behgjet Pacolli, i cili të martën u përfshi në polemika me qeverinë e Kosovës por edhe përfaqësues ndërkombëtarë rreth kthimit të tij nga Zvicra ku ndodhet që nga shfaqja e rasteve të para me koronavirus në Kosovë.

Zoti Pacolli kritikoi qeverinë e Kosovës se po e pengon të kthehet në Prishtinë dhe kësisoj po “pengon veprimtarinë e parlamentit me çdo mjet”.

“Kush jeni ju që paragjykoni votën time? Po nëse unë do ta shpallja publikisht se do të votoja pro jush - a do të më pengonit? Jo, nuk e besoj!”, shkroi mes tjerash ai në rrjetet sociale.

 

Ministria e Shëndetësisë, kërkon që zoti Pacolli të futet në karantinë 14 ditëshe sikurse të gjithë qytetarët tjerë të Kosovës që kthehen në shtëpi gjatë pandemisë.

 

Zoti Pacolli e cilëson të papranueshme që kjo të ndodhë dhe duke kritikuar qeverinë, shtroi çështjen nëse kjo ndodhë edhe me diplomatët dhe pjesëtarët e misioneve ndërkombëtare në Kosovë. Madje ai kërkoi që zyrtarët perëndimor të përfshihen në këtë debat.

Ambasadori gjerman në Prishtinë, Christian Heldt, tha se “nuk mund të ofroj këshilla praktike në këtë çështje. Unë nuk jam larguar nga Kosova që nga mbyllja e saj me 13 mars, siç nuk është larguar askush nga personeli diplomatik, puna dhe shtëpia jonë është këtu. Disa që ishin me pushime kanë ngelur në Gjermani, asnjë nuk ka pasur mundësi të kthehet deri tash”, shkroi ai.

Zoti Pacolli duke ju përgjigjur ambasadorit gjerman tha se “një qasje më parimore në mbrojtje të Kushtetutës do të ishte e mirëseardhur. Heshtja juaj për shkeljen e vazhdueshme të Kushtetutës nga zoti Kurti nuk ishte e dobishme për vendin dhe demokracinë e vet. Po i shohim rezultatet. Karantina nuk është me ligj as me Kushtetutë”.

 

Ndërsa shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, Lars-Gunnar Wigemark, shkroi se “i gjithë personeli i EULEX-it që kthehet në Kosovë, duhet të qëndrojë në karantinë 14 ditë. Ne jemi duke e zbatuar këtë politikë që nga muaji shkurt dhe ta zëmë, 13 zyrtarë polak të cilët u kthyen në Kosovë javën e kaluar ndodhen tani në karantinë në kampin e tyre”, shkroi ai.

“Por jo në konviktet e studentëve”, shkroi zoti Pacolli duke theksuar se kësisoj po “konfirmohen standardet e dyfishta të Kurtit. Përse duhet të trajtohet stafi juaj ndryshe nga qytetarët e Kosovës? E çmoj që konfirmuat tërë atë që po e them. Qeveria ka trajtuar ndërkombëtarët, Serbinë dhe Kosovën në mënyrë shumë të ndryshme”, shkroi ai.

Vëzhguesit thonë se përpjekjet e zotit Pacolli për t’u kthyer në shtëpi por jo edhe në karantinë, është pjesë e përpjekjeve të Lidhjes Demokratike që të sigurojë votat e mjaftueshme për të votuar formimin e qeverisë së re.

Debateve ju bashkua edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, i cili tha se paralajmërimi i ministrisë së Shëndetësisë që nëse vjen Behgjet Pacolli nga Zvicra do të vendoset në karantinë, “është vendim politik i izolimit të një deputeti. Të përfaqësuesit të popullit!”

 

“Mos e maltretoni z. Pacolli, mos u thirrni në parimet që nuk i keni zbatuar ju që e keni shkelur Kushtetutën, sepse votat i kemi”, shkroi zoti Mustafa.

Në një takim që u mbajt sot në Lidhjen Demokratike nuk ishte e pranishme kryetarja e parlamentit të Kosovës, Vjosa Osmani, e cila votoi kundër rrëzimit të qeverisë me 25 mars. Kundër rrëzimit votuan edhe disa deputet të tjera të kësaj partie, por sipas zotit Gashi, Lidhja Demokratike i ka siguruar 64 vota dhe do të kërkojë seancë të jashtëzakonshme për formimin e qeverisë së re sapo të nënshkruhen marrëveshjet dhe të marrë dritën e gjelbër nga presidenti.

Lidhja Demokratike duhet të dëshmojë se ka një shumicë parlamentare para se të marrë mandatin nga presidenti i vendit.

Por, Albulena Haxhiu nga lëvizja Vetëvendosje, në një përgjigje për Zërin e Amerikës, tha se i tërë ky proces është jolegjitim dhe përbën goditje ndaj vullnetit të popullit.

“Dekretin jokushtetues të Thaçit, do ta dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese si dhe në Komisionin e Venecias dhe ne jemi të bindur se e drejta është në anën tonë. Vullneti i popullit nuk mund të ndryshohet në zyrat e Presidentit Thaçi dhe me pazare ndërmjet tyre. Këto veprime do të kundërshtohen por për formën e kundërshtimit vendosin organet e Lëvizjes”, tha zonja Haxhiu.

 

Kosova mbeti me qeveri në detyrë pasi që parlamenti miratoi me 25 mars një mocion të Lidhjes Demokratike të Kosovës për rrëzimin e qeverisë pjesë e së cilës ishte. Koalicioni u përça për shkak se Lidhja Demokratike kërkoi që tarifat ndaj mallrave serbe të hiqen në tërësi

Login to post comments

Lajmet e fundit

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

Politikë

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

  “Përshkallëzohet drama në portin e Durrësit. Detaje të reja mbi kompaninë fiktive kroate dhe lidhje të mundshme kriminale”. Me këtë titull e përditshmja gjermane “Focus Online” i ka kushtuar vëmendje...

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...