Në Kosovë, këtë javë pritet të qëndrojë një delegacion i Bashkimit Evropian.
Detyra e tij do të jetë të vlerësojë punën e institucioneve në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, që është kriteri i fundit për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Vëzhguesit thonë se me gjithë faktin që raportet e fundit të Transparency International flasin për përparim, luftimi i korrupsionit mbetet i mangët posaçërisht në rastet e profilit të lartë, që është edhe kërkesë e Bashkimit Evropian.