Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka uruar ekspertët për fitimin e betejës ligjore në arbitrazh kundër kompanisë AXOS GMBH, e cila kërkonte dëmshpërblim qindra miliona euro për anulimin e privatizimit të 75% të aksioneve të PTK-së. Ndërkohë ka theksuar se Kosova do të mirëpresë investimet e huaja, por nuk do të lejojë që të keqpërdoret si shtet.
“Kosova gjithmonë do t’i mirëpresë investimet e huaja, por asnjëherë nuk lejojmë të keqpërdoret si shtet. E drejta dhe të gjitha argumentet në rastin e padisë se AXOS-it ishin në favorin tonë. E uroj ekipin e ekspertëve për punën profesionale dhe mbrojtjen që i ka bërë Kosovës. Si shtet i pavarur dhe sovran jemi pjesë e Arbitrazhit, sepse besojmë në këtë institucion dhe në përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare. Kemi ndërtuar kapacitete për të tërhequr investime të huaja, mirëpo edhe për t’i mbrojtur interesat e shtetit tonë nga pretendimet e paqëndrueshme”, ka shkruar Thaçi.
Me ketë vendim, Axos GMBH detyrohet t’i paguajë Kosovës dy milionë euro në emër të shpenzimeve për përfaqësim.