Në një konferencë për shtyp të mbajtur pasi kreu i qeverisë së Kosovës zhvilloi në Vatikan, Haradinaj theksoi se “me Atin e Shenjtë, kam pas mundësinë për t’i treguar për Kosovën dhe e kisha përgatitur me kohë një dhuratë për të, një dhuratë shumë të çmuar, një letër kërkesë për njohje, me një mbulesë të logos së dhjetëvjetorit të pavarësisë”.
“Pata mundësinë që përveç se ta falënderoj për kujdesin, për respektin që bënë për Kosovën, t’i shpreh edhe këtë kërkesë të popullit të Kosovës, duke i thënë se populli i Kosovës e ka shpresën tek ju, i ka sytë drejt juve dhe pret prej juve”, theksoi Haradinaj.
Haradinaj u shpreh se “Papa Françesku ishte vërtetë i hapur pasi mori kërkesën u kthye dhe më tha këto fjalë ‘E kam në zemër popullin e Kosovës, e ndjejë. Do të lutem për ju, do të lutem personalisht për ju dhe për vendin tuaj’. Ai ka shumë shpresë se Kosova dhe populli i Kosovës do ta gjej vendin e vet, në vendin e popujve të lirë dhe në paqe”.
Kreu i qeverisë së Kosovës u takua edhe me eminencën e tij, Kardinalin Pietro Parolin, që është edhe sekretar i Vatikanit, në hierarkinë e shtetit të Vatikanit, ai është Kryeministër në Vatikan.
“Në këtë takim pune që ka zgjatur më shumë se një orë, kemi biseduar për tema bilaterale Kosovë – Seli e Shenjtë. Kryesisht kanë dominuar temat, ato të parat, ato të ndjenjës së mirë që ka Kosova për Selinë e Shenjtë, të vlerave që kemi ne në tolerancën ndërfetare, respektin e ndërsjellë, përkushtimin që e kemi si vend për paqen në rajon dhe për anëtarësim në BE dhe organizata tjera ndërkombëtare”, u shpreh Haradinaj.