Qeveria e Republikës së Kosovës është rreshtuar krah shteteve të Bashkimit Evropian në mbështetje të rezultatit të hetimit të pavarur, profesional dhe gjithëpërfshirës në lidhje me rrëzimin e fluturimit MH17, ngjarje kjo që ndodhi katër vjet më parë.
Përmes një postimi në Twitter, zëvendëskryeministri i vendit, Enver Hoxhaj tha se autorët për këtë ngjarje tragjike duhet të japin përgjegjësi, ndërsa konfirmoi rreshtimin e Kosovës me aleatët evropianë për këtë çështje.
“Kosova i bashkohet shteteve të BE-së në shprehjen e mbështetjes se plotë për hetimin e pavarur dhe profesional në lidhje me rrëzimin e fluturimit MH17. Përgjegjësit për këtë ngjarje tragjike duhet të japin llogari”, ka shkruar Hoxhaj.
Përmbyllja e hetimeve nga autoritetet e Holandës, në lidhje me rrëzimin e fluturimit MH17 ka nxjerrë si rezultat se armët me të cilat është rrëzuar aeroplani janë armë të ushtrisë së Federatës Ruse.
Në lidhje me këtë ka reaguar edhe shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, e cila tha se Rusia duhet ta marrë përgjegjësinë dhe të bashkëpunojë për llogaridhënien në këtë proces. /Kohanet/