Maks Velo mes "Hetimit" dhe "Spaçit"

Premte, 11 May 2018 10:15

Makthet që shihte gjatë periudhës së hetimit dhe të tjera histori reale që vazhduan paskëtaj në Spaç, Maks Velo i ka hedhur në dy libra, të cilët I solli për lexuesit përmes shtëpisë botuese “55”. I ka titulluar “Hetimi” dhe “Spaçi”. Në të parin janë kryesisht ëndrra, që Velo shihte gjatë periudhës së hetimit, ndërsa në të dytin janë histori të përjetuara apo të dëgjuara. Janë histori të dhimbshme të njerëzve që ishin dënuar shumë herë pa shkak. Histori njerëzish të thjeshtë, që vuajtën jo vetëm çmendurinë e një sistemi, por edhe braktisjen e të afërmve. Shumë syresh nuk e përballuan dot këtë të dytën.

Këto dy vepra erdhën pas disa botimeve ët ndryshme pranë sh.b “55”, si monografia “Viktori Puzanova”, albumet me piktura për Nënë Terezën dhe “Ese për diktaturën”.

Edhe pse janë kujtime personale, proza e Velos mund të kundrohet si një sagë fatesh të shqiptarëve nën diktaturë dhe nën motë të tjera. Tregimet e Velos japin në mënyrë të shkëlqyer kampin e burgut. Skicat bardh e zi me temë burgun janë madhështore dhe të fuqishme. Këto tregime kanë kapur thelbin e barbarisë së jetës në burg. Duhet të lexosh Velon , për t’u ndalur në çdo faqe dhe në çdo frazë, për ta cituar, cituar, të gjithë ta citosh. Aq sa rrjedha është e bukur në përulësinë e saj, aq është e pasur me një art mizor dhe

therës”

“Pas librit tim të fundit, “Historia e një cope guri”, botuar 2 apo 3 vjet më parë, po botoj dy libra, “Hetimi” prej 200 faqesh dhe “Spaçi” në 400 faqe, thotë Maks Velo. “Hetimin” jam munduar ta shoh në një këndvështrim tjetër. Unë jam një njeri që nuk shoh ëndrra, por atje, çuditërisht shihja shumë. Ka një transformim të ndërgjegjes, të subkoshiencës dhe shihja ëndrra të tmerrshme, madje i thashë edhe ndihmësmjekut, i cili më dha qetësues. Kryesisht janë ëndrrat gjatë kohës në hetuesi. Them se janë dy libra shumë të mirë që do të mbeten gjatë. Gjej rastin të falënderoj shtëpinë botuese “55” dhe botuesin Fahri Balliu, i cili më ka mbështetur edhe në bashkëpunime të tjera. U tregua i gatshëm, në një kohë që Shoqata e të Burgosurve nuk pranoi të më ndihmonte.

Gjatë kësaj periudhe kam shkruar rreth 80 tregime për hetuesinë dhe burgun si “Palltoja e burgut” në vitin 1995, “Kokëqethja” me poezi, “Thesi i burgut” me tregime dhe poezi, “Kostumi i martesës” me tregime dhe i fundit “Historia e një cope guri”, i cili ndonëse kishte tregime të mira, nuk pati shumë jehonë, pasi ishte libri i fundit i shtëpisë botuese “Sejko” dhe nuk u hodh në treg. Përveç këtyre, kam botuar edhe “Ese për diktaturën”, “Klubi i Karavastasë”. Kjo është letërsia ime, ku dominon letërsia e burgut.

Marrë nga libri me tregime “Hetimi”

...Ajo që më çuditi pa masë, pa i dhënë dot shpjegim, ishte se të çmendurit nuk bëheshin armiq, kurse armiqtë i bënin të çmendur.

Këtë e them me fakte, se nuk di që nga spitalet psikiatrike të ishte akuzuar ndonjë i çmendur për agjitacion dhe propagandë.

Siç duket, edhe çmenduria ka një cak që nuk e tejkalon. Kështu që të gjithë, përfshi edhe të çmendurit, e dinin se me pushtetin popullor nuk bëhej shaka. Çmenduria e tyre lejohej deri në kufirin politik.

Kurse e kundërta praktikohej dhe lejohej, d.m.th. pozicionimi politik të quhej anomali psikike.

Tërë këto arsyetime po i bëja në birucë, pasi hetuesi më shpjegoi me njerëzillëk (ishte hera e parë) që do të më çonin në spitalin e burgut për një kontroll mjekësor-legal psikiatrik. Kjo, vazhdoi hetuesi, për vetë karakterin e veprimtarisë tënde artistike, nëse mund ta quajmë të tillë.

-Këto punimet e tua janë shumë të çuditshme, jo vetëm janë në kundërshtim me artin e realizmit socialist, por ato as nuk mund të quhen vepra arti. Kështu si ti është i tërë arti i çoroditur dhe i degjeneruar perëndimor... Në njëfarë mënyre po i bëjmë ekspertizë edhe atij... edhe ata janë të degjeneruar si ti. Këto mendime japin për ty edhe shokët udhëheqës të Lidhjes, edhe shoku Kujtim.

Ajo që më trembi vërtet ishte njerëzillëku i hetuesit.

Ishte hera e parë që sillej kështu, pa të bërtitura, pa grushte, pa kërcënime. Kjo sjellje, që duhej të ishte normale, ishte anormale në hetuesi.

“Ç’pati, - thashë me vete, - mos kam luajtur vërtet, se vetëm me të çmendurit gjithë bota sillet me kujdes”.

Kështu që nuk kisha merakun e artit, por të sjelljes së hetuesit shtetëror. Prisja që në repartin psikiatrik të spitalit të burgut të shihja të çmendur politikë, por jo, asnjë, veçse pashë njerëz politikë, që bënin si të çmendur.

Kjo ishte njëra nga mënyrat që të shpëtonin nga dënimi.

Por unë me mjekët e zgjidha në mënyrë paqësore.

-Unë jam në rregull bashkë me vizatimet dhe pikturat, ju shënoni çfarë të doni.

Ata mbetën të kënaqur, sepse shumicën mundoheshin ta mashtronin, të luanin teatër. Unë nuk u ngjita fare në skenë, lojën e kisha bërë përpara, kur qëndroja para letrës së bardhë dhe telajos së tendosur.

Tërë normalitetin dhe anormalitetin e kisha shprehur aty.

Tani isha spektator dhe shihja se si shoqëria socialiste, paranojake dhe anormale, e cila nuk shkonte dot në spitalin psikiatrik sepse ai nuk e nxinte dot, kishte marrë në analizë veprën time...

Hetuesia është një zbardhje e nxirjes e një nxirje e të bardhës, një xhelatinë e ngurtësuar, si ato pllakat e mëdha të radiografive që kur i prek me dorë, të transmetojnë një ligështi sëmundjeje e kur sheh nëpërmjet tyre, të supozohen hije me kocka: skelete të bardhë, unaza të shtyllës kurrizore, brinjë, nofulla, kafka, falanga këmbësh, kërcinj, legen. Një perandori kockash në të kundërtën, fosforeshente dhe rrezatuese.

Kështu, kur shkoja korridorit për te dhoma e hetuesit, mbrapa dyerve të mbyllur më bëhej se ishin varur litarë të gjatë me filma radiografish. Negativoteka ruante dhe grumbullonte tërë tragjeditë, vuajtjet, spiunimet, denoncimet, rezistencën, çmenduritë, qullosjen.

Këtu ishte grumbulluar dhimbja e pashkruar, e panjohur, e paregjistruar. Ajo nuk duhej të njihej kurrë.

Këtu shtuposeshin britmat, poshtërsitë, komplotet, intrigat.

Unë dhe të tjerët. Unë nuk duhej t’i njihja të tjerët dhe ata mua. Mosnjohja, ky ishte rregulli i hekurt.

Zhurmat dhe heshtja ngjajnë me gërmimin e një varri.

Zërat vijnë të shuar, drejtimet vështirë t’ua përcaktosh.

Ne, qenie të mjera, kemi aftësinë të thithim çdo zhurmë, të deshifrojmë çdo tingull, edhe kur ai është i shuar.

Çdo gjë që ka qenë, që nuk ekziston ose që do të vijë, ne e ndiejmë, e kuptojmë.

Ata duan të na shohin përtej, dhe ne, po ashtu, shohim përtej.

Ca kube të kristaltë ndriçonin qiellin, lëviznin, uleshin, ngriheshin, bashkoheshin e shpërbëheshin. Çdo lloj u bë KUB.

Dhe biruca u mbush me kube. Kube të mëdhenj, kube të vegjël.

Kube të pastër, të ndriçuar nga brenda.

Kube ajrorë, ujorë, kristalorë, metalikë, shkëmborë.

Çdo gjë ishte kubë njerëzit ishin shndërruar në kube të lëvizshmeë edhe banesat, edhe pemët, edhe ajri, edhe malet larg ishin prej kubesh.

Ja, ky është kubizmi… ky.

***

SPAÇI

Autori: Maks Velo

Gjinia: roman

1000 L

 

HETIMI

Autori: Maks Velo

Gjinia: roman

750 L

Modifikuar më Premte, 11 May 2018 11:05
Login to post comments

Lajmet e fundit

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

Politikë

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

  “Përshkallëzohet drama në portin e Durrësit. Detaje të reja mbi kompaninë fiktive kroate dhe lidhje të mundshme kriminale”. Me këtë titull e përditshmja gjermane “Focus Online” i ka kushtuar vëmendje...

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...