Idetë më të rëndësishme të Hayek, pohimet sipas zërit të tij autentik vijnë në një bisedë që lexojnë Hayekun, në librin “Hayeku për Hayekun”, një dialog autobiografik, botimet UET Press, përkthyer nga Selami Xhepa…
Nga Stephen Kresge
Duke hedhur vështrimin pas
Jo të gjithë kufijtë që na ndajnë janë kaq brutalë dhe të shëmtuar sa Muri i Berlinit. Disa janë po aq të thjeshtë sa të zgjedhësh ta matësh gjatësinë në milimetra apo në inç; ose të preferosh Bahun kundrejt muzikës rock. E megjithatë, gjithçka ndryshon. Siç e kishte bërë të qartë Hayeku, detyra e vërtetë e teorisë ekonomike është të shpjegojë se si njeriu përshtatet me të panjohurën. Ne duhet të mendojmë, thoshte ai, për “teorinë e ekonomisë, si një prurje dhe jo si një forcë të vetme ekuilibruese, njësoj siç duhet të mendojmë për faktorët që përcaktojnë lëvizjen e një rrjedhe uji në një shtrat krejt të parregullt.” (f. 147). Arritja e Hayekut ishte demonstrimi se teoria e ekonomisë, si çdo teori e sjelljes njerëzore, është një teori evolucioni. Në këtë mënyrë, ai e ktheu studimin e sjelljes sociale në kursin e vet origjinal (për shembull: në studimin e gjuhës nga sër William Jonesi, apo te “Pasuria e Kombeve” e Adam Smithit), që kishte frymëzuar Darvinin të eksploronte mundësinë e ndryshimit evolucionar nëpërmjet seleksionimit natyror, si një mënyrë për të shpjeguar diferencimin e specieve të gjalla.
Ndonjëherë harrohet se Darvini besonte se mënyra e adaptimit e vërejtur te larmia e shkurreve në habitatin e hapërdarë të shkretëtirës, i hidhte poshtë parashikimet ogurzeza të Malthusit për zgjerimin e popullsisë përtej mundësive të mjeteve të mbijetesës së saj. Konkluzionin pesimist se fertiliteti e tejkalonte natyrshëm prodhimtarinë, Malthusi e kishte nxjerrë përmes studimit të thelluar të fatit të Irlandës. Rikardoja e kishte përkrahur Malthusin, duke pranuar si kontekst në diskutimin e teorisë ekonomike, një ekonomi, konceptualisht të ngjashme me një ishull, ku vetëm ndarja e të ardhurave mund të jetë e përcaktueshme në njëfarë mënyre.
Konvencioni që e sheh subjektin e teorisë ekonomike si një entitet të ngjashëm me një ishull mbijetoi gjatë. Nëse supozohet një sistem ekonomik i mbyllur, lehtësisht mund të adaptohet hipoteza e ekuilibrit, e huazuar nga mekanika dhe fizika. Në një sistem të tillë, objektivi që duhet të arrihet është parashikueshmëria. Për fat të keq, teoria e ekonomisë nuk e mori në konsideratë përgjigjen e Darvinit ndaj Malthusit dhe ndoqi Ricardon. Do të kishte qenë mirë të ishte bërë dallimi se fati i irlandezëve ndikohej nga vendndodhja e tyre e pafat në ishullin brenda Perandorisë Britanike. Ata ishin të shumtë në numër në SHBA, megjithëse do të duhej fertiliteti edhe i shumë më tepër racave për të mbipopulluar Botën e Re. Nëse kufijtë e një shoqërie apo të një sistemi, ndryshohen, sjellja e shoqërisë ndryshon. Këta kufij mund të jenë në një numër dimensionesh: sigurisht, në kohë dhe hapësirë, por dimensionet e dijes janë të pakufishme; çdo ndryshim i dijes sonë për secilin nga faktorët, brenda apo jashtë sistemit, kërkon një ripërshtatje në të gjithë sistemin. Tragjedia e shekullit të njëzetë ishte zhgënjimi i shumë e shumë popujve, viktima të asaj që Hayeku e përkufizonte si krenaria fatale e socializmit – përpjekjes për të planifikuar dhe kontrolluar fatin e shoqërive. Dështimi i pashmangshëm i Bashkimit Sovjetik dhe shoqërive të tjera komuniste, do të vinte pasi sistemi çoi në rritjen e kontrollit që nënkuptonte kontrollin mbi dijen, duke mbyllur shoqërinë. Nuk ishte fati i Irlandës, të cilën siç kishte shkruar njëherë Gibboni, e ke më të lehtë ta eksplorosh sesa ta përshkruash, por është fati i Kubës. Asnjë njeri nuk është një ishull. As ishujt nuk janë të tillë.
Ngjarjet i dhanë të drejtë argumentit të Hayekut. Ai kishte sulmuar idealin konstruktivist të kontrollit të shoqërisë, duke goditur bazat epistemologjike të mundësisë së kontrollit; ai kishte demonstruar se parashikimi i reagimeve ndaj ndryshimeve në sistemin ekonomik e social, është i pamundur. Evolucioni i rregullit spontan, siç është ai i tregut të lirë, është mënyra, nëpërmjet së cilës bëhet e mundur përshtatja e diversitetit ndaj ndryshimeve të kushteve ose mjedisit.
Megjithatë, duhet të pohojmë se argumenti i Hayekut rrallë ishte dëgjuar. Fakultetet e shkencave sociale në botën mbarë kishin qenë më shumë të interesuara të mësonin Marksin se Hayekun. Në SHBA, teoria ekonomike ishte kthyer në një variant të matematikës së dobët.
Konkluzionet e Hayekut tashmë janë të pamohueshme. Por argumenti kundër parashikimit, më saktësisht, kundër parashikimit të sigurt të një reagimi ndaj një ndryshimi të kushteve ekonomike sociale, nuk mund të demonstrojë në të njëjtën kohë se çdo përpjekje për të planifikuar apo kontrolluar një proces do të çonte në dështim. Një plan mund të realizohet me sukses edhe fare rastësisht. Ne thjesht nuk mund ta parashikojmë suksesin apo dështimin e tij. Pra, konstruktivistët kanë një boshllëk logjik. Hume-i është ende gjallë. Objekt i përhershëm i tundimit intelektual ka qenë mbyllja e këtij boshllëku, me pretendimin e konfirmimit apriori të parimeve apo premisave fillestare. Në një det pasigurie, kënga e sirenës nuk vinte nga Circja, por nga siguria. Hayeku kishte lundruar rrezikshëm pranë shkëmbinjve.
ME SHIKIMIN NGA E ARDHMJA
Shumë nga shkrimet e Hayekut janë një proces demarkacioni. Ai demonstroi se shumica e institucioneve tona sociale, si gjuha dhe paraja, nuk kanë qenë produkte as të një shpikjeje të mirëfilltë njerëzore dhe as elemente të një mjedisi natyror, siç janë era dhe graviteti. Te “Rendi i Ndijimeve”, ai dëshmoi se themelet e rendit shoqëror janë një proces evolutiv, që shkon nga klasifikimi i rregullsive të vëzhguara te vetëformimi i rregullave, të cilat bëjnë të mundur ndërveprimin e elementeve (dimensioneve) të një sistemi në klasifikime gjithnjë e më komplekse. Procesi evolutiv është i hapur dhe efektet në një moment të dhënë do të jenë të pasigurta dhe të paparashikueshme. Hayeku e kishte shkruar “Rendin e Ndijimeve” përpara se të zbulohej struktura e ADN-së. Tanimë është e lehtë ta shquash origjinalitetin e konceptit të tij; është gjithashtu e lehtë ta kuptosh atë. Vetë baza e jetës biologjike, e cila evoluon nëpërmjet riprodhimit gjenetik, ndjek parimet hajekiane. Prodhimi i proteinave që kontrollohen prej gjeneve individuale, administrohet sipas ‘rregullave’ analoge me ‘rregullat’ e gjuhës. Kombinimet e mundshme të një numri fiks aminoacidesh mund të çojë në një pafundësi numri proteinash. Nga ana tjetër, ato ndërveprojnë në rende edhe më komplekse, duke formuar organizmat dhe këto, nga ana e tyre, ndërveprojnë sipas ‘rregullave’ të pëlqimit dhe mospëlqimit (tërheqjes dhe mostërheqjes fizike). Në një pikë të caktuar të këtij procesi, ne mund të jemi në gjendje të bëjmë një ndarje midis ‘rregullave’ të natyrës dhe evolucionit të rregullave, që krijojnë vetvetiu rregullin social. Problemi qëndron në përcaktimin e kësaj vije.
Hayeku ndryshon nga teoria darviniste në dy pika të rëndësishme. Ai argumenton se formimi i rregullit spontan realizohet nëpërmjet seleksionimit të grupit (dhe jo mutacionit individual) dhe prandaj, kjo karakteristikë e fituar duhet të jetë e transmetueshme.
Ndërsa çojnë në shpjegime kritike, këto dy teza nuk shkëputen nga premisa kryesore e teorive evolucionare, që është karakteri i tyre tautologjik. Mbijetesa është i vetmi kut matës i adaptimit të suksesshëm, por mbijetesa nuk mund të jetë njësi matëse për suksesin e çfarëdolloj adaptimi. Asgjë nuk krahasohet me suksesin e mbijetesës, por ajo që sot është këtu, nesër zhduket.
Mjafton të pyesni cilindo dinozaur për këtë. Megjithatë, teoria e Hayekut sugjeron se janë rregullat ato që mbijetojnë dhe jo domosdoshmërisht grupet e formuara në përputhje me këto rregulla. Duhet të nënvizoj se kjo tezë mund të nxirret nga vepra e Hayekut; ai vetë nuk e ka formuluar qartë këtë. Por nëse këtë masë do ta adaptonim për të identifikuar rregullin spontan (më tepër se atë natyror apo të planifikuar), do të shmangej një numër i madh vështirësish.
Në veprën e tij të mëvonshme, Hayeku kaloi në përdorimin e rregullave për të justifikuar një traditë morale që do të rezultonte se ishte superiore për mbijetesën e disa grupeve (të paspecifikuara) mbi të tjerat. Rreziku i këtij argumenti na zbulohet te përgjigjja e Keynesit për “Rrugën drejt Skllavërisë”. Keynes-i argumentonte se justifikimi i drejtë moral mund ta lejonte përdorimin e masave ekonomike dhe politike, të cilat, në rrethana të zakonshme, do të ishin të papranueshme. Çdo përpjekje për të justifikuar një pohim moral, hap një tjetër argument bumerang, një tu quoque20, që të lë pa mbrojtje kundër argumentit se, parime të tilla apriori, si ato morale, nuk janë të justifikueshme në mënyrë racionale. Nga ana tjetër, pretendimi i Hayekut se mendja nuk mund ta kuptojë vetveten, bën që ai vetë ta braktisë arsyen teksa justifikohet, ndonëse këtë mundësi ua mohon kundërshtarëve të vet.
Sidoqoftë, nëse i kthehemi hipotezës se ato që mbijetojnë janë rregullat, jo domosdoshmërisht grupet e individëve të krijuara mbi bazën e tyre, atëherë problemi mund të shtrohet ndryshe. Në këtë rast, procesi i evolucionit – ekuivalenti i seleksionimit natyror te speciet – bëhet një proces vetëseleksionimi. Kjo sugjeron se adaptimet janë të suksesshme kur ato lejojnë një numër më të madh individësh të komunikojnë me 20 Tu quoque (nga latinishtja: “ju, gjithashtu”) ose apeli ndaj hipokizisë është një falsitet i logjikës informale që synon të diskreditojë pozitën e oponentit duke pohuar dështimin e këtij të fundit në sjelljen e tij në përputhje me atë pozicion. Aho-ja përpiqet të tregojë se i njëjti kriticizëm i drejtohet edhe vetë personit që kritikon tjetrin. Grupi me anën e të cilit matim suksesin e rregullave të adaptimit nuk është një popullatë fikse. Grupi i anglishtfolësve, për shembull, ndryshon nga njëri përdorim te tjetri dhe nuk është asnjëherë identik me ndonjë popullsi, le të themi, me banorët e Anglisë. Adaptimi i një teorie vetëseleksionimi do të kalonte nëpër një rrugë të gjatë në mënyrë që të qetësonte disa konflikte sociale në rritje, siç janë ato që shoqërojnë kërkesat për anësi multikulturore në institucione dhe, në rastin më të keq, “spastrimet etnike” të disa rajoneve të persekutuara nëpër botë. Me një bazë vetëseleksionuese për formimin e organizatave sociale, një individ mund të marrë pjesë në çfarëdo numri rregullash spontanë – në atë të gjuhës, familjes, tregut, besimit – pa sakrifikuar identitetin individual.
Ndoshta ironia më fatlume në gjithë jetën dhe veprën e Hayekut është se falë tij, sot kemi më pak arsye për t’u zhgënjyer nga arsyeja. Pohimi i tij se, mendja nuk mund ta kuptojë vetveten, buron si një konkluzion themelor i “Rendit të Ndijimeve”: “Teorema që duhet të përpiqemi të provojmë është se çdo aparat klasifikimi duhet të zotërojë një strukturë të një shkalle më të lartë kompleksiteti nga ajo që zotërojnë objektet e klasifikuara prej tij.” (f. 185).
Por ai kishte kuptuar gjithashtu se, ndoshta me përjashtim të mendjes njerëzore, nuk ekziston asnjë kufi në evoluimin e strukturave të kompleksiteteve gjithnjë e më të mëdha. Në esenë e tij, “Rregulla, Perceptime dhe Kuptueshmëri”, ai doli në konstatimin se, problemi, në thelb, ishte po ai i paradokseve dhe problemeve të rasteve të tjera të ndeshura në filozofi – siç i shkruante Popperit – në lidhje me çfarë mund të thuhet për sistemin kur je brenda tij. Hayeku i braktisi studimet në këtë fushë, por ai ha i një portë dhe ndërtoi një kontekst në të cilin mund të kuptohet shkalla tjetër e kompleksitetit. Vepra e Tarskit mbi metagjuhën dhe e Bartley-t mbi racionalitetin e kanë avancuar këtë teori duke e futur në territore të reja.
Ndoshta do të duhen edhe më shumë fatkeqësi politike dhe ekonomike që leksioni të ngulitet në mendjet tona, por duket se tashmë e kemi mësuar se, ndërsa mendja – arsyeja – nuk mund të imponojë një model të ndërtimit të saj në nivel botëror, ajo mund të zbulojë dhe kuptojë modelet prej të cilave lind vetë jeta. Mendimtarët në disiplinën e teorisë së sistemeve komplekse që po shfaqet së fundmi edhe në degën e quajtur jetë artificiale (që mund të provohet të mos jetë kontradiktore), në studimet e tyre, thjesht i nënshtrohen rregullit spontan, tipik hajekian. Po kështu, te kompjuterat, forma komplekse të paparashikueshme evoluojnë prej një tërësie rregullash të thjeshta. Kërkuesit po arrijnë të kuptojnë se jeta, qoftë natyrale, qoftë artificiale, ekziston në kufijtë e kaosit. Hayek-u është gjallë.
*Fragment nga libri