Ato janë: Erisilda Abedini, 22 vjeçe, banuese ne Tiranë dhe Sikela Përroj, 23 vjeçe, banuese në Tiranë si dhe shoferi Klevis Ruçaj, 20 vjeç, banues në Fier.
Makina e drejtuar nga 20-vjeçari Klevis Ruçaj, me shpejtësi shumë të madhe, theu barrierat e mbikalimit dhe fluturoi mbi autostradën Tiranë-Elbasan, duke rënë mbi një makinë ku udhëtonin tre persona me mbiemër Kurti dhe që mbetën të plagosur.
Policia e Shtetit në njoftimin e saj tha se:
"Rreth orës 17:55, në rrethrrotullimin pranë qendrës tregtare “TEG”, ka ndodhur një aksident rrugor ku janë përfshirë automjeti tip "Audi" dhe automjeti tip "Honda".
Referuar mekanizmit dhe të dhënave paraprake dyshohet se automjeti tip "Audi" me drejtues shtetasin K. R., 20 vjeç, ka qenë duke udhëtuar ne unazën lindore me drejtim levizje nga Farka për tek rrethrrotullimi pranë Teg-ut, dhe pasi ka humbur kontrollin, duke thyer barrierat rrethuese të mbikalimit, ka përfunduar në autostradën Tiranë-Elbasan, duke aksidentuar automjetin tjetër tip "Honda", me drejtues shtetasin me iniciale Q. K., rreth 60 vjeç.
Si pasojë e aksidentit rrugor kanë humbur jetën dy shtetase të pa identifikuara akoma, të cilat ishin pasagjere ne automjetin "Audi" si dhe ka humbur jetën disa orë më vonë në spital drejtuesi i këtij automjeti, shtetasi K. R.
Nga aksidenti janë plagosur shtetasit A. K., 51 vjeç, O. K, 24 dhe Q. K, rreth 60 vjeç, që udhëtonin me automjetin tjetër të cilët ndodhen nën kujdesin e mjekëve.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e shkakut të aksidentit si dhe vijon puna për identifikimin e dy shtetaseve që humbën jetën në aksident."