Tre persona janë arrestuar nga policia e Vlorës pasi akuzohen se kanë kryer vjedhje në disa qytete.
Në kuadër të operacionit “Shëtitësit” në pranga u vunë shtetasit Nustret Alizoti, 27vjeç, Kristo (Rafael) Janko (Mano), 23 vjeç dhe Klejvis Mana, 21 vjeç, të tre banues në Vlorë.
“Të tre shtetasit e mësipërm në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer vjedhje në qytete të ndryshme, konkretisht. Më datë 30.03.2018, në lagjen “28 Nëntori” në Elbasan kanë vjedhur me thyerje banesën e shtetasit A.Z. Më datë 12.03.2018, në fshatin Qarë të Fierit kanë vjedhur farmacinë e shtetasit N.P.”, raporton policia.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar disa bizhuteri dhe një kompjuter Laptop. Policia po vijon punën për të zbardhur vjedhje të tjera të kryera prej tyre.
Shtetasit u kanë kaluar Drejtorive të Policive Vendore Elbasan dhe Fier me qëllim kryerjen e veprimeve të mëtejshme hetimore për veprën penale “Vjedhja, kryer në bashkëpunim”, parashikuar nga nenet 134 dhe 25 të Kodit Penal.