Nga Kastriot Dervishi
Në kuadër të një procesi agjitativ për t’u dukur “Kola në punë” (tashmë në disa kola), pasi ishin bërë konferenca propagandistike ku ishin kërkuar fillimisht 5 milionë e më pas 10-12 milionë euro, më 18 korrik 2018 qeveria nënshkroi marrëveshjen me Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP) me qendër në Bosnjë. Qeveria mund të kontribuonte po të donte fare thjeshtë duke u marrë dëshminë trupës së persekutorëve që kanë në radhët e veta. Kjo sepse, kjo trupë “që nuk mban mend asgjë” është e lidhur fort me pushtetin e saj. Për ironi, në tavolinën e spektaklit ishte edhe gruaja e një ish komisari kufiri, e cila nëse e kishte seriozisht mund të kontribuonte me informacion familjar për këtë çështje.
Deri më sot, kanë recituar shifrën e “6 mijë të zhdukurve”, e cila është në fakt shifër sondazhi e artikuluar prej meje e të ekzekutuarve në vitet 1941-1991 (qëllimisht e kapërcejnë në vitin 1944). Jo çdo i ekzekutuar konsiderohet i humbur sepse shumë prej tyre janë varrosur në vitet 1941-1944 apo rivarrosur në vitet 1992-1996 apo edhe më pas. Ndërsa dihet se ka edhe një numër të madh të dënuarish ordinerë, nuk u tha çfarë do bëhej me eshtrat e tyre dhe a janë ata brenda apo jashtë “6 mijëshit” recitues apo jo.
ICMP ka qenë kurdoherë e gatshme të kryejë falas ADN-të që do t’i kërkoheshin nga Shqipëria. Kjo kërkesë është artikuluar qartë qysh prej vitit 2011. Deri më sot, pavarësisht se zyra e të zhdukurve është çelur në vitin 2014, nga Shqipëria nuk është dërguar asnjë mostër ADN-je në mënyrë që të krahasohet me eshtrat e mundshme të gjetura, por ama janë mbajtur fjalime që as të mallëngjejnë dot. ICMP-ja nuk ka detyrime të hapë regjistrin e të humburve apo të bëjë kërkime në terren. Në nënshkrimin e marrëveshjes binte në sy fakti i paqartësisë së madhe të pjesëmarrësve. Për ta tejkaluar këtë boshllëk të madh e çorientim që vjen nga mosnjohja fare e këtij problemi, siç njoftohet, qenkan shpallur “vende pilot”, varreza e Panahorit në Ballsh dhe vendekzekutimi i të dënuarve me vdekje në Dajt. Janë shpallur këto se i kishin të lehta si dukje si çështje. Te të dy rastet, ICMP-ja nuk do ketë ndonjë rol, sepse:
-Varreza e Panahorit, që i takon të vdekurve gjatë vuajtjes së dënimit në kampin nr.309 të Ballshit është e identifikuar sepse ka hartë, listë emërore dhe çdo i varrosur ka një shishe treguese. ICMP-ja nuk ka çfarë të gjejë sepse ky vend është i gjetur plotësisht. Kohë pas kohe, familjarë kanë tërhequr eshtrat e të afërmve të tyre. Për sa kam unë dijeni, interes për vitet e fundit kanë treguar vetëm dy familje, e të dënuarve Shaqir Manjani (vdekur më 20.11.1982) dhe Neki Bici (vdekur më 17.1.1981). Varreza e Panahorit, për ato pak të vdekur që kanë ngelur aty, nuk ka nevojë për marrëveshje ndërkombëtare, por për disa punëtorë.
-Vendekzekutimi i Dajtit ka shërbyer për ekzekutimin e të dënuarve me vdekje të rretheve Tiranë dhe Krujë në vitet 1970-1991. Zhvarrimet këtu ka nisur qysh në vitin 1992. Pothuaj të gjithë të personat e ekzekutuar për arsye politike nuk gjenden më aty. Kanë ngelur të dënuarit për krimin e vrasjes dhe përdhunimit (shpjegimi një herë tjetër). Për këtë vend duhet shtuar fakti se shumë të dënuar janë dërguar për kadavër për eksperimente mjekësore. Jam shumë kureshtar për rezultatet e eshtrave të Dajtit e për këtë mezi pres një minutazh agjitacioni për rezultatet e dala.
Në të vërtetë, “projekt pilot” duhej marrë si fillim burgu i Burrelit, si dhe disa vende të tjera, për të cilët nuk shoh se ai kanë idenë agjitatorët propagandistikë që sigurisht si gazetarë fillestarë, mendjen e kanë “te hera e parë”. Gjithashtu, procesi "i hapjes së dosjeve", nuk ka lidhje me çështjen e personave që nuk u dihet varri. I gjithë informacioni arkivor është ezauruar me kohë. Për këtë arsye, mirë është që së paku mos t'i gënjejnë të interesuarit sepse kjo përveçse tallje nuk është gjë tjetër.