Nga Kastriot Dervishi
Në janar 1958 Pjetër Arbnori filloi të japë provimet në degën histori – filologji, duke arritur ta mbarojë këtë shkollë në qershor 1960. Në shtator të atij viti filloi punë si mësues i letërsisë në teknikumin bujqësor “Kajo Karafili” në Kavajë. Vazhdoi punë deri në prill 1961 kohë kur u largua nga puna për shkak të një incidenti. Pas pushimit nga puna ishte i pakënaqur edhe më shumë ndaj regjimit. Shoku më i ngushtë i Pjetër Arbnorit ishte Zeqir Koçi, e pas tij vinte Selim Resuli, të cilët përbënin “grupin e Durrësit”.
Në Tiranë një grup intelektualësh kishin nisur diskutimin e idesë së krijimit të një partie socialdemokrate. Anëtarët e grupit të Tiranës: Uran Kalakulla (kryetar), Agim Musta (sekretar), Riza Kuçi, Tanush Kaso dhe Kahreman Paftali në periudhën shtator-dhjetor 1960 bënë disa mbledhje në shtëpi, universitet dhe te parku i Tiranës. Me ndërmjetësinë e Tanush Kasos, u vendosën kontaktet me grupin e Pjetër Arbnorit në Durrës, me idenë për të shkuar në bashkimin e tyre. Në fund të shkurti 1961 organet e punëve të brendshme morën dijeni për ekzistencën e dy grupeve. Më 1.5.1961 janë takuar në Durrës: Pjetër Arbnori e Zeqir Koçi nga grupi i Durrësit dhe Uran Kalakulla e Tanush Kaso nga grupi i Tiranës. Takimi i kthimit ishte lënë më 27.5.1961 në Tiranë, por nuk u zhvillua sepse grupet u arrestuan.
Si u zbuluan
Grupet e Pjetër Arbnorit dhe Uran Kalakullës u zbuluan rastësisht. Zbulimi erdhi në Durrës. Zeqir Koçi i grupit të Durrësit, në përpjekje për të zgjeruar radhët, agjiton me kushëririn e tij, i cili ishte bashkëpunëtori i Sigurimit “Asistenti” prej vitit 1958. Por ky i fundit raporton bisedën në organet e punëve të brendshme. Njëkohësisht rekrutohet vëllai i “Asistentit”, “Vullneti”. Të dy këta treguan emrat e grupeve të Durrësit dhe Tiranës. Ishte filli që çoi në zbulimin e krejt anëtarëve të grupeve.
Sa u dënuan
Pjetër Arbnori u mor në pyetje nga hetuesit Muharrem Vasjari, Sotir Xheka, Llambi Titani dhe Irakli Kocani. U zhvillua një hetuesi e gjatë dhe intensive me të gjitha metodat e mundshme.
Me vendimin nr.113, datë 11.8.1962, Gjykata Ushtarake e Tiranës, e përbërë nga kolonel Llazi Polena, nënkolonel Reshat Nepravishta, kapiten Xhavit Myrto, duke pasur pranë prokurorin major Sami Kapllani, i deklaroi fajtorë për tradhti ndaj atdheut e agjitacion, duke i dënuar:
-Pjetër Arbnori, arrestuar 27.5.1960, me vdekje pushkatim
-Uran Kalakulla, arrestuar 27.5.1960, me vdekje pushkatim
-Tanush Kaso, arrestuar 27.5.1960, me 13 vjet burgim
-Zeqir Koçi, arrestuar 27.5.1960, me 20 vjet burgim
-Kahreman Paftali, arrestuar 23.8.1961, me 10 vjet burgim
-Riza Kuçi, arrestuar 5.10.1961, me 20 vjet burgim
-Agim Musta, arrestuar 30.4.1962, me 13 vjet burgim
U la në fuqi nga Kolegji Ushtarak i Gjykatës së Lartë, me vendimin nr.121, datë 3.9.1962. Presidiumi i Kuvendit Popullor, i kthye vendimet me vdekje në me 25 vjet burgim.