Nga Kastriot Dervishi
Ende nuk ka një statistikë të plotë të grave që humbën jetën apo u burgosën për arsye politike gjatë regjimit. Por çuditërisht, listën e të ekzekutuarave femra e nis një çame në vitin 1945. Krejt pa asnjë akuzë pushkatohet. Hanife Ramadan Karkuli, lindur në Pargë më 1902, banuese në Tiranë, nënë e një djali, u arrestua në dhjetor 1944 teksa ishte me banim të përkohshëm në Shkodër. Ajo kishte ardhur në Shqipëri në moshën 13 vjeçare në vitin 1915. Shpjegimin për jetën e saj e bën para komisionit hetimor të Prefekturës së Tiranës, më 6.2.1945. Në kohën e Zogut kishte qenë punonjëse në burgjet e Durrësit dhe Vlorës. Me ardhjen e regjimit fashist në fuqi në vitin 1939, me gjithë ndërhyrjet e shumta pranë institucioneve, pushohet nga puna. E gjendur në vështirësi ekonomike rikthehet në Çamëri në fshatin Volo. Vjen sërish në Shqipëri në prill 1943. Qëndron 6 muaj në Tiranë, kohë kur kërkon të punësohet në burgun e grave. Pas refuzimit të punësimit shkon me shumë mundime në Shkodër. Këtu komiteti për ndihmë të të mjeruarve e ka sistemuar përkohësisht. Akuzohej se kishte qenë “informatore e Qazim Mulletit” duke bërë “mjaft shërbime” dhe “dhënë informata mbi veprimtarinë e njerëzve të lëvizjes nacionalçlirimtare”. Ajo ishte arrestuar disa orë në vitin 1943, kohë që pretendohej se kishte zhvilluar “aktivitet spiunazhi”. Por, ish sekretari i dytë i Prefekturës së Tiranës, Qemal Bimbashi, duke qenë i burgosur, lëshon deklaratë më 20.6.1945 ku thotë se në listën e informatorëve të kësaj prefekture nuk ka figuruar asnjëherë e përmendura. Në seancën gjyqësore, e pandehura mohoi çdo akuzë. Edhe avokati Totozani deklaroi se nuk kishte asnjë provë për të përligjur këtë proces, madje mbrojtja paraqiti prova të forta. Gjykata Ushtarake e Korpusit I Tiranë e përbërë nga Bilbil Klosi me anëtarë Ramazan Krujën dhe Argjir Lipivianin me prokuror Ismail Çaushin, me vendimin nr.159, datë 23.6.1945, në bazë të ligjit nr.41, e deklaroi fajtore dhe e dënoi me vdekje. U la në fundi me vendimin nr.145, datë 25.6.1945 të Gjykatës së Lartë Ushtarake e përbërë nga nënkolonel Gaqo Floqi, major Frederik Nosi dhe kapiten I Veledin Zeneli, duke pasur pranë prokurorin major Myftar Tare.
(Pjesë e studimit “Çamët dhe kosovarët e dënuar dhe ekzekutuar nga diktatura komuniste”)