Nga Kastriot Dervishi
Dukuria e manipulimit të fotografive historike nuk ka qenë vetëm e atyre që lidheshin me veprimtarinë e Enver Hoxhës apo vartësive të tij. Ajo vërehet në gjithë botimet historike. Figura me kontribut të rëndësishëm në historinë e vendit, Partia e Punës kërkonte që t’i zhdukte emrin dhe pamjen. Sjell sot një manipulim të rëndë të fotos së deputetëve të Prefekturës së Shkodrës të vitit 1921. Në foton origjinale janë plot tre kryeministra të ardhshëm të Shqipërisë, ministra, nënkryetarë parlamenti. Figura me peshë dhe rol të jashtëzakonshëm në historinë e vendit. Nga 10 persona që janë në foto, ajo i është treguar brezave vetëm me dy prej tyre (Luigj Gurakuqin dhe Ndre Mjedën). Nga personat e retushuar të kësaj fotoje u dënuan me vdekje Riza Dani dhe Maliq Bushati, u dënuan me burgime Shuk Gurakuqi dhe Patuk Saraçi. Majtas tregohet origjinali i fotos që fatmirësisht ruhet në AQSH dhe djathtas, botimi i fotografisë në një libër për Luigj Gurakuqin në vitet ‘70.
Në foton origjinale janë këto persona:
Sipër: Luigj Gurakuqi, Mustafa Kruja, Riza Dani, Shuk Gurakuqi dhe Kolë Thaçi
Poshtë: Halit Rroji, Ndre Mjeda, Patuk Saraçi, Rexhep Mitrovica, Maliq Bushati.