Nga Kastriot Dervishi
Në aeroportin e Kuçovës do të ndërtohet një prej bazave më të madha të NATO-s në Ballkan. Natyrisht ky është një lajm i mirë për Shqipërinë që rrit sigurinë e saj dhe na afron edhe më shumë me aleatin tonë strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Çuditërisht, këto ditë jo pak herë janë parë lajme krejt të kota e të pazakonta që shoqëronin lajmin e mirë, me pyetjen e pilotëve të vjetër të kohës së Enverit, apo duke bërë krahasime teknologjike me ndryshqet sovjetike e kineze që kanë ngelur në tokën tonë. Asnjë fjalë për ndërtuesit e kësaj vepre, të dënuarit politikë. Historia për fat të mirë ka çuar në vend dëshirën e të dënuarve politike, brezit më të shkolluar të Shqipërisë, që u përball në mënyrën më të padrejtë me mohimin e lirisë nga regjimit kriminal komunist. Kësisoj, sot po vlerësohet për herë të parë mundi i tyre. Aeroporti i Kuçovës (atë atë kohë quhej i Urës Vajgurore) u ndërtua në kushte të vështira nga kampet nr.1 (më vonë reparti nr.301) dhe nr.2 (më vonë reparti nr.303) në vitet 1952-1953. Puna për ndërtimin e tij filloi pjesërisht në mars 1952 filloi dhe plotësisht në qershor 1952, me 2.000 të burgosur. Në raportin e komisarit të kampit nr.1, toger Xhoxhi Kekos më 28.3.1952, ndër të tjera thuhej:
“Jeta e të burgosurve nuk ka qenë e mirë për faktin se kur kemi ardhur këtu e deri sot, nuk kanë ngrënë as edhe një herë gjellë me mish, pse kjo mungon. Gjithashtu nuk janë ngopur me ujë dhe kjo gjendje vazhdon akoma megjithëse ka një përmirësim të vogël. Nga kjo situatë rendimenti nuk ka qenë si më përpara...Gjatë muajit, për mungesë uji i kanë ngrënë drekën dhe darkën bashkë”.
Por nga nëntori 1952 deri mars 1953, në Urën Vajgurore, u vendos edhe kampi nr.2 me 1.020 të burgosur. Këtu vuanin dënimin edhe At Pjetër Meshkalla, Sami Repishti, etj. Në këtë mënyrë u krijua një forcë e madhe me një numër të madh të dënuarish politikë.