Nga Kastriot Dervishi
Në debatin për karakterin e Kampit të Tepelenës, por edhe të kampeve të tjera (të cilat unë nuk i ndaj asnjëherë, si ato të Krujës, Valiasit, Beratit, Porto Palermos, etj), për t’i zhvlerësuar avokatët e krimeve të komunizmit, sjell sot një dokument të një mbledhjeje Byroje Politike të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë në muajt e parë të ekzistencës së Kampit të Tepelenës. Rendi i ditës së mbledhjes është shqyrtimi i listave të të burgosurve dhe të internuarve (me këto punë merrej Byroja), si dhe “lista speciale”. Sekretari i përgjithshëm i Partisë Komuniste, njëherazi edhe kryeministër i vendit, Enver Hoxha, i cilëson këto, “kampe përqendrimi”. Tani ata që janë avokatë të krimeve të komunizmit, mund të na e thotë se çfarë janë për ta kampet e përqendrimit? Meqë gjithnjë kanë “fashizmin” në gojë, a dinë ndonjë rast nga koha e fashizmit në Shqipëri të ketë pasur ndonjë kamp përqendrimi të mbushur me fëmijë? Nëse po mirë do ishte ta publikonin sa më shpejt. Enver Hoxha ka pasur dijeni të plotë për ekzistencën e fëmijëve të këto kampe. Enveri jep porosi “të shikohet mirë problemi i kalamanëve”. Dhe problemi u pa mirë sepse numri i tyre ishte gjithnjë i lartë deri në mbyllje të këtyre kampeve. Enveri nuk pranonin lirimin e grave me fëmijë të vegjël të moshës 2-3 vjeç, por thotë që vijonin të qëndronin në kampe. Kaq të vështirë e kishte lirimin e tyre. Në mbledhjen në fjalë marrin pjesë edhe prokurori i përgjithshëm Gaqo Floqi, ministri i Drejtësisë Manol Konomi dhe Josif Pashko.
Pjesë nga procesverbali i mbledhjes:
Në lidhje me kampet e përqendrimit në Tepelenës dhe Valiasit, bëhen këto vërejtje:
Shoku komandant: Nuk është mirë të mbahen fëmijët në kampe përqendrimit. Atje mund të lemë vetëm fëmijët gjer në 2-3 vjeç që kanë nevojë për mëmat e tyre.
Shoku Mehmet Shehu: Të tjerët t’i fusin në shkolla.
Shoku komandant: Po edhe me bursë ata nuk duhet t’i mbajmë.
Shoku Mehmet Shehu: Për të dyshimtët ne mund të përdorim edhe një taktikë të tillë që të mos i internojmë, po në vende kufitare p.sh. si në Kukës të mos i lemë që të bëhen strehë, por t’i detyrojmë të shpërngulen si në Fier ose Lushnje, t’u jepet sasi toke dhe të jetojnë vetë pa i rënë në bela shtetit. Sa për fëmijët këtë ta shohim, ta studiojmë.
Shoku komandant: T studiohet mirë problemi i kalamajve të këtyre familjeve.