Testamenti i Mit’hat Frashërit, instituti albanologjik dhe amaneti për varrin

E mërkurë, 14 November 2018 10:36

Nga Kastriot Dervishi

Regjimi komunist, organet e Sigurimit të Shtetit, krijuan një fashikull me dokumente për Mit’hat Frashërin. Në këtë grup dokumentesh ku gjenden informacione nga më të ndryshmet para vitit 1944 dhe pak pas këtij viti, janë vendosur edhe shitja e librarisë “Lumo Skëndo” dhe një testament i të përmendurit. Ndërsa akti i shitjes është i vulosur dhe i rregullt, testamenti nuk është i nënshkruar. Mundet të ketë qenë projekt i Mit’hatit ose mundet që në rrëmujë e madhe të dokumenteve që krijuan komunistët sapo morën pushtetin, të ketë humbur. Testamenti nuk ka vit, por besohet se është hartuar para vitit 1941, pra para se të shitet libraria. Në mënyrë të përmbledhur, ky testament me 12 pika përmban:

-Gjithë pasurinë që kishte, e jepte për krijimin e një instituti albanologjik që të ishte qendër e studimeve shqiptare, duke udhëhequr çdo nismë të tillë.

-Biblioteka të mos ndahej, por librat të qëndronin bashkë.

-Të përfshihej si muze i vogël në institut ajo që trashëgonte nga babai e xhaxhallarët.

-Të përdoren të hollat që mund të kishte në bankë.

-Të ndërtohej një godinë e përshtatshme për institutin, mundësisht të veçuar.

-Nëse shitej, libraria të shitej e gjitha e jo me copa.

-Librave t’u vihej pulla “Libraria Lumo Skëndo 1897”, sipas vulës së bërë nga Hysref Frashërit (gjendej në shtëpi vula).

-Instituti të ishte nën mbikëqyrjen e një komisioni të përbërë prej drejtorit të Bibliotekës së Shtetit, kryetarit të Bashkisë së Tiranës dhe një përfaqësuesi të Ministrisë së Arsimit.

-Për të zbatuar testamentin ngarkoheshin zotërinjtë: Niazi Tirana (me përparësi në ndjekjen e testamentit), Sotir Kolea, Dhimitër Berati, Mehdi Frashëri, Et’hem Fuat Frashëri.

-Nëse të ngarkuarit do ishin më pak në numër, mund të zgjidhnin zëvendësues.

-Ngarkonte babanë e teqesë së Frashërit dhe kryetarin e komunës atje, të kujdeseshin për zbatimin e testamentit. 

Testamenti mbyllej me këto fjalë:

“Ushqej besimin e plotë se kjo dëshirë imja do të zbatohet besnikërisht prej pasanikëve të mi, ndë gjithë shekujt që do të vijnë dhe lutja ime drejtuar fuqisë së madhe që tani s’e kuptojmë dot, do të jetë të kenë gjithë shqiptarët idealin e përparimit dhe të lartësimit të kombit, që shqiptarizma të bëhet një dëshirë dhe një konviktim i thellë dhe që çdokush të kuptojë se e mira e kombit është e mira jonë private, se nderi dhe lavdia e shqiptarëve të gjithë është edhe nderi dhe lavdi ynë personal.

Nuk di ku do të vendoset instituti, po në qoftë se goditet pakëz jashtë qytetit, do të donja që varri im të jetë në një cep të kopshtit, në të mëngjërë duke hyrë nga porta e rrugësë: mbi këtë varr dua një copë gur të madh dhe një qiparis. Më duket sikur do jem ruajtësi i institutit, sikur do marr pjesë në gjëllimin e tij.

Me këto dëshira dhe shpresa po e nënshkruaj me dorën time këtë testament”.

Modifikuar më E mërkurë, 14 November 2018 10:48
Login to post comments