Nga Kastriot Dervishi
Sikur këto fjalë t’i kisha thënë unë, me siguri makina e propagandës komuniste do nxirrte menjëherë “akuzën” e “neofashistit”. Këtë e thotë udhëheqësi i tyre. Vini re diskutimin banal të Byrosë Politike mbi caktimin se kush duhet të jetë hero. Vetëm para pak ditësh zëvendëskryeministri tha se heronjtë nuk i kanë caktuar këta, por lufta. Në të vërtetë, “heronjtë” i caktoi paslufta, komunizmi. Me një qëllim të vetëm, propagandën monumentale. Se mos vetëm atëherë. Njëlloj edhe sot.
Pjesë nga diskutimi i datës 17.11.1967
Enver Hoxha: Po për Mustafa Kaçaçin?
Rita Marko: Në veprimtarinë e tij nuk ka ndonjë gjë për të dalluar.
Enver Hoxha: Këtij mundet edhe mos t’ia japim.
Mehmet Shehu: Si njeri, i mirë ka qenë, por nuk ka qenë trim.
Hysni Kapo: Kur kaluam gjatë luftës nacionalçlirimtare në veri, unë isha në brigadën e 4 sulmuese dhe atëherë, në biseda ai thoshte se nuk ishte ndonjë trim.
Enver Hoxha: Ashtu është, këtë e thoshte edhe vetë, atëherë përse ta bëjmë hero?
-Të gjithë shokët ishin dakord që Mustafa Kaçaçit të mos i jepej titulli “Hero i Popullit”
Për Manush Alimanin jeni dakord?
-Të gjithë u shfaqën dakord. Për Tom Kolën, jeni dakord?
Abdyl Këllezi: Unë këtë e kam njohur në internim, ka qenë djalë shumë i mirë dhe në aktin e Shkodrës ka treguar një qëndrim heroik.
Enver Hoxha: Po t’i lexosh shkrimet që botohen sot për dëshmorët e luftës, të gjithë na i nxjerrin sikur kanë zënë armiqtë me dhëmbë dhe duken sikur të tërë duhet të bëhen heronj. Ata kanë vërtet meritat e tyre, por në shkrime për disa janë ekzagjeruar gjërat. Partia na mëson të bazohemi kurdoherë në realitetin.
-Për Tom Kolën të gjithë u shfaqën dakord.