Nga Kastriot Dervishi
Në vendet e vogla, për shkak të fuqisë së tyre, e rëndësishme është qëndresa ndaj pushtimeve nazifashiste. Kjo vinte si logjikë e faktit se numri i vogël i forcave përballë bënte të pamundur një fitore të menjëhershme apo luftës ballafaquese nëpërmjet së cilës mund të vinte çlirimi. Nuk ka asnjë dyshim që edhe datat e vendosura për politikë si “data çlirimi” nuk janë gjë tjetër veçse koha e largimit e ushtrisë naziste.
Nga koleksioni i marrive të vitit 2019 rreth përkujtimit të “çlirimeve” kam ruajtur edhe fotot e ceremonive të Ersekës. Edhe këtu në prani të fëmijëve, u zhvilluan ceremoni në mënyrë që gënjeshtrat e diktaturës komuniste të vijojnë besnikërisht pa i lëvizur asgjë. Do i referohem të dhënave arkivore.
Në historikun e Brigadës së 2-të janë rreshtuar një sërë luftimesh nga data 25.10.1943 (pra para formimit zyrtar). Ndër të tjera këtu flitet edhe për “çlirimin” e Leskovikut dhe të Ersekës. Nga aq sa lexon nuk të krijohet ndonjë bindje se ushtria naziste kishte ndër mend të qëndronte këtu dhe partizanët i kanë mundur. Është e qartë se kemi të bëjmë me largim. Midis të tjerash, në këto shënime thuhet: “Batalioni i 4-t sulmon Ersekën me një luftë të ashpër kundër bishtit të ushtrisë gjermane në tërheqje dhe e çliron këtë qytet”. D.m.th. ushtria gjermane po largohej, partizanët i godasin bishtin dhe kjo quhet “çlirim”.
Në librin e Shyqyri Ballvora, “Zhvillimet politike në periudhën e luftës nacionalçlirimtare”, Tiranë 2004, faqe 639, thuhet: “Tetori i vitit 1944 në qarkun e Korçës ishte muaji i veprimeve luftarake të dendura të forcave partizane kundër armikut. Më 3 tetor (1944) komanda e trupave gjermane të juglindjes lëshoi urdhrin të zbrazej e gjithë Shqipëria e jugut. Mirëpo pjesë të veçanta të saj nuk mund të zbrazeshin pa u tërhequr grupimi ushtarak që ndodhej në Greqi. Në mbrëmjen e datës 19 tetor partizanët hynë në Leskovikun e çliruar. Populli i priti luftëtarët e vet me përzemërsi e brohoritje dhe së bashku me partizanët festoi fitoren e lirisë së vërtetë, ndërsa më 20 tetor u çlirua Erseka”.
Përveçse ka një mospërputhje midis datave, është e qartë se kemi të bëjmë me një tërheqje të ushtrisë naziste kur i desh qejfi dhe jo se u munduan këta për të na “çliruar”.