Këneta e Thumanës u tha për 3 vjet nga të burgosurit politikë

E mërkurë, 18 December 2019 13:50

Nga Kastriot Dervishi

Më 1 maj 1958 doli urdhri i ministrit të Punëve të Brendshme për zhvendosjen e Repartit nr.309 nga Bubullima e Lushnjës për në Mamurras të Krujës, gjë që u realizuar më 3 qershor 1958. Plot 35 kamionë tip “Skoda” zhvendosën më shumë se 500 të dënuarve drejt vendit të ri të punës.  13 oficerë, 26 policë, 92 ushtarë dhe 3 qen i shoqëronin ato. Puna ishte hapja e një kanali që do të kalonte ujin e kënetës në detin Adriatik. Pasi u morën masat për ndërtimin e kampit të ri, në korrik 1958 kampi ishte gati në Mamurras (Bushnesh) të Krujës, afër repartit nr.305. Këtu do të kryente punime për tharjen e kënetës së Thumanës. Sipas organizatorëve të kampit terreni paraqitej i vështirë pasi afër kënetës ishin pyjet. Kjo gjë mund t’u jepte shkak të burgosurve për arratisje. Në gusht 1958 kampi u zhvendos në Gjorm e në vjeshtë në Thumanë. Në vitin 1958 në kamp punonin 540 të dënuar politikë dhe asnjë ordiner. Sipas të dhënave të vitit 1959 në kamp punonin 742 të dënuar. Në vitin 1959 për tharjen e kënetës së Thumanës ndihmoi edhe Repartin nr.305. Në vitin 1960 të dhënat e pakta flasin për 624 të burgosur, të gjithë politikë, ndër të cilët vetëm 5 të huaj. Më 26.12.1960 u nënshkrua kontrata midis Ndërmarrjes së Bonifikimit dhe MPB-së për aktivizimin në punë të 700 të dënuarve në tre fronte pune. Quhej normale që fronti i punës të ishte 4 kilometra larg nga kampi dhe vetëm pas saj do të përdorej transport nga ndërmarrja. Punime për tharjen e kënetës përfunduan në vitin 1961. Komandant i Repartit nr.309 ishte Vangjel Rrëmbeci. Vetëm 5 klasë fillore ishte arsimi i tij.

Modifikuar më E mërkurë, 18 December 2019 16:35
Login to post comments