Nga Kastriot Dervishi
Në librin e saj, (faqe 39) Nexhmije Hoxha, për t’i rritur peshën politike Enver Hoxhës, thotë se ai u zgjodh si sekretar politik në konferencën e parë të Komitetit Qarkor të Tiranës. Një gënjeshtër. E.Hoxha ishte zgjedhur në Komitetin Central të përkohshëm të PKSH-së, përgjegjës për financat dhe nuk mund të ishte drejtues qarkori. Pas themelimit të partisë, Dushan Mugosha dhe Miladin Popoviçi, organizuan partinë në qarkorë (d.m.th. në prefektura). Drejtuesit e këtyre qarkorëve që quheshin sekretarë politikë, u zgjodhën në konferenca ilegale të improvizuara në bazë të një kompromisi grupesh. Nuk u organizuan menjëherë qarkorët e Kukësit dhe Dibrës. Ish Grupi Komunist i të Rinjve mori drejtimin e qarkorëve të Tiranës, Elbasanit, Vlorës. Mbledhja themeluese e qarkorit të Tiranës është bërë te shtëpia e Bije Vokshit. Ishte menduar për Sadik Stavalecin, por ky për shkak sëmundje dhe mosqenies vendas, ia la vendin Halit Petrela. Në këtë qarkor ai ishte bashkë me Liri Gegën.
Ajo që thotë Nexhmija se “Enveri u zgjodh në krye të qarkorit të Tiranës”, i përket prillit 1942, pra disa muaj më vonë, kur Miladin Popoviçi goditi ish Grupin Komunist të të Rinjve, duke qëruar hesapet përgjithmonë me këtë grup. Për ta plotësuar këtë, në vitin 1958, Halit Petrela u dënua me 15 vjet heqje lirie.