Simbolikat e 31 janarit 1925, Tirana kryeqytet dhe Ahmet Zogu kryetari i parë i zgjedhur i shtetit

Premte, 31 Janar 2020 17:00

Nga Kastriot Dervishi

Në mbledhjen e 68 të tij, më 31.1.1925, Kuvendi Kushtetues bisedoi për 3 çështje: për statutin (kushtetuta), kryeqytetin dhe zgjedhjen e kryetarit (presidentit) të Republikës Shqiptare. Mbledhja filloi ora 14.30 nën drejtimin e kryetarit Eshref Frashëri. Petro Poga tha se populli priste votimin e kryetarit të ri të shtetit, prandaj kërkoi votimin e dispozitës së statutit në lidhje me këtë çështje, e më pas të vijonte diskutimi i saj për çështjen e tjera.  Milto Tutulani, i ngarkuar të paraqiste relacionin për statutin, foli mbi rolin e tre pushteteve, të cilat siguronin liri kur vinin në ekuilibër midis tyre. Pjesa e parë e statutit ishte kjo:

1-Shqipëria është republikë parlamentare e kryesuar prej një kryetari. Sovraniteti buron prej popullit.

2-Republika Shqiptare, është indipendente, e pandashme, tërësia tokësore e sajë e padhunueshme edhe toka e sajë e pajetërsueshme.

3-Flamuri kombëtar, është i kuq me shqipe të zezë dykrerësh në mes.

4-Shqipja është gjuha zyrtare.

5-Republika Shqiptare s’ka fe zyrtare. Të gjitha fetë e besimet janë të nderuara dhe liria e ushtrimit dhe e praktikimit të jashtëm të tyre është e siguruar.

Feja nuk mund të formojë pengime juridike me asnjë mënyrë.

Fetë e besimet kurrsesi nuk mund të përdoren për qëllime politike.

6-Tirana është Kryeqyteti i Shqipërisë.

7-Pushteti legjislativ ushtrohet prej Senatit e Dhomës së Deputetëve si mbas këtij Statuti.

8-Pushteti përmbarues i përket vetëm Kryetarit të Republikës, i cili e ushtron me anën e ministrave.

9-Pushteti gjyqësor ushtrohet prej gjykatave dhe vendimet e tyre jepen në emër të Republikës Shqiptare.

Deri te neni 4, votimi u bë pa diskutim. Te neni 5 pati diskutime se të bëhej më cilësor, por në fund u la sipas projektit. Diskutim pati edhe çështja e kryeqytetit. Deputeti Taq Buda, e nisi diskutimin e tij kundër votimit të Tiranës për kryeqytet, i ndërgjegjshëm se “do rrihte ujë të havan”, sepse e kuptonte se shumica e kish vendosur. Me një ligjëratë të gjatë, Buda përfundonte arsyetimin se Tirana nuk i kishte cilësitë për kryeqytet. Pas tij foli Ferit Vokopola një fjalë të zjarrtë në mbrojtje të Tiranës, duke e mbyllur fjalimin me brohoritjen “Rroftë Tirana kryeqytet”. Në mes të brohoritjeve u votua për Tiranën.  Pastaj u kalua në miratimin e dispozitës për Kryetarin e Republikës, i cili zgjidhej për 7 vjet. Vetëm këtë herë zgjidhej prej Kuvendit Kushtetues sepse vendosej që në të ardhmen ta zgjidhte mbledhja e përbashkët e Senatit dhe Dhomës së Deputetëve. U votuan vetëm tre nene kushtuese për kryetarin e më pas u kalua në zgjedhjen e tij. nuk pati propozim, por secili shënonte një emër në fletën e bardhë të votimit të fshehtë. Rauf Fico e Syrja Pojani kontrolluan fletëvotimet.

Votuan 62 deputetë. 60 votuan pro Ahmet Zogut kryetar të Republikës Shqiptare, 1 votoi për Eshref Frashërin dhe një u gjet e pavlefshme. Në fjalën e para deputetëve, Kryetari i Republikës , Ahmet Zogu tha: “Zotërinj! Ju falënderoj si për herën e parë, ashtu edhe tani që më nderuat duke më zgjedhur kryetar. Pra, ju siguroj se asnjë ambicie nuk do të ndalojë fuqinë time për të shërbyer interesit të përgjithshëm”.

Login to post comments