Nga Kastriot Dervishi
Sot është ditëlindja e Vilson Blloshmit. Sot do të ishte 72 vjeç. Në këtë përvjetor të martirit kam përgatitur një përmbledhje nga dosja formulare në ngarkim të tij, e cila është një prej dështimeve më spektakolare të armës së Sigurimit të Shtetit. Dy herë dështoi Sigurimi ndaj Vilsonit, herën e parë me gjithë ato kurthe e kombinacione, të cilat ai i kuptoi të gjitha dhe herën e dytë me synimin për ta rekrutuar. Si shpagim për të gjitha, e kaloi në një proces hetimor-gjyqësor, krejt pa prova. Vilsoni ishte në listat e “kontingjenteve armike”, me origjinë “kulakë”. Në vitet 1970-1975 në drejtim të tij ka disa raportime të shkëputura, të futura në fashikullin e informatave.
Më 9.1.1975, punëtori operativ Xhevat Karriqi përpilon biografinë e Vilsonit. Ky nënvizon faktin se prej vitit 1950 familja e tij cilësohej kulakë. Sipas modelit të vërtetimit biografik, theksohen paraardhësit dhe pjesëtarë të familjes. Më 15.2.1975 është marrë vendimi për vënien e tij në përpunim paraprak PP, por në dosje vendimi nuk është administruar. Më 22.3.1975 b.p. “Nogoli” nëpërmjet operativit Lavdim Kurti thotë se Vilsoni ishte “shumë i zgjuar”, se kish folur për vizitën e Niksonit në Kinë, etj. Më 16.4.1975 b.p. “Studenti” nëpërmjet operativit Vesel Gjorga raporton se Vilsoni ka thënë se po e kthenin në kooperativë, a thua se ishte mirë në minierë duke punuar në 1500 metra thellësi. Më 19.4.1975 b.p.“Shkumbini” nëpërmjet operativit Vesel Gjorga, raporton se i kish rënë në sy se “Vilson Blloshmi, lexon shumë literaturë të huaj në gjuhën frënge”, ndërsa Genc Leka i thoshte se Vilsoni frëngjishten e kishte gjuhën e vet. Në vijim jepen dy informacione të përgjithshme që nuk janë rënduese ndaj Vilsnonit.
Më 11.8.1975 me propozim të punëtorit operativ Vesel Gjorga, shefit të Seksionit së Sigurimit Spiro Lera dhe miratim të kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme Librazhd, Emro Kondi, Vilson Blloshmi, i cilësuar “shtresë e pasur kulak”, u kategorizua në kontroll operativ 2B. Jepeshin si arsye bisedat me bashkëpunëtorët “Studenti” dhe “Bleta” “për arsye se ka komentuar me bashkëpunëtorin pakënaqësi të theksuar ndaj partisë dhe qeverisë, nuk është dakord që arti ynë të përshkruhet nga një partishmëri e thellë”. Por siç i bënte Sigurimit punët, niveli i informacionit ishte jo cilësor. Madje vëllai i Vilsonit, Bedriu, shkruhet në listën e lidhjeve familjare si “kushëri” i tij.
Më 24.10.1975 sillet një e dhënë nga një proces tjetër hetimor (Kërsto Adrea Pepa që kish punuar në minierë dhe ish arrestuar) sipas së cilit Vilsoni kur ishte në Përrenjas ishte shprehur se “Enver Hoxha është bërë nervoz i madh, nuk pranon të bisedojë me njeri”.
Më 5.11.1975 operativi Vesel Gjorga shkruan disa detyra në drejtim të përpunimit të Vilson Blloshmit, ku peshën më të madhe e mbajnë “Studenti” dhe “Shkumbini”. Vija e sjelljes ndaj tyre është ajo provokuese. Do pyetej se ishte me shkollë të mesme dhe nuk i jepnin të drejtën e dhënies mësim. Edhe shakatë që bënte Vilsoni e që mbështeteshin në ngjarje të njohura, operativët i shkruajnë me nëntekste armiqësore e të qëllimta.
Për të ndezur pak situatën, organizohet djegia e muzeut të Bërzheshtës. Për këtë qëllim, bp. “Dardha”, me porosi të Vesel Gjorgës provokon Vilsonin, të cilin e takon më 20.3.1976 në Qukës. Vilsoni i thotë se djegien mund ta ketë bërë Sigurimi për të marrë njerëz në qafë, por ishte i sigurt se asnjë prej tyre (të deklasuarve) nuk e kish bërë këtë gjë. Madje ishte shkruar edhe një letër për gjoja kryengritje, etj. Më 17.4.1976 operativi Xhevat Karriqi kërkon të ngrihet Vilsoni në përpunim aktiv 2A “si armik klase dhe të ecet drejt goditjes së tij”. Pas kontrollit që i është bërë në shtëpi, ai kërkon të gjendet lista e librave të ndaluar. Kërkon kontrollin edhe të gruas së Vilsonit dhe të kihej kujdes se mund të arratiseshin të dy.
Më 10.5.1976 me propozimin e operativit Xhevat Karriqi dhe miratimin e kryetarit të DPB Librazhd Emro Kondi, vendoset ngritja në përpunim aktiv 2A e Vilson Blloshmit. Si arsye jepen origjina si kulak, zhvillimi i agjitacionit e propagandës kundër pushtetit (në dosje janë opinione, por jo të atilla që plotësonin elementin penal), si dhe kallëzimi i datës 9.5.1976 (në fakt, në dosje është kallëzimi i datës 15.5.1976) i qytetarit Ferit Çota se Vilsoni mund të arratisej. Feriti kishte qenë shok ushtrie me Vilsonin. Nga shqyrtimi i dokumentacionit nuk rezulton me personalitet të qëndrueshëm. Kallëzimi i Çotës (në të cilin ishte futur edhe një element që mund të lidhej me “terrorin”, marrja e dy minave) i bëhet i njohur sekretarit të parë të PPSH-së në rreth Sotir Koçollari si dhe Drejtorisë së Parë të Sigurimit të Shtetit në MPB.
DPB Librazhd miraton edhe planin e masave agjenturiale operative për parandalimin e arratisjeve të Vilsonit, Genc Lekës, etj, të hartuar nga operativi Spiro Lera. Më 14.5.1976 Ferit Çota instruktohet si ta provokojë Vilsonin, përfshi edhe një incizim të fshehtë në vendin e caktuar, që u realizua po atë ditë. Ndaj Vilsonit vendoset survejimi. Një vijësjelljeje tjetër për denoncuesin harton edhe operativi Xhevat Karriqi. Çota e realizon incizimin, por në të nuk ka asgjë thelbësore, nuk arrin ta fusë në kurth Vilsonin. Duket që edhe kallëzimi i tij ishte i rremë. Ai e provokon vazhdimisht Vilsonin se do të arratisej. “S’jemi takuar hiç ne të dy”-i thotë Vilsoni. Kur ishte zhvilluar goxha bisedë, Vilsoni e fton të bisedojnë jashtë godinës, por Çota refuzon. “Për çfarë më ndjek mua prapa ti”- i thotë Vilsoni që duket e ka kuptuar lojën e tij. Në këtë mënyrë dështoi gjithë plani i përgatitur nga DPB Librazhd për të futur në kurth Vilson Blloshmin. Dështimi i gjithë shtetit dukej qartë edhe në shënimin e fundit sepse “objekti” (Vilsoni) nuk kishte besim te denoncuesi. Për këtë arsye, Ferit Çota më 15.5.1976 nënshkruan para hetuesit Lulo Ymeri dhe operativit Spiro Lera një kallëzim (të rremë) penal ndaj Vilson Blloshmit, duke kaluar kështu drejt veprimeve legale hetimore-gjyqësore. Sipas kallëzimit, më 9 maj, kur ishin duke gjuajtur peshk, Vilsoni gjoja i kish thënë se do arratisej në Jugosllavi. Por as këtu Vilsoni nuk kapet në kurth. Ai shkon në DPB Librazhd dhe kallëzon Ferit Çotën për kallëzim të rremë. Zgjuarsia e Vilson arrin në një pikë vërtet të pabesueshme. Ai akuzon Feritin se i kishte para borxh si dhe ndërton kundërakuzën e tij bazuar në provokimet e tij (Feritit), duke nxjerrë se ishte provokuesi ai që i kish thënë të arratiseshin.
Dështimi i F.Çotës, detyron operativ V.Gjorga të dërgojë b.p. “Dardha”. Gjorga shkruan se Blloshmi ndiqej për tentativë arratisje dhe si kulak. Operativi tjetër Xhevat Karriqi, porosit b.p. “Studenti” të provokojë” Vilsonin se kush e kish djegur muzeun e fshatit. Karriqi çon b.p. “Nogoli” dhe ndryshi nga Vesel Gjorga shkruan se Vilsoni ndiqej për agjitacion e propagandë, e jo për tentativë arratisje. Të dy operativët, ngatërrohen me njëri tjetrin. Nuk ishin kurrkund me planin e tyre.
Më 20.6.1976, DPB Librazhd miraton një plan masash kundër Vilsonit, të hartuar operativi Xh.Karriqi dhe miratuar nga zëvendëskryetari Spiro Lera. Plani synonte aktivizimin më të madh të bashkëpunëtorëve “Dardha” e “Studenti”, si dhe identifikimin e përkthimeve e librave të ndaluar që mbante Vilsoni. Akuza qartësohej për agjitacion e propagandë. shënimi i fundit për Vilsonin është në lidhje me shkrimet dhe librat që i kishin marrë.
Pasi të gjithë dështojnë Vilsoni arrestohet më 5.8.1976. Disa ditë më vonë, më 15.8.1976 operativi Xhevat Karriqi e hetuesi Ligor Kondili, me miratimin e kryetarit të DPB Librazhd Merdar Hasa, hartojnë planin agjenturialo-operativ-hetimor, d.m.th. një proces gjysmë ligjor. Në birucë do të futej spiuni “Gjurmuesi”. Çështja do kalonte në krijimin e një grupi i cili deri këtë kohë nuk shihej gjëkundi.
Skeda e përndjekjes së Vilson Blloshmit
-15.2.1975 në përpunim paraprak PP
-11.8.1975 në kontroll operativ 2B
-10.5.1976 në përpunim aktiv 2A
-5.8.1976 arrestohet
-17.7.1977 ekzekutohet
Skeda e jetës
18.3.1948 u lind në Bërzeshtë
1962-1966 nxënës në Shkollën e Mesme Pedagogjike Elbasan
1966-1968 punëtor në ndërmarrjen e drurit në Stravaj
1968-1970 ushtar në Tale të Lezhës
1970-1973 në kooperativë bujqësore
1973-1975 minator në minierën e Përrenjasit
1975-1976 në kooperativë bujqësore