Dosja e Sigurimit për Genc Lekën

E Enjte, 19 Mars 2020 17:15

Nga Kastriot Dervishi

Genc Leka nga mosha 18 vjeçare e deri në vdekje, i ndjekur nga organet e punëve të brendshme. (Në dokumentet e para të ndjekjes dhe aktet e gjendjen civile rezulton i shkruar me emrin “Gjençi Leka”). Një dosje me shumë faqe, e shtrirë në vite, prej së cilës pas analizës dhe ballafaqimit të fakteve nuk e ke të vështirë të kuptosh pafajësinë e tij.

Më 16.3.1959, duke qenë nxënës në Shkollën e Mesme Pedagogjike “Luigj Gurakuqi” në Elbasan, me propozim të operativit Adem Demirit, miratim të shefit të Seksionit Avni Mehmeti dhe kryetarit të DPB Elbasan, Shim Kollit, Genc Leka vihet në përpunim paraprak. Qëndrimi në shkollë kish qenë “indiferent, por shumë i dyshimtë” sepse mbante lidhje me babanë e arratisur në maj 1951 (vdes më 12.8.1968 në Prizren) dhe dajallarët në SHBA e Australi. Përveç dyshimeve që bazoheshin te autobiografia e Gencit, nuk kishte asgjë që mund të përligjte çeljen e përpunimit. Nëna e tij ishte internuar në vitet 1952-1956. Për një kohë të shkurtë, më 13.4.1960, me propozim të operativit Fetah Veizi, miratim të dy personave të sipërpërmendur, vihet në kontroll operativ 2B. Gjatë kohës së shkollës “Goditja” raportonte se Genci lexonte libra të ndaluar, ndërsa operativi theksonte “natyrën borgjeze” të tyre. Pas mbarimit të shkollës, më 6.8.1960, dosja e tij transferohet nga DPB Elbasan në DPB Librazhd. Genci punoi 6 vjet si arsimtar. Më 13.7.1966 dosja e tij u zhvendos pranë në DPB Elbasan, pranë repartit ku kryente shërbimin e detyrueshëm. Vënia në përpunim përligjej me faktin e qenies së babait i arratisur. Zëvendëskryetari i DPB Librazhd, Emro Kondi, njoftonte repartin e Gencit se të përmendurit i ishin pushuar nga puna gruaja dhe motra për “qëndrim të keq politik”, e prandaj sa herë do i jepnin leje, duhej njoftuar Librazhdi. Gjatë kohës së ushtrisë, Genci ndiqej si objekti “Llafazani”. Raporton “Shqiponja”, përdoret teknika operative, por nga përpunimi nuk del asgjë e pretenduar. Pas mbarimit të ushtrisë, më 29.3.1968, me propozim të operativit Razi Çino e miratim të shefit të Seksionit të Sigurimit të Repartit nr.3202, dosja zhvendoset në DPB Librazhd. “Studenti” nëpërmjet operativit Lavdërim Kurti, raportonte më 19.8.1968 se Genci vuante shumë ekonomikisht dhe ruhej nga llafet. Sipas një shënimi të vitit 1969, nga kontrolli 10-vjeçar nuk kishin dalë materiale me vlerë operative. Gjatë kësaj kohe, Genci zhvillonte një korrespondencë me Bilbil Canin (nga Tërbaçi i Peshkopisë), ish i internuar, arsimtar në Hysgjokaj. Tre letra u dyshuan sepse ishin “elementë armiq” dhe “zhvillonin veprimtari armiqësore”. Për këtë arsye, me propozim të kryetarëve të degëve të punëve të brendshme të Lushnjës e Librazhdit, përkatësisht Emro Kondit e Thanas Gabës, kryetarit të Degës së 10-të të Drejtorisë së Parë në MPB, Dhimitër Bonata dhe miratim të zëvendësdrejtorit të kësaj drejtorie Hajrulla Topollaj, u miratuan më 16.12.1969, plani i masave agjenturialo-operative “Era”, i cili drejtohej në thelb kundër Bilbil Canit dhe Genc Lekës. Kjo kohë shënoi për Gencin edhe marrjen në përpunim aktiv 2A, tashmë i dyshuar për agjitacion e propagandë. “Ëndrra dhe yje...rrugë dhe yje. Ky refren na jehon çdo ditë  në thellësitë e shpirtit dhe përsëri na zgjon me dhimbje kujtimet më të çiltra të muzgjeve plot fëshfërima” – shkruhet në një prej letrave të Gencit për Biblilin e Rekën. Përpunimi i Gencit vazhdon edhe me përgjim në këtë drejtim. Nga raportimet nuk del asgjë tjetër veçse gjendja e keqe ekonomike e Gencit, i cili punonte në fermën e Karkavecit. Me rastin e 30-vjetorit të formimit të PPSH-së, u hartua një plan tjetër masash. Por as nga kjo nuk del gjë. Për këtë arsye me propozim të operativit Vesel Gjorga, shefit të Seksionit të 2-të, Nevit Kasa, e miratim të kryetarit të DPB Librazhd Emro Kondi, më 10.7.1972 vendosi uljen në kontroll operativ 2B. “Nga ana jonë është ndjekur me plan masash, por megjithatë ndonjë aktivitet të theksuar nuk kemi mundur t’i vërtetojmë, me përjashtim të letrave që i dërgon kunatit të tij Bilbil Cani”-thuhej në arsyetimin e vendimit.

Më 17.4.1976, operativi Merdar Hasa, nga studimi i dosjes shënon se Genci ishte “armik klase i predispozuar të veprojë kundër pushtetit popullor”, duhej të ishte “goditur në kohë”, duhej përpunuar aktivisht sepse veprimtarinë e tij e zhvillonte “në formë alegorike”.

Për këtë operativi kërkonte marrjen në përpunim aktiv 2A, si dhe marrjen e 2-3 të dhënave për agjitacion e propagandë, të bashkëveproheshin veprimet për Bilbil Canin në Lushnje, të studiohej dosja e Bardho Lekës, etj. Vlerësohej se “ky dhe Vilson Blloshmi janë boshti i veprimtarisë armiqësore në Bërzeshtë, prandaj të ndiqen në kompleks”. Në fund është edhe ajo që do realizohej më vonë: “neve do të godasim së pari Vilsonin, por duhet të na hedhi në dritë për goditjen e Gencit”. Siç shihet, në mungesë të elementëve që përligjnin përpunimin, me urdhër partie duhej sajuar diçka. Dy javë para arrestimit merret në përpunim aktiv 2A, me propozim të operativit Xhevat Karriqi e miratim të kryetarit të DPB Merdar Hasa. Pavarësisht se nuk doli asgjë provë, tanimë nuk do përpunohej për agjitacion e propagandë apo tentativë arratisje, por si “agjent i mundshëm i zbulimit jugosllav”. Plani përkatës i masave propozohet nga operativi në fjalë e miratohet nga zëvendëskryetari i DPB-së, Spiro Lera. Nga shikimi i këtij plani nuk ka asgjë se ku mund të zbulohej “agjenti jugosllav” Genc Leka. Plani u hartua deri në dhjetor, ndërsa Genci u arrestua pas pak ditësh. Dukesh që dora e partisë nxiste veprime të tjera. Meqë elementi i “agjenturës jugosllave” po dështonte, u fut elementi ordiner i gjoja sabotimeve të kooperativë, për të ngulur te fshatarët e atjeshëm bindjen se “armiku” punonte për shkatërrimin e ekonomisë së tyre (e cila ishte e shkatërruar vetiu). Genci arrestohet më 31.8.1976 dhe përpunohet në birucë nga “Shigjeta” e më pas “Lundronjësi”. Nga kallëzimet e tij, më 30.10.1976 degët e punëve të brendshme Lushnje e Librazhd me miratimet e kryetarëve Tahir Malo e Merdar Hasa hartojnë një plan të përbashkët masash për problemin e centralizuar “Gaforrja” kundër Bilbil Canit e Genc Lekës. Synohej devijimi i çështjes duke anuar edhe nga “vjedhja e pasurisë socialiste”, për t’i dhënë “grupit” karakter të organizuar. Në Librazhd do punonin operativët Sabri Musai, Xhevat Karriqi.

Më vonë më 10.5.1978, operativi Xhevat Karriqi, oficeri i drejtimit Bujar Pajenga, analizonin se përpunimi i kishte arritur synimet duke nxjerrë “aktivitetin armiqësor” për “sabotimin e ekonomisë popullore”. Harronin akuzat për tentativë arratisje, agjitacion e propagandë dhe “agjent jugosllav”. Më 10.5.1978, dosja formularë me numrin 240 të kartotekës u arkivua në Arkivin e MPB-së ku mori numrin arkivor 840/1.

***

Punëtorët operativë që kishin drejtuar përpunimin: Adem Demiri (1959, Elbasan), Skënder Dume (1959, Elbasan), Fetah Veizi (1959-1960, Elbasan), Ilo Dine (1964), Ibrahim Meta (1966), Vangjel Mekshi (1966-1967), Razi Cino (1967-1968), Koço Londo (1968), Lavdrim Kurti (1968-1971), Vesel Gjorga (1972-1976), Merdar Hasa (1976), Xhevat Karriqi (1976), Sabri Musai (1976)

Bashkëpunëtorët më të aktivizuar: “Studenti”, “Burreli”, “Shqiponja”, “Pazari i Muzinës”, “Shigjeta”, “Lundronjësi”.

 

Skeda e jetës

15.8.1941 u lind në në Bërzeshtë

1956-1960 nxënës në Shkollën Pedagogjike “Luigj Gurakuqi” Elbasan

1960-1966 arsimtar në Zdrajsh të Librazhdit

1966-1968 ushtar në Repartin ushtarak nr.4037 Cërrik dhe nr.3202 Elbasan

1968-1976 punëtor në fermë

Skeda e përndjekjes së Genc Lekës

-16.3.1959 nëpërpunim paraprak

-13.4.1960 në kontroll operativ 2B

-16.12.1969 në përpunim aktiv 2A

-10.7.1972 në kontroll operativ 2B

-15.7.1976 në përpunim aktiv 2A

-31.8.1976 arrestohet

-17.7.1977 ekzekutohet

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...