Familja Hoxha duhet të trajtohet me shtëpi sipas porosive të Enverit, ndërsa dokumentet duhet t’u konfiskohen

Hënë, 29 June 2020 17:28

Nga Kastriot Dervishi

Në ka rast ku duhen zbatuar pikë për pikë porositë e Enver Hoxhës, është pikërisht ndaj familjes së tij. Ashtu siç kryefamiljari i familjes Hoxha la pa shtëpi me mijëra kundërshtarë politikë, nuk është hata e madhe që nën porositë e kthyera mbrapsht të Enverit të ngelin pa shtëpi pjesëtarët e kësaj familjeje (nuk besohet gjithsesi se këta mbahen te ajo shtëpi). Dhe të thuhet se po zbatohen porositë e tij ndaj kundërshtarit. Te pjesa dokumentare, shtetit shqiptar duhet të vendosë menjëherë konfiskimin e çdo dokumenti origjinal si pasuri shtetërore. Është dyshuar gjithnjë se kojë familje mban dokumente që duhet të jenë në arkivat e shtetit. Po ashtu ka dyshime të arsyeshme se edhe dokumenti i pavarësisë, mund të disponohet nga kjo familje. Le të rikujtojmë tani si e “gjeti” shtëpinë shoku Enver dhe si gënjen shoqja Nexhmije në librin e fundit të saj.

Thotë Enveri:

“Pas çlirimit, kur akoma banonim përkohësisht në hotel “Dajti“ se nuk kishim zënë shtëpi, vjen njëri nga shokët e sigurimit dhe më thotë: “Të kemi gjetur një shtëpi, por atje banon Petraq Katroja”. Thirra Esat Dishnicën që, siç e dini, dyqanin “Flora” dhe gjithçka tjetër që ai kishte i sakrifikoi për Partinë, dhe e porosita si të vepronte. Ai vajti bashkë me dy partizanë në shtëpinë e Bellotit, ku banonte Petraqi. Trokitën në derë, por shtëpinë nuk e hapnin njerëzit brenda. “Hapeni derën, apo doni t’jua futim me mitraloz?” thirrën njerëzit tanë. Atëherë nga brenda qe dëgjuar një zë gruaje: “Ku e keni urdhrin?”. “Nuk ka urdhër me shkrim për të ta dhënë ty, po hap shtëpinë! Ku e ke burrin?”. “Nuk është këtu”, ishte përgjigjur prapë gruaja. “E kujt është ajo shtëpi?”, “Ka qenë e Bellotit, por tashti është e Petraqkës, që e ka me tapi”. “Vishni këpucët ti e Petraqka e na jepni çelësat e shtëpisë”, i kishte thënë Esati. “Po kjo qeveri nuk është nga ato që të na lerë në rrugë. Nuk e keni mirë këtë që po na bëni”, tha ajo. “Kështu është puna, nesër në mëngjes do të vijmë prapë, po se mos trazoni gjë me dorë nga ato sende që janë brenda”, kishte urdhëruar Esati. “Si urdhëron!”, kishte thënë ajo. Esati erdhi e më tha mua që u rregulluan edhe shtëpia me gjithë pajisjet e tjera. “Nuk keni nevojë të mendoni për asgjë që i duhet një shtëpie, sepse të gjitha janë gati atje”, tha ai. Kur vajtëm të nesërmen, nuk gjetëm asgjë në shtëpi. Për tërë natën Petraqi me njerëzit e tij i kishin hequr të gjitha. “Ku i keni fshehur plaçkat, ku e ke Petraqkën”, i thamë ne. Gruaja që gjetëm brenda u mundua të na gënjente, por shokët tanë i gjetën të gjitha. Nuk e di se çfarë u bë më tej, po më vonë mora vesh se Petraqin e kishin arrestuar. Pastaj nuk di gjë më se si vajti puna e tij. Kështu e pësuan Petraqi me shokë që iu kundërvunë popullit dhe luftës së tij”. (Enver Hoxha, “Vepra 64”, Tiranë 1989, faqe 395-396, pjesë e bisedës së datës 23 mars 1978, me kuadrot e këtij rrethi, kur E.Hoxha së bashku me Nexhmijen ndodhej për vizitë në Gjirokastër).

Thotë Nexhmija:

“Nga fundi i dhjetorit 1944 u gjend për ne një shtëpi banimi, e cila kishte qenë e një inxhinieri italian Bellotit. Ajo ishte bosh, pasi inxhinieri kishte hequr të gjitha mobiliet dhe pajisjet nga vila dhe i kishte lënë për ruajtje te një miku i tij, një tregtar nga Korça. Enverit i pëlqeu kjo ndërtesë ngaqë ajo mund të shërbente jo vetëm për banim, por mund të përdorej edhe për pritje zyrtare dhe për mbledhje të ndryshme pune, pasi kishte një sallo të ndarë me xham. Drejtoria e shërbimeve qeveritare i mori në dorëzim mobiliet dhe pasi u inventarizua si pronë shtetërore, ato u kthyen në shtëpi dhe u vënë në vendet e tyre” ( Nexhmije Hoxha, “Përjetimi dhe meditime në jetën time politike”, Tiranë 2019, faqe 70-71).

Login to post comments

Lajmet e fundit

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

Politikë

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

  “Përshkallëzohet drama në portin e Durrësit. Detaje të reja mbi kompaninë fiktive kroate dhe lidhje të mundshme kriminale”. Me këtë titull e përditshmja gjermane “Focus Online” i ka kushtuar vëmendje...

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...