INVESTIGIMI: Krerët e policisë ushtarake serbe të Bosnjës nuk u akuzuan kurrë për vrasjet në Srebrenicë
Pavarësisht dëshmive të të mbijetuarve, dokumenteve zyrtare dhe vendimeve të Tribunalit të Hagës që thonë se tre njësi të policisë ushtarake serbe kanë qenë të përfshira në kapjen e boshnjakëve nga Srebrenica dhe shoqërimin e tyre në vendet e ekzekutimit masiv, komandantët e tyre nuk janë akuzuar kurrë për këtë krim.
Nga Haris Rovcanin
Mevludin Oriç ishte një nga ata me fat. Njëzet e pesë vjet më parë, në korrik 1995, ai u kap nga trupat serbe të Bosnjës nën komandën e Ratko Mlladiç ndërsa largohej nga Srebrenica së bashku me më shumë se 10,000 boshnjakë të tjerë që po përpiqeshin të largoheshin që aty.
Ai dhe disa nga robërit e tjerë u shoqëruan fillimisht në shkollën “Vuk Karadzic” në Bratunac, pastaj në një ndërtesë tjetër shkolle në Orahovac dhe në fund u hipën nëpër kamionë dhe u çuan në një vend aty prapë për t’u ekzekutuar.
Dëshmia e dhënë në Tribunalin e Hagës nga Mevludin Oriç. Burimi: GJPNJ.
Kushëriri i tij Hariz Habiboviç, i cili njihej si Aidi, ishte me të, së bashku me qindra robër të tjerë boshnjakë.
“Aidi thoshte: ‘Do të na vrasin’. I thashë: ‘Jo, s’do të na vrasin.’ Sapo e thashë këtë, filluan të shtënat me armë”, kujton Oriç.
“E ndjeva që më kapi krahun dhe ndjeva që ishte qëlluar. Hoqa dorën e tij. U rrëzova përtokë me fytyrë dhe ai ra sipër meje. U drodh për disa sekonda dhe vdiq”, vazhdoi ai.
“Isha lakuriq nga mesi e sipër, po ashtu edhe Harizi. Gjaku i tij rridhte mbi trupin tim, kështu që ata kujtuan se edhe unë kisha vdekur.”
Pasi ra nata, Oriç arriti të largohej, duke lënë pas tij qindra trupa të pajetë.
Sipas vendimeve në gjyqet në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në Hagë, rreth 1,000 Boshnjakë u vranë në Orahovac më 14 korrik 1995.
Orahovaci ishte një nga disa vende ekzekutimi masiv gjatë gjenocidit të Srebrenicës, në të cilin vendimet gjyqësore kanë përcaktuar se u vranë më shumë se 7,000 burra dhe djem boshnjakë dhe u dëbuan rreth 40,000 gra, fëmijë dhe njerëz të moshuar.
Hartë e Orahovacit që u përdor në Tribunalin e Hagës.
Oriç, i cili tani është 50 vjeç, kujton se pa anëtarët e forcës së policisë ushtarake serbe të Bosnjës gjatë gjithë asaj që përjetoi. Ai tha se policët ushtarakë ishin të përfshirë në kapjen dhe shoqërimin e tij dhe të burgosurve të tjerë, duke i ruajtur ata kur u mbajtën në ndërtesën e shkollës dhe duke i çuar më pas në vendin e ekzekutimit.
Ai tha për BIRN se policët ushtarakë serbë të Bosnjës kishin pistoleta dhe rripa të bardhë “si në kohën e udhëheqësit jugosllav Josip Broz Tito”. Ai shtoi se për shkak se ka shërbyer në Ushtrinë Popullore Jugosllave, “e di shumë mirë se çfarë janë policët ushtarakë”.
Deri më tani, 15 ish-anëtarë të Ushtrisë Serbe të Bosnjës dhe forca policie janë dënuar nga Tribunali i Hagës me katër burgime të përjetshme dhe gjithsej 189 vjet burg për gjenocid dhe krime të tjera në Srebrenicë.
Analiza e BIRN e të gjitha çështjeve të përfunduara dhe provave të Tribunalit të Hagës, përfshirë dëshmitë nga të mbijetuarit dhe ish-policët ushtarak, tregon se anëtarët e Brigadës së Zvornikut të Ushtrisë Serbe të Bosnjës morën pjesë në operacione në Srebrenicë.
Analiza sugjeron se tre komandantë të policisë ushtarake serbe të Bosnjës, Miomir Jasikovaç, Mirko Jankoviç dhe Zoran Maliniç – si dhe 40 individë të tjerë – ishin të përfshirë në mënyrë direkte në procesin e kapjes së boshnjakëve nga Srebrenica, duke i ruajtur ata dhe duke i transportuar në vendet e ekzekutimit, dhe më pas në fshehjen e krimeve. Por asnjë akuzë nuk është ngritur ndonjëherë kundër asnjërit prej tyre.
“Përpjekje për të fshehur” rolin e policisë ushtarake
Shkolla Grbavci në Orahovac. Foto: Arkiva e GJPNJ-së.
Një nga gjykimet më të gjera të Hagës, që dënoi ish-komandantin e Brigadës së Zvornikut, Vinko Pandureviç, dhe gjashtë oficerë të tjerë të rangut të lartë të ushtrisë dhe policisë serbe të Bosnjës, përcaktoi se “anëtarët e policisë ushtarake të Brigadës së Zvornikut ruajtën robërit në ndërtesën e shkollës në Grbavci dhe ndërtesën e shkollës në Rocevic dhe transportuan robërit në vendin e ekzekutimit në Orahovac ”.
Orahovaci ishte vendi ku Mevludin Oric i shpëtoi vdekjes, por rreth 1,000 të tjerë u vranë.
Sipas gjetjeve që eksperti ushtarak amerikan Richard Butler paraqiti para Tribunalit të Hagës, Miomir Jasikovaç ishte komandanti i policisë ushtarake të Brigadës së Zvornikut në korrik 1995. Kjo u konfirmua nga ish-policët ushtarakë që dëshmuan.
Raporti ekspert i Richard Butler. Burimi: GJPNJ.
Butler zbuloi se para agimit të 14 korrikut 1995, autobusë dhe kamionë të ngarkuar me robër boshnjakë filluan të mbërrinin në zonën e kontrolluar nga Brigada e Zvornikut dhe se Skuadra e Policisë Ushtarake e Brigadës së Zvornikut ishte tashmë në ndërtesën e shkollës në Grbavci së bashku me komandantin Jasikovaç.
“Sipas listës së personelit për Togën e Policisë Ushtarake të Brigadës së Zvornikut për 14 korrikun 1995, në Orahovac kishte një detashment të policisë ushtarake. Po ashtu është e qartë se janë bërë disa përpjekje për ta fshehur këtë”, tha Butler.
Shënimet që tregojnë se policia ushtarake ishte në Orahovac ishin fshirë, por kishin mbetur të dukshme në regjistër, shpjegoi Butler.
Prania në Orahovac e policisë ushtarake nën komandën e Jasikovaçit u konfirmua edhe nga ish-anëtarë të njësisë së tij që dëshmuan në Tribunalin e Hagës.
Lista e pjesëmarrësve të Togës së Policisë Ushtarake të Brigadës së Zvornikut për korriku 1995. Burimi: GJPNJ.
Jasikovaç, një kolonel i Ushtrisë Serbe të Bosnjës, nuk është paditur kurrë për rolin e tij në atë që ndodhi në Orahovac. Një burim nga prokuroria shtetërore e Bosnjës, i cili ka njohuri për hetimet e krimeve të luftës, në mënyrë jo zyrtare tha për BIRN se po zhvillohet një hetim ndaj Jasikovaçit, i cili tani është në Serbi.
BIRN siguroi detajet për të kontaktuar një Miomir Jasikovaç në zonën e Indjija të Serbisë dhe telefonoi disa herë për t’i kërkuar një koment në lidhje me këtë. Personi që iu përgjigj në telefon tha se Jasikovaçi ishte kolonel, por se ai nuk ishte aty për momentin.
“Ata nuk bënë asgjë për të na mbrojtur”
Policët ushtarakë nga Brigada e Bratunacit e Ushtrisë Serbe të Bosnjës ishin gjithashtu të përfshirë në operacionin në Srebrenicë, tregon analiza e provave që bëri BIRN.
Mevludin Oriç u kap në afërsi të Konjevic Poljes më 13 korrik 1995, dy ditë pasi la Srebrenica në përpjekjen e tij për t’u arratisur nëpër pyll. Menjëherë pasi u kap dhe para se të shoqërohej në Orahovac, ku i mbijetoi të shtënave me armë, ai pa policë ushtarakë që i thanë atij dhe personave të tjerë që ishin kapur që të prisnin autobusët që do t’i largonin ata që aty.
“Ne hipëm në autobusin e parë. Na sistemuan në ndenjëset e pasme. Tre policë ushtarakë nga Republika Srpska hipën në autobus”, dëshmoi Oriç në Gjykatën e Hagës në 2003.
Autobusi u nis për në Bratunac dhe ndaloi para shkollës “Vuk Karadzic”, ku Oric tha se ushtarët dhe oficerët i thirrën njerëzit me emër dhe i larguan që aty. Tri autobusë kishin ardhur nga Konjevic Polje dhe dy të tjerë ishin gjithashtu të parkuar para ndërtesës së shkollës, shtoi ai.
“Policia ushtarake ishte atje. Ata aprovuan gjithçka, atyre që iu thirrën emrat ose ata që larguan ose ata që dikush prej tyre i njihte, sepse disa serbë i njihnin disa nga robërit boshnjakë”, tha Oriç para Tribunalit të Hagës.
Hartë e Nova Kasabës e përdorur në Tribunalin e Hagës.
“Ata morën shumë njerëz nga dy autobusët e parë. Duke qenë se dritat e autobusit ishin të ndezura, mund ta shihje këtë. Dëgjova britma që kërkonin ndihmë në ndërtesën e shkollës ‘Vuk Karadzic’. Policët ushtarakë i shikonin dhe i dëgjonin të gjitha këto. Ata nuk bënë asgjë për të na mbrojtur, asgjë fare”, tha ai.
Gjykata shtetërore e Bosnjës dënoi Mladen Blagojeviç, një polic ushtarak me Brigadën e Bratunacit, me shtatë vjet burg për qëllimin me armë të robërve që mbaheshin në ndërtesën e shkollës “Vuk Karadzic” përmes një dritareje.
Sipas raportit të ekspertit ushtarak amerikan Butler, rreshteri i lartë Mirko Jankoviç ishte komandant i skuadrës së policisë ushtarake të Brigadës së Bratunacit të Ushtrisë Serbe të Bosnjës. Disa anëtarë të skuadrës e konfirmuan këtë në Tribunalin e Hagës, duke thënë gjithashtu se Mile Petroviç ishte zëvendës i Jankoviçit.
Informacionet e mbledhura nga BIRN nga dy burime të pavarura, të cilat nuk mundën të konfirmoheshin zyrtarisht, sugjerojnë se Jankoviç që atëherë ka vdekur dhe se nuk janë ngritur kurrë akuza kundër Petroviçit.
Petroviç dëshmoi për ekipet e mbrojtjes në Tribunalin e Hagës dhe mohoi të ketë pasur përgjegjësi të komanduese për skuadrën e policisë ushtarake.
Ditari i i oficerit në detyrë të policisë ushtarake të Brigadës së Bratunacit, që përmban shënime të shkruara me dorë të aktiviteteve ditore të njësisë nga fillimi i korrikut 1995, sugjeron në datat 12 dhe 13 korrik skuadra ishte e angazhuar në “garantimin e sigurisë për UNHCR dhe dorëzimin e myslimanëve nga Srebrenica; një pjesë e njësisë garantonte sigurinë për të plagosurit dhe të sëmurët në Qendrën Shëndetësore në Bratunac dhe për kalimin e një kamioni që transportonte refugjatë nga enklava e Srebrenicës”. Ditari tregonte gjithashtu se policia ushtarake e Brigadës së Bratunacit ishte e përfshirë në ruajtjen e Ratko Mlladiçit.
Kopertina e ditarit ditor të policisë ushtarake të Brigadës së Bratunacit. Burimi: GJPNJ.
Momir Nikoliç, ish-ndihmës komandanti për çështjet e sigurisë dhe inteligjencës të Brigadës së Bratunacit, të cilin Tribunali i Hagës e dënoi me 20 vjet burg për krimet e Srebrenicës, tha gjatë dëshmisë së tij se policët ushtarakë nga Bratunaci ishin të përfshirë në ndarjen e burrave boshnjakë nga familjet e tyre në Potocari, afër Srebrenicës.
Disa policë ushtarakë i mohuan akuzat e Nikoliçit. Ditari i oficerit të policisë ushtarake në detyrë të Brigadës së Bratunacit, i cili është përfshirë si provë në pothuajse të gjitha vendimet e gjenocidit të Srebrenicës, tregon se natën e 14-15 korrikut 1995 “policia ishte caktuar të shoqëronte refugjatët myslimanë (robërit boshnjakë nga Srebrenica)”.
I burgosuri vritet “para Ratko Mlladiçit”
Pjesë bisede telefonike e kreut të sigurisë të Ushtrisë Serbe të Bosnjes Ljubisa Beara e datës 13 korrik 1995. Burimi: GJPNJ.
Përveç policisë ushtarake të Brigadës së Zvornikut dhe asaj të Bratunacit, Butler përmendi gjithashtu Regjimentin e 65-të të Mbrojtjes së shtabit kryesor të Ushtrisë Serbe të Bosnjës në raportin e tij. Sipas gjetjeve të Butler, batalioni policor ushtarak i Regjimentit të 65-të të Mbrojtjes komandohej nga majori Zoran Maliniç, i cili në korrik 1995 u vendos në Nova Kasaba, ku u kapën më shumë boshnjakë që ishin larguar nga Srebrenica.
“Kjo njësi mori pjesë në mbledhjen dhe ndalimin e robërve myslimanë në afërsi të Nova Kasabas”, tregon raporti i Butler.
Një dëshmitar i mbrojtur në Tribunalin e Hagës, i koduar PË-016, tha se ai u kap në Nova Kasaba më 13 korrik 1995 dhe u fut në një kasolle për ca kohë para se të dërgohej në një fushë futbolli.
“Rreth 1,500 ose 2,000 njerëz ishin të ulur në radhë ne fushën e rrethuar nga ushtarë serbë. Ushtarët rrethuan fushën, duke qëndruar në një distancë prej më pak se një metër nga njëri-tjetri”, tha PË-016, duke shtuar se Ratko Mlladiç mbërriti në fushën e futbollit në Nova Kasaba më vonë dhe u tha atyre se ata do të ishin pjesë e një shkëmbimi të burgosurish.
“Në atë moment një rob u ngrit në këmbë”, vazhdoi PË-016. “Ushtarët serbë iu afruan, e goditën me shkelm dhe me qytën e pushkës. Pas kësaj një ushtar serb nxori armën e tij dhe e vrau. Pas kësaj e hodhën atë midis të tjerëve. Mlladiç ishte atje dhe nuk reagoi.”
Duke dëshmuar në Tribunal, shefi i batalionit të policisë ushtarake të Regjimentit të 65-të të Mbrojtjes, Maliniç, tha se, sipas gjetjeve të tij, robërit nuk u abuzuan, por u desh të qëndronin ulur në tokë dhe iu dha vetëm ujë dhe bukë. Ai shtoi se kishte dëgjuar se kishte pasur një vrasje në fushën e futbollit në Nova Kasaba “kur një rob sulmoi një ushtar i cili ishte anëtar i policisë ushtarake të batalionit”.
“Ai ishte i vetmi person që humbi jetën, por kjo nuk ndodhi për ndonjë kapriço të dikujt. Ishte vetëmbrojtje”, këmbënguli Maliniç.
Prokuroria shtetërore e Bosnjës ka konfirmuar jozyrtarisht se po zhvillohet një hetim për Maliniçin, por se ai nuk është në vend. BIRN nuk ka qenë në gjendje të sigurojë detaje për ta kontaktuar atë.
Mevludin Oriç tha se gjetja dhe ndjekja penale e komandantëve që ishin përgjegjës për atë që ndodhi me boshnjakët e ndaluar nga Srebrenica, si dhe autorët e drejtpërdrejtë që qëlluan robërit, do t’i sillte sadopak kënaqësi.
“Gjetja e personave përgjegjës dhe nxjerrja e tyre para drejtësisë do të nënkuptonte shumë dhe jo vetëm për mua, por edhe për ata që u vranë dhe të gjithë të mbijetuarit”, tha Oriç.
“Kanë kaluar njëzetë e pesë vjet. Do të kalojnë edhe pesëdhjetë të tjera, por numri i njerëzve që u vranë nuk do të harrohet kurrë.”
Të dyshuarit e Srebrenicës i shmangen gjyqit në Serbi
Prokuroria shtetërore e Bosnjës ka ngritur aktakuza ku akuzohen më shumë gjashtë persona për përfshirje në gjenocidin e Srebrenicës, por ata nuk kanë dalë në gjyq sepse jetojnë në Serbi.
Radoslav Jankoviç, ish-oficer i inteligjencës me Seksionin e Inteligjencës dhe Çështjeve të Sigurisë në selinë kryesore të Ushtrisë Serbe të Bosnjës, është akuzuar për asistim dhe mbështetje të shfarosjes së pjesshme të popullatës boshnjake nga zona e Srebrenicës përmes veprimeve të tij dhe mos veprim në periudhën nga 11 korriku deri më 19 korrik 1995.
Jankoviç akuzohet, ndër të tjera, për urdhërimin e policëve ushtarakë nga Brigada e Bratunacit e Ushtrisë Serbe të Bosnjës për sjelljen e civilëve nga zona përreth Potocarit që më për transportin, organizimin e përgatitjes së listave të grave, fëmijëve dhe burrave që ishin hipur në kamionë dhe autobusë, dhe shoqërimin e tre autobusëve me të kapur drejt Orahovacit, duke e ditur që ata do të vriteshin.
Svetozar Kosoriç, ish-shefi i Seksionit të Inteligjencës të Korpusit Drina të Ushtrisë Serbe të Bosnjës, është akuzuar për gjenocid dhe asistim të pjesëmarrësve në një sipërmarrje të përbashkët kriminale.
Aktakuza pretendon se Kosoriç gjeti vendet për ndalimin e përkohshëm dhe ekzekutimin e burrave të moshës nga 16 deri 60 vjeç, dhe mori pjesë në organizimin e transportimit të grave dhe fëmijëve që ishin dëbuar nga zona e Srebrenicës në territorin e kontrolluar nga Ushtria Boshnjake.
Tomislav Kovaç, ish zv/ministër dhe ministër i brendshëm i Republikës Srpska, akuzohet se ishte në kontroll të njësive policore që morën pjesë në kapjen e burrave dhe djemve boshnjakë, duke i ndaluar ata me forcë dhe duke i transportuar drejt ekzekutimeve masive në disa lokacione, përfshirë Kravica, Cerska, Qendra Kulturore në Pilica, ferma Branjevo, Sandici dhe Konjevic Polje.
Milisav Gavriç, ish zv/komandanti i rajonit të policisë në Srebrenicë, akuzohet se ndihmoi në transportimin me forcë të disa mijëra civilëve boshnjakë, duke marrë pjesë në ndarjen e burrave nga të tjerët dhe më pas duke i larguar ata që aty, pas të cilës ata u zhdukën pa lënë gjurmë.
Borislav Stojisiç dhe Rajko Drakuliç, të cilët ishin të dy policë ushtarakë me Brigadën e Vlasenicës të Ushtrisë Serbe të Bosnjës, akuzohen për ndalimin e automjeteve që transportonin civilë boshnjakë nga Srebrenica në Kladanj në fshatin Luke dhe marrjen e parave dhe sendeve të tyre prej floriri, dhe gjithashtu për ndarjen me dhunë të burrave dhe grave të reja nga pasagjerët e tjerë.