Gazeta “Zëri i Ballit Kombëtar”, e nëntor-dhjetor 1957 boton ndër të tjera një shkrim të një të arratisuri me emrin Ismail Çeprati, ish i burgosur politik, i arratisur në vitin 1957. Gazeta porosite që shqiptarët e ikur me kohë nga Shqipëria, të tunduar nga propaganda komuniste (që gazeta i quan “pallavra komuniste”), bënin mirë ta lexonin këtë shkrim në mënyrë që të kuptonin gjendjen në Shqipëri. Në këtë shkrim përmendet edhe ish komandanti i burgjeve të ndryshme, Vangjel Rrëmbeci.
Rrëfimi i Ismail Çepratit
Mbasi shpëtova nga të gjitha vuajtjet e shkaktuara prej terrorit, po shpejtohem t’ju shkruaj disa rreshta për to që të mundni të ndriçoni mendimin e bashkatdhetarëve të lirë mbi mjerimet e popullit shqiptar të robëruar. Në vitin 1944 u arrestova me gjithë vëllezërit e mi dhe dolën para të ashtuquajturës “gjykatë popullore”. Më 1946 na shpunë në burgun e Burrelit, i mbiquajtur nga komunistët si “burgu i vdekjes”. Atje gjetëm një nga kriminelët më të mëdhenj të popullit shqiptar, toger Vangjel Rrëmbecin. Ky filloi t’i zhdukë të burgosurit me radhë. Po ju shënoj disa emra:
-Në vitin 1947 erdhi Vangjel Rrëmbeci në burg dhe i tha Koço Kottës të vinte me të se kishte pak punë. E mbylli në një birucë ku pas torturimeve të tmerrshme gjatë 23 ditëve, i burgosuri vdiq me lebeti.
-Pas Koço Kotës, radha i erdhi Qemal Vrionit. Edhe ky pas ca ditësh u zhduk nëpër biruca.
-Me të mbarua ky i dyti, u thirr prej toger Vangjelit Mihal Belkamenji, i cili pas pak ditësh pati fatin e të parëve.
-Si vdiq Mihali, thirri Atif Goljen.
Të shkruaj për të gjithë emrat e martirëve që mbaruan në duart e toger Vangjelit në birucë do të duheshin volume. Pas ca kohësh u ndërrua taktika se ashtu si e kishin filluar, me torturime të gjata, shfarosja nuk mund të bëhej e shpejtë. Për t’ia arritur qëllimit që të zhdukeshin të burgosurit me shumicë, e jo një nga një, na prenë bukën e nuk lejonin as fëmijët që të na sillnin ushqim. Por edhe sikur t’i linin të lirë nuk kishin çfarë na sillnin. Në vitin 1948 filloi vdekja me shumicë në burgun e Burrelit nga të pangrënët e torturimet. Më e pakta, një ose dy veta në ditë vdisnin. Valonte druri pa reshtur. Në ato kohë burgu kishte tre regjime të kryesuar nga tre policë: Asllan Panariti nga Këlcyra, Qirko Mariana nga Fieri dhe Fahri Dragozhdi nga Pogradeci. Nga këta kriminelë, njëri më i keq se tjetri, të burgosurit hiqnin të zezën e ullirit. Këta shpeshherë jepnin urdhra të kundërta dhe kur zemëroheshin me njëri-tjetrin inatin e nxirrnin mbi të burgosurit e shkretë, duke u bërë mundime e torturime të parrëfyeshme. Kështu vdiqën Hambi Gosa dhe Rasim Bozhigradi e shumë të tjerë.
Një tjetër mënyrë e torturimit dhe e shfarosjes në burgun e Burrelit, ishte kur sëmurej njëri nga të burgosurit. Këtë e mbyllnin me një të shëndoshë në birucë. Ky i fundit mbyllej me të dënuarin që t’i hante ushqimin.Kur ishte Sefedin Dine i sëmurë e kam dëgjuar vetë Vangjelin kur i tha Birçe Kamberit: “shumë e mbodhise këtë”. Ai iu përgjigj: “ky iku, por sill një tjetër”. Një të vdekur e mbanin tre ditë në birucë me qëllim që t’i hanin ushqimin. Komunistët nuk kënaqeshin kur na shtypnin ne burrat në Burrel, sollën atje motrat tona, gra dhe vajza si Musine Kokalari, Erifili Bezhani e shumë të tjera. Edhe për këto kishin mënyrat e torturimit të tyre. Një pjesë vazhdon edhe sot të mbahet në Burrel. Më 11.2.1952 më sollën në Tiranë, ku gjeta të tjerë shokë të mi të burgut. Këta më vunë në dijeni të veprave çnjerëzore të Manxhar Shimës nga Delvina e të dy shokëve të tij, njëri quhej Ferit Ukati, që kishin qenë shefa të rajoneve të Tiranës.
Manxhar Shima si toger i Sigurimit me kompetenca pa kufi, për të kënaqur epshet e tij shtazore, në mbrëmje shkoi në shtëpinë e një ballisti me xhips dhe mori një vajzë duke i thënë se të kërkojnë në Sigurim. Vajza e detyruar shkoi me të. Por Manxhari në vend që ta shpinte në zyrën e Sigurimit, e nxori jashtë Tiranës ku e mbajti deri një orë afër mëngjesit dhe e shpuri prapë në shtëpi të sajë. Të nesërmen vajza shkoi te Mehmet Shehu dhe i tregoi ngjarjen. Mehmeti këtë rast mbeti ngushtë dhe urdhëroi arrestimin dhe dënimin me vdekje të fajtorit. Megjithëkëtë, njeriut që kishte prekur nderin e një vajze shqiptare iu fal jeta dhe nuk kaloi shumë kohë iu fal edhe dënimi. Sot ndodhet në ministri në pozitë shumë më të lartë se ajo që kish më parë.
E njëjta gjë ngjan edhe me Feritin e shokët e tij, kur në maj 1951 u dënuan me dënime me vdekje për imoralitete shumë të rënda, por në shkurtin e vitit 1952 u liruan me vendim të posaçëm.Më 20 qershor 1952 u dërgova në Vlorë me 25 shokë të tjerë si murator. Edhe sot e zotëroj këtë mjeshtri që u shtr4ëngova ta mësoj ahere. Në Vlorë kemi punuar 20 muaj pa reshur. Kemi bërë atje një burg ku të futet i tërë populli i Vlorës me të mëdhenj e të vegjël e prapë nuk mbushet. Në këtë godinë kam ndërtuar me duart e mia 18 biruca që janë varre për të gjallët. Kanë nga një derë e nga një dritare shumë të vogël në tarracë, jo për dritë por vetëm për pak ajër, se edhe ato kanë nga një pllakë çimentoje përsipër. Burgu i Vlorës kishte një xhelat tjetër të quajtur toger Naun Tiko. Në këtë burg ishte një vajzë balliste, Raile Luzaj. Kjo vajzë është idealiste, guximtare, e zgjuar, me moral të lartë, e pajisur me të gjitha cilësitë që mund të ketë një vajzë e rrallë shqiptare që i bënte nder Ballit Kombëtar. Kjo vajzë arrestohet dhe torturohej në mënyrë të veçantë nga togeri kriminel.
Një grup prej 30 a 35 vajza ishin të dënuara të punonin me ne, midis tyre dhe Raileja. Një ditë dëgjova Naumin kur i tha një vajze të quajtur Afet Dervishi, partizane e vitit 1942 dhe Bule Ramizit që kish miqësi me të, që ta rrihnin Railen e të mos druheshin aspak, se nuk u bëhej gjë. Afet Dervishi ishte dënuar për vjedhje. Raileja e kuptoi vetë këtë komplot, por unë ia thashë. Pas pak ditësh Railen e shkretë e rrahën tepër rëndë shoqet e saj ish partizane të shtytura nga togeri. Nuk mjaftoi rrahja, por togeri, Railenë e mbylli në birucë, e mbajti 4 ditë pa bukë e pa ujë.
Si mbaruam godinën e burgut të tmerrshëm të Vlorës na shpunë prapë në Tiranë më 7.1.1954. Në atë pranverë një grup të burgosurish, duke mos duruar dot torturimet hapën burgun të shpëtojnë. Mjerisht u kapën dhe iu referuan gjykatës. Isuf Velçani, Zyhdi Mancaku dhe dy të tjerë u dënuan me vdekje përsëri dhe u pushkatuan. Të tjerët u dënuan me burgim të përjetshëm. Tragjedia nëpër burgjet e Shqipërisë vazhdon. Më 21 shtator 1954 u lirova nga burgu dhe u internova në Lushnje. Më 7 korrik 1957 e lashë fatzinë atdhenë tim dhe ardhsh këtu.
Nëntor 1957
Kampi Lavrion Greqi.