1947/Artikulli i zhdukur i Enver Hoxhës: Ç’ka bërë Titoja për LANÇ-in tonë

Premte, 23 October 2020 15:53

Në qershor 1948 disa nëpunës të caktuar nga Komiteti Qendror i PKSH-së, nxituan të grumbullonin dhe të ndalonin revistën “Shqipëri – Jugosllavi”, edhe pse në numrin e parë të saj kishte një goxha artikull të madh, vetë “komandanti i lavdishëm” Enver Hoxha. Kishin dalë gjithsej 5 numra të kësaj reviste në vitet 1947 dhe 1948, por veçanërisht, numri i parë u zhduk edhe nga Biblioteka Kombëtare sepse kishte artikullin e komandantit. Historia e këtij artikulli kishte filluar më 12 maj 1947, në kohën kur Enver Hoxha me anë të Savo Zllatiçit, dërgon artikullin për revistën “Shqipëri – Jugosllavi” dhe homologen e saj që botohej në Beograd nga Radovan Zogoviç. Artikullin për inat të atyre që duan një histori të fshehur kemi mundur ta gjejmë në Arkivin e Komitetit Qendror të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë.

***

Ç'kuptim ka dhe ç’ka bërë direkt ose për LNÇ shqiptare, Titoja, si dhe kuptimi i sotshëm në rindërtimin dhe mbrojtjen e independencës shqiptare

Nga Enver Hoxha

Populli shqiptar nuk është popull prej origjine sllave, por një studim serioz i historisë së tij tregon në mënyrë të padiskueshme se, afinitete të mëdha e lidhin me sllavët e jugut. Pozita gjeografike dhe ekonomike. Natyra e vendit tonë me traditat dhe zakonet e veta, shpirti liridashës dhe përparimtar, bujaria, karakteri luftarak dhe burrëror i popullit shqiptar janë aq të ngjashëm me të popujve jugosllavë, sa që i shpjegojnë qartë prirjet e popullit tonë për një vëllazërim dhe bashkëpunim sa më të ngushtë me jugosllavët. Kundër këtyre prirjeve të natyrshme të të dy popujve, punuan me zellin më të madh shovinistët e të dy vendeve tona dhe imperialistët shtypës dhe skllavëronjës. Por populli shqiptar dhe popujt e Jugosllavisë u rezistuan heroikisht valëve të tërbuara të invadorëve dhe agjentëve të tyre shqiptaro-jugosllave, popujt tanë mbajtën gjallë e të pavdekshme ndjenjën e rezistencës më të ashpër që mund të kenë treguar popujt e vegjël, që kërcënoheshin në ekzistencën e tyre si popuj dhe si kombe. Për të fituar lirinë dhe pavarësinë populli shqiptar dhe popujt e Jugosllavisë me shpirt dhe me zemër, ishin te lidhur kundër të njëjtëve armiq, turq, austro-hungareze, italiane, gjermane, etj. Në mes intrigave të panumërta dhe të shumëllojshme të armiqve të vendeve tona, shquante dhe qëndronte e fortë hallka që lidhte ndjenjat dhe aspiratat e popujve, shqiptar dhe jugosllav: lufta për liri, kundër të njëjtëve armiq. Ndër betejat e lashta kundër turqve, gjaku i njerëzve të Shqipërisë dhe të Jugosllavisë është përzier për të mbrojtur një ideal, të cilin e këndojnë këngët tona popullore, me aq zjarr dhe krenari, sikundër që ishte lufta heroike e popujve tanë. Këto hallka të shëndosha që lidhin të dy popujt tanë, nuk mund t'i këpuste as shpata e shtypësve tanë, as intrigat e imperialistëve, as vjershat e poetit të imperializmit dhe agjentit italian, shovinistit At Gjergj Fishtës dhe as shkrimet e serbomadhit Vlladan Georgeoviçit. Ndjenjat e vëllazërimit dhe të bashkëpunimit të popullit tonë dhe të popujve të Jugosllavisë, ishin diçka tjetër më e lartë, ishte vullneti i popujve tanë të pathyeshëm, që kapërcyen çdo pengesë për të realizuar aspiratat e tyre shekullore të çlirimit te vendeve të tyre nga armiqtë e jashtëm dhe të brendshëm dhe për të vendosur të tilla marrëdhënie miqësore dhe bashkëpunimi, sikundër ekzistojnë sot në mes dy popujve tanë. Një gjë e tillë nuk mund të realizohej pa Luftën e madhe NÇ të të dy vendeve, kundër të njëjtit armik, fashizmit dhe kundër të njëjtëve armiq të brendshëm, vegla të përhershme të okupatorëve dhe armiq të betuar të popujve tanë.

Malazezi Miladin Popoviç ishte nga ata studentë përparimtare të Universitetit të Beogradit që demonstruan nëpër rrugë dhe kërkuan armë për të ardhur në Shqipëri, të luftonin krah për krah me popullin shqiptar, që në ditët e para të invazionit tonë. Ai u hodh në luftë që në fillim të Luftës NÇ Jugosllave, ai ishte një djalë i vendosur deri në vdekje për çlirimin e atdheut të tij. Atë që Miladin Popoviçi e kërkonte në demonstratën e Beogradit, rrethanat dhe peripecitë e luftës ia realizuan. I internuar prej fashistëve italiane në kampet e përqendrimit në Shqipëri, i çliruar nga gueriljet tona, ai e lidhi fatin e tij me luftën e popullit vëlla shqiptar dhe luftoi për Shqipëri, deri në vdekje. Miladin Popoviçi, "Hero i Popullit" jugosllav personifikon si duhet vëllazërimin e popujve tanë në luftë dhe në paqe, ai është i lidhur me luftën tonë, ashtu siç është i lidhur Qemal Stafa dhe Asim Zeneli me gjithë shokët e tyre.

Miladin Popoviçi me foli për herë të parë për Josif Brozin, udhëheqësin e lavdishëm të Luftës Nacionalçlirimtare të Jugosllavisë për të, Josif Brozi personifikonte heroizmin, mençurinë, zotësinë luftarake, personifikonte fitoren e popujve të Jugosllavisë. Shërbimet e informacionit tonë partizan rrëmbyen një urdhër të Gestapos që i jepte shërbimit te SIMI-t italian dhe ku thuhej tekstualisht: "Të ruhen rrugët, postblloqet, të bëhen perkuizicione në të katër anët e Shqipërisë, pse revolucionari i madh jugosllav Josif Broz Tito, mund të ndodhet në Shqipëri. Koka e tij të vihet në çmim". Ngjitur fotografia dhe sinjalementi (përshkrimi i fotos – shënim) i Titos. Frika e armikut ishte e dukshme. Titoja që personifikonte dhe udhëhiqte luftën e partizanëve jugosllavë, tmerronte Gestapon dhe SIMI-n, këta e shihnin Titon kudo në Ballkan dhe kokën e tij e kishin vënë në çmim. Por agjentet e SIMI-t dhe të Gestapos mund të lodheshin më kot së kërkuari Titon në Shqipëri. Titoja s'ishte as në malet, as në qytetet e Shqipërisë, por ai ishte në zemrën e luftëtarëve të Shqipërisë dhe atje ishte zor i madh ta gjente dhe ta çrrënjoste SIM-i dhe Gestapoja. Emri i Titos mori dhenë në të katër anët e Shqipërisë, për të fliste me admirim populli shqiptar. Për ne, emri i Titos u konfondua me atë të popujve të Jugosllavisë, me atë të Ushtrisë heroike Nacionalçlirimtare të Jugosllave. Te Titoja ne shihnim mikun e madh të popullit shqiptar në luftë dhe në paqe, ashtu si shihnim në popujt e Jugosllavisë miqtë dhe vëllezërit e popullit tonë...Në momentet më të rënda të luftërave tona nacionalçlirimtare, partizanët jugosllave flisnin me njeri-tjetrin për luftën e popullit të vogël vëlla shqiptar. Partizanët tanë mburreshin me partizanët e Titos...Më kot, kuislingët dhe shovinistët shqiptare u përpoqën të errësonin këtë vëllazërim me popujt e Jugosllavisë. Ata përdorën parullat e vjetra të përçarjes, duke i stërholluar me metodat e Gebelsit dhe të Musolinit. Shovinistët dhe shqiptaromëdhenjtë, më kot përdorën demagogjinë e tyre. Përralla e Oso Kukës s'pinte më ujë. Në Shkodër e në liqen, atje ku përzihen ujërat e Shqipërisë dhe të Malit te Zi, ashtu sikundër përzihen dhe ndjenjat më të pastra të popujve tanë, u shkrua me gjakun e kulluar të malazezëve Vaso Strugar, Filip Popoviçit dhe të shqiptarit Vasil Shanto, epopeja e përbashkët nga më të lavdishme e historisë së vendeve tona, epopeja e madhe e çlirimit. Populli shqiptar do ta ruaje kujtimin e pavdekshëm të patriotëve malazeze që kanë për Shqipërinë dhe njëkohësisht, për kauzën e atdheut të tyre, Miladin Popoviçit, Vaso Strugarit, Filip Popoviçit.

Në male, na erdhi letra e parë e Titos, ku ai përshëndeste nga zemra popullin shqiptar që po luftonte për liri. Letrën e çmueshme të Titos, ku ky na tregonte luftën heroike të popujve të tij, ku na shfaqte besimin e patundur në fitoren e madhe mbi fashizmin, na i solli duke kaluar rreziqet më të mëdha, shoku i luftës i Titos, Blazho Jovanoviçi. Atëherë i realizuam si duhej përpjekjet e mëdha të popujve të Jugosllavisë. Eksperienca e luftës partizane në Jugosllavi ishte një thesar i çmueshëm për ne. Letra e Titos shënon një datë historike në historinë e popullit tonë, pse eksperiencën e luftës partizane në Jugosllavi e shihnin tash më konkretisht dhe kjo na shërbeu pa masë në luftën tonë. Dhe kur nga peripecitë e luftës sonë të ashpër kundër fashizmit priteshin muaj dhe vjet me radhë, lidhjet tona me partizanët jugosllavë, zëri i radios "Jugosllavia e Lire" na sillte në malet tona të çliruara, erën e freskët të maleve kreshnike të Jugosllavisë, ku luftonin me heroizmin e papërshkueshëm partizanët jugosllavë të Josif Broz Titos.

I madh dhe i vogël e njeh Titon në Shqipëri, se ai përfaqëson popujt heroike të Jugosllavisë, i madh e i vogël e do Titon në Shqipëri, pse ai përfaqëson luftën e lavdishme të popujve vëllezër jugosllave, pse ai ka qenë zemra dhe koka e saj, pse ai i mësoi, i edukoi popujt e Jugosllavisë të rrojnë të bashkuar dhe të vëllazëruar me njeri-tjetrin, pse ai i bëri luftëtarë të lirisë dhe të demokracisë, se ai i mësoi të duan popujt e tjerë si veten e tyre dhe në radhë të parë, popullin e vogël shqiptar, të cilin e ndihmuan dhe e përkrahen si në kohën e luftës, ashtu dhe tash në kohën e paqes...

Titoja dhe Jugosllavia e re, vepra e pavdekshme e Mareshalit Tito ishte për ne pasqyra dhe shembulli më i afërt e gjenialitetit të këtij njeriu të madh të popujve të Jugosllavisë, ishte dhe një mbështetje dhe ndihmë e çmueshme. Masat e gjera të popullit tonë nuk e shihnin dhe nuk mund ta kuptonin independencën, lirinë, përparimin, rindërtimin e vendit e tyre, të shkëputur nga ajo e Jugosllavisë. Një populli i vogël si i yni, nuk mund të rrojë dhe të ndërtojë një jete të lumtur, pa miqësi dhe përkrahjen e popujve të Jugosllavisë.

Me anën e popullit shqiptar, që në ditën e parë të çlirimit, Mareshali Tito u ndodh përkrah dhe ndihmoi popullin tonë me gjithë zemër, me të gjitha forcat e tij. Ai njohu qeverinë demokratike të Shqipërisë, ai dërgoi ambasadorin e vet i pari në Tiranë, ai e ndihmoi me shpejtësi popullin tonë që në ditët e para te çlirimit. Titoja e dinte sa vuajtje kishte në vendin e tij, por ai e ndau kafshatën e gojës së popullit të tij me popullin e vogël shqiptar, Titos i dhimbsej populli ynë. Emri i Titos dhe i popujve të Jugosllavisë janë të lidhur ngushtë me mbrojtjen e 1irisë dhe të independencës së vendit tonë të kërcënuar nga neofashistet greke dhe përkrahësit e tyre. Qeveritë angleze dhe amerikane e kanë shikuar me sy të keq që në ditët e para, ngritjen e demokracisë së re në Shqipëri dhe janë përpjekur me çdo mënyrë ta pengojnë popullin tonë, në rrugën e drejtë që kish caktuar dhe ku ai ecën me vendosmërinë më të madhe.

Kudo ku ishte për të mbrojtur interesat e popullit tonë, shokët e Titos kanë luftuar me vendosmërinë më të madhe për popullin tonë. Kardeli dhe Mosha Pijade, me rekuizitorët e tyre demaskuan çdo orvatje të monarko-fashistëve grekë dhe përkrahësve të tyre. "Shqipëria është aleatja jonë, -tha Mosha Pijade në Konferencën e Parisit, -dhe ne jemi të vendosur t'i mbajmë detyrimet që kemi karshi aleates sonë deri në fund". Kështu e kupton Titoja aleancën me popullin shqiptar dhe populli shqiptar, këtij miku të madh të tij i përgjigjet po në atë mënyre. Miqësia dhe aleanca jonë mbrohet dhe me sakrificën e fundit dhe me këtë mënyrë, ne jo vetëm që mbrojmë interesat dhe ekzistencën e vendeve tona, por mbrojmë njëkohësisht, paqen në Ballkan dhe në botë. Aleanca jonë me Jugosllavinë nuk u përngjet aleancave të zakonshme që firmosen prej diplomatëve dhe shlyhen sipas interesave të atyre njerëzve ose klikave që shtypin popujt, por aleanca jonë është shprehja më e gjallë e aspiratave të dy popujve tanë, të cilët luftuan së bashku, punuan së bashku për të arritur në këtë rrugë.

Ashtu sikundër marrëveshja e bashkëpunimit dhe e ndihmës reciproke që ekziston në mes të dy vendeve tona është një garanci për independencën dhe lirinë e vendit tonë, marrëveshjet ekonomike që ekzistojnë në mes nesh, e kompletojnë këtë aleancë dhe e bëjnë të pathyeshme. Zhdukja e barrierave doganore, unifikimi i planeve të shteteve tona dhe ndihma konkrete që qeveria jugosllave po i jep vendit tonë për t'u mëkëmbur, për t'u rindërtuar, janë bazat e shëndosha dhe siguria e një jete më të mirë për vendin tonë. Ata që s' ia duan të mirën popullit tonë shpifin gjëra të paqena dhe vjellin vrer, duke thënë se “Shqipëria e vogël humbi independencën dhe pavarësinë e saj, duke u lidhur ngushtë me popujt e Jugosllavisë”. Po Shqipëria, përkundrazi e siguroi dhe e forcoi independencën dhe pavarësinë e saj, duke u lidhur ngushtë me Jugosllavinë e re. Në bashkëpunimin e ngushtë dhe në vëllazërimin kaq të sinqertë në mes dy popujve paqedashës, përparimtarë dhe fqinj, në mes dy popujve që kanë marrë fuqinë në duart e veta dhe kanë vendosur në vendet e tyre demokracinë më të shëndoshë dhe më përparimtare, atje gjendet kuptimi më i lartë i respektit të të drejtave të njeri-tjetrit, atje merr kuptimin e vërtetë respekti i independencës, i lirisë dhe i sovranitetit të popujve. Dora që i është nderur kaq sinqerisht popullit shqiptar është dora e Titos, hero i popujve të Jugosllavisë, ndërtues i madh i Jugosllavisë së re. Këtë e di dhe e çmon populli ynë dhe brohorit me gjithë zemër për Titon. Kam dëgjuar te rrahurat e zemrës të popullit shqiptar për Titon, kam dëgjuar gjithashtu ato të popujve të Jugosllavisë, për udhëheqësin e tyre të madh, me rastin e udhëtimit tim në Jugosllavi dhe mund të them se ato shkojnë paralel. Me rastin e udhëtimit tim në Beograd, Titoja më priti si shok lufte, si vëlla, ai më foli me zjarr dhe me dashuri për popullin tim. Shprehjet e tij për popullin shqiptar ishin të njëllojta me ndjenjat e mëmave të dëshmorëve jugosllavë, që më ndalonin dhe më flisnin për vendin tim me atë kujdes, me atë dhembshuri, sikundër flisnin për vendin e tyre. E ardhmja e popujve tanë është e siguruar dhe do ta ndërtojmë me mundim dhe me djersën tonë dhe kjo është e sigurt, pse ekzistojnë të tilla marrëdhënie në mes popujve tanë. Të dy popujt tanë po ecin në rrugën që ata i kanë caktuar vetes dhe që është rruga e bashkëpunimit sa më të ngushtë dhe s 'ka forcë që ta pengojë një zhvillim të tillë, shpëtimtar për vendet tona dhe paqësor për të gjithë botën.

Modifikuar më Premte, 23 October 2020 15:59
Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...