Të burgosurit shqiptarë në Prishtinë të vrarë nga gjermanët mund të shpëtoheshin

Premte, 20 November 2020 19:13
Josef Fitzthum (1896-1945) Josef Fitzthum (1896-1945)

Nga Kastriot Dervishi

104 të burgosurit shqiptarë që mbaheshin nga gjermanët në Prishtinë mund të ishin shpëtuar. Mjaftonte puna e palodhur e Petraq Pekmezit, pak intuitë dhe ata do ktheheshin të gjithë në shtëpi. Politika është shpeshherë Pazar ku duhet të tregohet i shkathët për të përfituar. Historia bëhet interesante kur në Kukës 5.9.1944, në përpjekje për të dalë ikur nga Shqipëria, partizanët arrestuan gratë gjermane Elsa Koch, Irmgrand Tennius dhe Erna Schubert. E para ishte e dashura e gjeneralit Josef Fitzthum (1896-1945). Dobësia e gjermanit për të dashurën dhe shoqet e saj ishin një rast i mirë për të bërë shkëmbime robërish. Partizanëve u erdhi në dorë një rast i vyer për të bërë shkëmbime të çmuara.

Më 18.11.1982, veterani Xhemal Meçe, jep një dëshmi rreth atyre që mbante mend që lidheshin me këtë bisedimet me gjermanët dhe fundit të jetës së Petraq Pekmezit. Xhemal Meçe, prej dhjetorit 1943 ishte zhvendosur nga Batalioni “Hakmarrje” në Tiranë në qarkorin e PKSH-së së Tiranës. Trajan Pekmezi (më vonë dëshmor) i kish thënë se vëllai i tij Petraqi punonte për lëvizjen. I arrestuar në maji 1944, Meçe prej 20 gushtit 1944 gjendej në kampin e Prishtinës që mbahej nga nazistët. Më tej ai rrëfen bisedën me Petraq Pekmezin në shtator 1944 në lidhje me shkëmbimet e robërve. Gjenerali gjerman Fitzthum i kërkoi Petraqit ndërmjetësim me partizanët për lirimin e tre grave gjermane. Petraqi pasi i tha se ishte e pamundur kërkoi lirimin e Xhemalit që mbahej i arrestuar, si dhe disa të tjerëve, në mënyrë që me këta të niste përpjekjet për gjetjen e grave. Fitzthum ia miratoi kërkesën. Pasi Petraqi nxori Xhemalin nga kampi, të dy shkuan në Prizren. Aty nga komanda e Gestapos, Petraqi me telefon i kërkoi Fitzthumit lirimin e 20-25 të burgosurve të tjerë. Gjenerali pranoi, por jo më shumë se 4 veta. Xhemali dha emrat e Qazim Vaqarrit, Zeqir Likës dhe Pjetër Dedës të cilët u liruan. Të katërtin e caktoi Petraqi, një tiranas me emrin Ibrahim. Pas kësaj Petraqi me shoferin Riza Doçi (daja i Zeqir Likës) u nisën prapë për në Prishtinë për të siguruar lejet. U rikthyen po atë ditë në Prizren. Petraqi liroi edhe një korçar dhe mori ata që kish siguruar më parë. Të gjithë u nisën në Shkodër e më pas në Tiranë. Xhemali u paraqit te Hysni Kapo për t’i kërkuar ndërmjetësinë për lirimin e 3 grave gjermane, sipas marrëveshjes që kishin bërë. Ky ka komunikuar me Enver Hoxha dhe i ka thënë se do t’i kthente përgjigje. Pas 3 ditësh, Petraqi dhe Xhemali shkruan për të takuar gjeneralin Fitzthum në Tiranë, me kushtet e dhëna nga Hysni Kapo. Këtu partizanët nuk iu përmbajtën një marrëveshjeje unike, por e ndryshuan atë. Fillimisht kërkuan lirimin e të burgosurve të Prishtinës dhe Tomor Sinanit nga Elbasani arrestuar një vit më parë. Shkëmbimi të bëhej në Tiranë. Gjenerali gjerman pranoi kushtet, por tha se Tomor Sinani ishte pushkatuar dhe kjo pikë e marrëveshjes nuk mund të zbatohej. Për lirimin e të internuarve në Prishtinë nuk merrte përsipër transportin e tyre. Pasi kjo pikë u pranua nga Xhemali se transportin do ta bënin vetë, gjenerali ra dakord. Njëkohësisht u vunë në dijeni familjet e të internuarve. Duke mos qëndruar në këtë marrëveshje, partizanëve iu erdhi një urdhër i ri. Më 30.9.1944 Enver Hoxha kërkoi i telegrafoi drejtuesve të Shtabit të Korparmatës së 1-rë, komandantit Dali Ndreu dhe komisarit Hysni Kapo: “Të insistojmë që të lirojmë gjeneralin anglez Devis që e kanë zënë në muajin kallnuer të këtij viti, të luajnë dhe të na i dorëzojnë. Kjo mënyrë shkëmbimi ka rëndësi të madhe politike, prandaj duhet të insistohet patjetër”. Më poshtë jepet shënimi për Mihal Priftin: “Kërkesa për gjeneralin Devis është e para, pastaj Tomor Sinani dhe kampi i Prishtinës. Pra në vend që të tregonte shkathtësi për të shpëtuar sa më shumë shqiptarë nga vdekja, Enver Hoxha donte të fitonte pikë politike sikur kishte në dorë jetën e gjeneralin Devis, i cili mund të mos ndodhej fare në territorin shqiptar. Porosinë e Hoxhës, Hysni Kapo, ia përcolli Xhemalit, ndërsa ky Petraqit. Duke njohur mirë gjermanët kur bëhej fjalë për prishje marrëveshjeje, Petraqi konstatoi me të drejtë se ndodheshin “buzë greminës”, por do ta provonin. Xhemal Meçe e kujtonte kështu këtë moment:

“Petraqi filloi t’ia parashtrojë çështjen gjeneralit. Vura re fytyrën e tij që filloi të nxihej sterrë, duke shikuar Petraqin me vëmendje mu në bebe të syrit. Mbasi mbaroi së foluri Petraqi ai nuk i tha asgjë tjetër veçse i ra me grusht të fortë tavolinës, aq sa ç’kishte ajo u shpërndanë nëpër dhomë. Iu kthye Petraqit duke i bërtitur me sa fuqi kishte: “jashtë”.

Xhemali ngeli vetëm me gjeneralin ndërsa ai shante me vete dhe shënonte në hartë. Pas 5 minutash, e thirri sërish Petraqin dhe i tha që Devisi ndodhej në Berlin e nuk ishte në dorën e tij, por do ndërhynte për dorëzim në ndonjë legatë të shteteve ndërmjetëse. Megjithëse i zemëruar, i qëndroi marrëveshjes. Filloi të bëhej plani për lirimin shqiptarëve në Prishtinë, d.m.th për makinat me të cilët ata do vinin, etj. Xhemal Meçe vijon:

“Për fat të keq, në mbrëmje, një njësit partizan në rrugën “Bajram Curri”, te Medreseja, kryen një aksion të rëndësishëm, djegin disa makina dhe vrasin mbi 12 nazistë, anëtarë të partisë së tyre. Për këtë komanda gjermane, për t’u hakmarrë dogji një pjesë të lagjes rreth vendit të aksionit, arrestoi më tepër se 50 burra të lagjes duke i mbajtur në gatishmëri për t’i pushkatuar dhe pushkaton më tepër se 100 të internuar të kampit të Prishtinës të rrethit të Tiranës. Në ora 4.00 të mëngjesit të kësaj nate (23 tetor 1944-shënim) vjen Petraqi i alarmuar në bazën ku ndodhesha unë dhe më shpjegoi se e kish thirrur Fitzthum për të më lajmëruar mua që të vija në dijeni shtabin partizan për arsyen e të pushkatuarve të Prishtinës për të mos prishur marrëveshjen sepse të pushkatuarit do të kompensoheshin me të burgosur nga burgjet e tjera”.

Xhemali përçoi sërish te Hysni Kapo propozimin. Ndërkaq Petraqi arriti të shpëtonte nga pushkatimi 50 burrat që mbaheshin peng. Pas një dite, Shtabi i Përgjithshëm refuzoi të pranonte marrëveshjen e re. Xhemali analizonte se Petraq Pekmezi kish shpëtuar të paktën 100 shqiptarë nga pushkatimi i gjermanëve. Sipas tij, Petraqi dhe shoferi ishin zhdukur më 16.11.1944.

Modifikuar më Premte, 20 November 2020 19:16
Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...