Nga Kastriot Dervishi
Pas një batërdie trevjeçare kundër themeleve të shtetit shqiptar (që vijoi për një kohë të gjatë), duke shkatërruar me një pasion të verbër dokumentet e “shtetit të vjetër”, për të frenuar disi këtë vrull Dega e Administratës e Kryeministrisë me shkresën nr.1935, datë 27.11.1947 i tërhiqte vëmendjen gjithë institucioneve të ruanin arkivat. Këtu referohej shqetësimi i Institutit të Studimeve i përdorimit së dokumenteve si letër ambalazhi. Po ashtu njoftohej se ish krijuar komisioni pranë Kryeministrisë. Filluan të vinin njoftime të ndryshme.
Ministria e Shëndetësisë, me shkresën nr.3579, datë 10.12.1947 njoftonte se dokumentet e para vitit 1944 të kësaj ministrie (që i takonin ish Drejtorisë së Përgjithshme të Shëndetësisë), u morën në dorëzim, por sipas qarkores nr.135, datë 29.1.1947 të Kryeministrisë, iu dërguan Ministrisë së Industrisë për t’i grumbulluar e dërguar në Jugosllavi “për t’i bërë letra të mira në përdorim”. Me këtë shkresë njoftohet një qarkore jo shumë e njohur në fakt, e cila kish ligjëruar veprimin kriminal të shkatërrimit të arkivave.