Për Hajdar Tafën ka një bust në Berat. Për ushtar Faslliun nuk ka. Të dy u vranë duke ndjekur elementin antikomunist që regjimi i vinte etiketimin “banda”. Le të shohim dy burime informacioni, njëri në formë raporti ku nuk përmendet Faslliu e tjetri në librin kushtuar “heronjve të heshtur”. Komisar Sotiri dhe komandant Mehmeti, më 3.4.1951 e njoftonin kështu ngjarjen e vrasjes së Hajdar Tafës:
“Këtu poshtë ju përshkruajmë tekstualisht rrethanat në të cilat u vra ushtaraku i kësaj brigade Hajdar Tafa kundër bandës kriminale të kryesuar nga Zef Ndrec Marko Lleshi. Mbasi u bë rrethimi i bandës së mësipërme datën 2.12.1950 kriminelët duke parë se u rrethuan, tentojnë të dalin dhe përdorin një sasi të madhe bombash dhe predha automatiku, por se nuk mundën t’i mbërrinin qëllimit mbasi të gjithë armët e forcave tona u koncentruan me precesion mbi armikun dhe që në valën e parë të zjarrit, ky kriminel mbetën të vrarë dhe pas dy orësh mbetën në fushën e betejës 5 kriminelë. Shoku Hajdar Tafa që ishte urdhëruar të mbante një pritë me katër shokë, pritë për vetë natyrën e vendit ishte e gjerë, por Hajdari duhej ta përballonte këtë detyrë dhe ai i përballoi duke mos kursyer as jetën, kështu kriminelët të detyruar nga forcat e anës tjetër bëjnë sulmin final në pritën e Hajdarit dhe që hedhin mbi këtë pritë përmbi 50 bomba. Duke u ndodhur në këtë situatë Hajdari shkrin gjithë forcat e tij dhe kur shikon se kriminelët duke përfituar nga drurët e trashë që predhat e automatikut ishin pa efekt, vendos të përdorë granatën për kundër kriminelëve, por megjithatë Hajdarit i duhej të fshihej për të parë lëvizjen e tyre dhe ai kështu bëri, por granata që ka një rreze veprimi prej 200 metrash katrorë nuk vret e plagos vetëm kriminelët, por edhe Hajdarin.
Faslli Beshiri, nga Ribani, Fier (1918-1950)
“Armiqtë u përgjigjën me të shtëna, por shpejt e kuptuan se ishin të rrethuar keq. Faslliu sulmoi me granata dore dhe zuri pozicion të ri. Por kriminelët nuk donin të dorëzoheshin. Ata e dinin mirë se ç’krime kishin bërë dhe ç’hesape duhej të lanin. I vetmi shteg kalimi për ta mund të ishte pozicioni i Faslliut. Faslliu i lejoi armiqtë të afroheshin, pastaj u ngrit me granata në dorë.
-Përpara shokë! Përpa...
Dhe s’mund të mbaronte fjalën. Një plumb nga një pozicion i fshehur e goditi për vdekje. ai ra në një llogore me Heroin e Popullit, Hajdar Tafa, në Mirditën e largët, po aq të dashur për të. Faslliu e mbajti me nder fjalën e dhënë para partisë dhe popullit!
Armiku s’do kalonte i gjallë. Shoku i llogores, Heroi i Popullit Hajdar Tafa, u mbylli të vetmin shteg kalimi me jetën e tij. të dy, heroi dhe dëshmori mbetën pranë e pranë. Ata i bashkoi qëllimi i lartë i mbrojtjes së atdheut”.
(“Heronj të heshtur”, volumi nr.8, botim i MPB-së, Tiranë 1983, faqe 304-305).