Fuqitë aleate shoqe, nënshkruan me Italinë në Paris më 10.2.1947 një traktat paqeje. Shqipëria nuk u pranua si palë nënshkruese, sepse nuk ishte anëtar i OKB-së, pavarësisht se ishte vendi i parë i agresuar nga Italia. Traktati u ratifikua me dekretin nr.480, datë 9.10.1947, “Mbi aprovimin të ratifikojë Traktatin e Paqes me Italinë” të Presidiumit të Kuvendit Popullor. U botua në “Gazeta Zyrtare” nr.14, 24 janar 1948, faqe 1-47. U ratifikua një traktat të cilin shteti shqiptar nuk e kishte nënshkruar.
Traktati i Paqes me Italinë u nënshkrua në Paris nga përfaqësuesit e shteteve, të konsideruara si “fuqi aleate dhe shoqe”:
-Shtetet e Bashkuara të Amerikës
-Kina
-Franca
-Mbretëria e Bashkuar e Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut
-Bashkimi i Republikave Sovjetike Socialiste
-Australia
-Belgjika
-Republika Sovjetike Socialiste e Bjellorusisë
-Brazili
-Kanadaja
-Etiopia
-Greqia
-India
-Zelanda e Re
-Holanda
-Polonia
-Çekosllovakia
-Republika Sovjetike Socialiste Ukrainës
-Bashkimi Jugafrikan
-Republika Federative Socialiste e Jugosllavisë
Në traktat merrej parasysh fakti se Italia ishte pjesë e aleancës me Gjermaninë dhe Japoninë, regjim që ishte përmbysur më 25.7.1943 dhe i kish shpallur luftë Gjermanisë më 13.10.1943. Përcaktohej kufiri midis Italisë dhe Jugosllavisë, Francës dhe Austrisë. Sanksionoheshin detyrimet ndaj Greqisë (lënie ishujsh) dhe Jugosllavisë (kthime sendesh). Përmendej shpallja e gjendjes së luftës nga Italia më 10.6.1940. Italia detyrohej të respektonte traktatet me Rumaninë, Bullgarinë, Hungarinë dhe Finlandën. Përmendeshin heqja dorë e Italisë nga kolonitë në Afrikë, si në Libi, Etiopi, Eritre, Somali. Heqja dorë nga marrëveshja e datës 7.9.1901 me Kinën, por në favor të Kinës.
Shqipëria
Në seksionin e 6 përmendet Shqipëria, në nenet 27-32, sipas së cilave Italia respektonte pavarësinë e Shqipërisë, njihte Sazanin si pjesë e Shqipërisë dhe çdo rivendikim tjetër. Italia nuk do njihte asnjë marrëveshje të bërë midis saj dhe Shqipërisë në vitet 1939-1943. Nenet më të rëndësishëm janë:
Neni 29
Italia heq dorë formalisht në favor të Shqipërisë nga të gjitha sendet (me përjashtim të godinave të okupuara normalisht nga misionet diplomatike konsullore), nga të gjitha të drejtat, koncesionet, interesat dhe përfitimet e çdo lloji në Shqipëri, që i përkasin shtetit italian ose organizatave gjysmë zyrtare italiane. Italia heq dorë gjithashtu nga të gjitha interesat e posaçme ose çdo influencë e veçantë që ka fituar në Shqipëri si rrjedhojë e agresionit të 7 prillit 1939 ose në bazë të traktateve dhe marrëveshjeve të lidhura para kësaj date. Klauzolat ekonomike të këtij traktati prej të cilave mund të përfitojnë fuqitë aleate dhe shoqe, do të zbatohen mbi sendet e tjera italiane dhe mbi marrëdhëniet e tjera ekonomike midis Shqipërisë dhe Italisë.
Neni 30
Shtetasit italianë në Shqipëri do të gëzojnë të drejta të njëjta me ato të shtetasve të vendeve të tjerë. Megjithatë, Italia njeh vlefshmërinë e të gjitha masave që do të merreshin prej Shqipërisë për anulimin ose modifikimin e koncesioneve ose të drejtave të veçanta të akorduara shtetasve italianë, me konditë që këto masa të merren brenda vitit që nga hyrja në fuqi e këtij traktati”.