Me urdhrin e datës 21.1.1966 u krijua Reparti nr.318 Qyteti Stalin (sot Kuçovë), si vend për përqendrimin dhe vuajtjen e dënimit të grave. Më 28.1.1966 mbërritën nga Punëtoria Qendrore e Artizanatit në Tiranë fillimisht 80 gra, duke shkuar në pak javë në 120 të dënuara. Qëllimi ishte shfrytëzimi i punës së grave në bujqësi në një sipërfaqe prej 150 hektarësh si dhe në industrinë e naftës. Në rast gjendje lufte, reparti zhvendosej në Përmet. Nga fillimi e deri në vitin 1972 reparti kishte pasur një mesatare prej 180 – 200 të dënuarash. Në tetor 1974 numri i të dënuarave u rrit duke shkuar në 356 veta, aq sa 50 gra flinin në korridor dhe 55 të tjera në tokë. Përpara se repart të mbyllej, në vitin 1976 kishte 483 të dënuara (prej të cilave 46 për krime politike). Nga të dënuarat ordinere, 136 ishin për vjedhje të pasurisë socialiste (kryesisht shitëset), 58 për vjedhje të pasurisë së qytetarëve, 58 për kurvëri, 35 për vrasje, 19 për aborte, 22 për largim pa leje nga internimi, 18 kundër personit në pozitë zyrtare, 9 për falsifikim dokumentesh, 9 për mashtrim, etj.
Me urdhrin e datës 24.12.1976 të ministrit të Punëve të Brendshme, reparti u zhvendos në Kosovë të Elbasanit.