Legjenda Uran Kostreci, u dënua tre herë, vuajti: 22 vjet, 10 muaj, 6 ditë burgim

Hënë, 12 July 2021 19:03
Uran Kostreci, foto e bërë në burg Uran Kostreci, foto e bërë në burg

Ka ndërruar jetë ditën e sotme në moshën 83 vjeçare, një prej legjendave të qëndresës antikomuniste ndër vite, Uran Kostreci. Në vitin 1957 mbaroi Shkollën e Mesme Pedagogjike “Luigj Gurakuqi” në Elbasani, por për arsye të biografisë nuk iu dha mundësia të vazhdonte arsimin e lartë, pavarësisht se doli mirë me mësime. Shërbeu si arsimtar: në vitet 1957-1959 në Rrethin e Vlorës; më 1959-1960 në Tunjë të Gramshit dhe më 1960-1961 në Mollas të Elbasanit. Më 1981-1983 punëtor në ndërmarrjen e ndërtimit Elbasan. Më 1983-1986 u internua në Kurtaj të Peqinit. Më 1991-1992 themelues dhe kryeredaktor i gazetës së ish të përndjekurve politikë “Liria”. Më 1992-1994 ishte kryetar i Partisë Demokratike, Dega Elbasan.

Periudha e vuajtjes së burgimit, sipas viteve:

1961-1981: 19 vjet, 10 muaj, 8 ditë

1986-1989: 2 vjet, 11 muaj, 28 ditë

 

Dënimi i parë

U arrestua më 5.8.1961 në tentativë për arratisje. Gjykata Ushtarake Tiranë, me veprim në Elbasan, duke pranë zëvendësprokurorin ushtarak të Durrësit, major Harito Çako, me vendimin nr.171, datë 28.10.1961, e deklaroi fajtor në bazë të nenit 64/10 (tradhtia ndaj atdheut) të Kodit Penal dhe e dënoi me 15 vjet burgim dhe konfiskimin e pasurisë. Në këtë vendim, midis të tjerash thuhet: “Vepra e kryer nga i pandehuri është shoqërisht shumë e rrezikshme për arsye se në veprime të tilla, dëmtohen interesat e shtetit e popullit tonë, vihet në rrezik siguria e jashtme e Republikës Popullore të Shqipërisë dhe i shërbehet propagandës armike. I pandehuri Uran Kostreci dhe si person paraqet rrezikshmëri. Ai vjen nga një familje që ka zhvilluar aktivitet armiqësor kundër pushtetit dhe që i është dënuar i ati që në vitin 1946 për punë armiqësore. Prandaj izolimi i tij nga shoqëria është i domosdoshëm për edukim për një kohë të gjatë”. U la në fuqi nga Kolegji Ushtarak i Gjykatës së Lartë me vendimin nr.138, datë 11.12.1961. Për t’u shënuar se teksa vuante dënimin në Repartin nr.303 i cili punonte për ndërtimin e fabrikës së çimentos në Elbasan, më 9.5.1965 rreth orës 15.20 orvatet të largohet. Pasi kishte takuar nënën, Kostreci shkon me vetëdije te rrethimi jugor i kampit me qëllim që ta vrisnin rojet.

Dënimi i dytë në burg

Kur i kishin mbetur për të vuajtur edhe një vit, 5 muaj e 4 ditë, ridënohet. U arrestua më 13.6.1973 teksa vuante dënimin në Burrel. Arsyeja ishte një grevë urie dhe sepse kish parë shtrembër fotografinë e Enver Hoxhës në zyrën e drejtorit të Repartit nr.321, Hajri Leskaj. U akuzua në bazë të neneve 73/1, 241/1 dhe 241/2 (fyerja e përfaqësuesit te pushtetit). Gjykata e Rrethit të Matit, me vendimin nr.24, datë 28.6.1973 e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 8 vjet burgim. Në vendimin e gjykatës, midis të tjerash thuhet: “Vërtetohet se në këtë moment i pandehuri kishte drejtuar sytë nga fotografia e shokut Enver. Mirëpo ky shikim, i kishte bërë përshtypje të dëmtuarit Hajri dhe iu drejtua me pyetje të pandehurit që pse e shikonte me vërejtje apo nuk i pëlqente. Në përgjigje të pyetjes, vërtetohet se i pandehuri të jetë shprehur me këto fjalë: “Ju rruat juve se unë nuk e njoh këtë, por rri aty e mos ha m...”. U lirua më 13.6.1981.

Internimi dhe ridënimi

Me vendimin nr.16, datë 3.12.1986 të Komisionit të Internimit dhe Dëbimit, u internua për 5 vjet në fshatin Kurtaj në Peqinit. Pas disa vitesh qëndrimi aty, largohet më 4.2.1986 në drejtim të Tiranë. Pa u vënë re nga askush, niset me tren në drejtim të Vlorës, me synim që pas takimit me disa miq të arratisej jashtë vendit. Në tren pikaset nga një civil, i cili e dorëzon në Degën e Punëve të Brendshme Fier. Arrin të largohet nga kjo degë, por nuk mund më shumë se një ditë dhe u arrestua më 16.2.1986 Gjykata e Rrethit Elbasan, në bazë të nenit 117 të Kodit Penal, e dënoi maksimalisht me 3 vjet burgim, të cilin e vuajti duke punuar në bujqësi për hapje tarracash. U lirua më 14.2.1989.

Vendet e vuajtjes së dënimit sipas viteve:

1961-1963, Reparti nr.303 Tiranë, në ndërtimin e Kombinatin e Mishit

1963, Reparti nr.309 në ndërtimin e apartamenteve të bllokut “Puna” afër stadiumit “Dinamo”

1963-1964, Reparti nr.321 Burrel

1964, Reparti nr.309 Vlorë

1964-1965, Reparti nr.309 Laç

1965, Reparti nr.303 Elbasan

1965-1981 Reparti nr.321 Burrel

1986-1989 Reparti nr.309 Përparim

Login to post comments