Nga Frank Shkreli
Nuk jam i sigurt, nëse ky anashkalim ndodh me qëllim, ose jo, apo mund të jetë karakteristikë e disa personave të asaj sindromës, sipas të cilës -- “unë jam fillimi dhe mbarimi i kësaj historie” – askush dhe asgjë tjetër nuk është pjesë e saj. Në këtë 30-vjetor të rievdnosjes së marrëdhënieve diplomatike SHBA-Shqipëri e kam fjalën për vizitën e parë të delegacionit prej 4 vetash të Departmentit të Shtetit në mars/prill, 1991, në Shqipëri, që rrallë e shkurt mund të përmendet aty këtu, me një fjali ose dy. Ose injorohet me qëllim ose anashkalohet me pa dashje. Por është e vërtetë se me urdhër të Departmentit të Shtetit, një javë pas nenshkrimit të Memorandumit, 15 mars, 1991 në Washington – si hapi fillestar për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve tona-- delegacioni i parë diplomatik amerikan ka mbërrijtur në Tiranë me objektivin kryesor, “për të zgjëruar kontaktet me qeverinë dhe popullin shqiptar, si edhe për të filluar përgatitjet për hapjen e misjonit diplomatik”. Po ve këte në dukje këtë çeshtje sepse, pothuaj, çdo referencë zyrtare që shoh dhe lexoj në lidhje me marrëdhpniet dypalëshe, përmendet nënshkrimi i memorandumit për rivendosjen e marrëdhënieve midis dy vendeve dhe hapja “zyrtare” e ambasadës së SHBA-ve disa muaj më vonë, por anashkalohet krejtësisht vizita e parë diplomataike amerikane në Tiranë – gjatë të cilës, vërtetë, është bërë një punë mjaft e madhe para-pregaditore, për hapjen zyrtare të ambasadës amerikane më vonë atë vit, në vjeshtë të 1991.
Nuk ka dyshim se Ambasadori i parë i SHBA-ve në Tiranë, Z. Bill Ryerson dhe diplomati Chris Hill -- të cilët kam pas nderin t’i njoh dhe në dy tre raste të jem në një tavolinë me ta përballë zyrtarëve shqiptarë, sidomos me Amb. Hill -- kanë meritat e tyre të mëdha për punën e tyre, në rrethanat absolutisht jo normale politike dhe ekonomike që mbretononin në atë kohë në Shqipëri. Këta dy diplomatë si rradhë të tjerë të tjerë pas tyre, e kishin kutpuar shumë mirë të kaluarën tragjike nepër të cilën ka kaluar Shqipëria gjatë periudhës së diktaturës komuniste dhe ishin njohës të krimeve barbare të komunizmit shqiptar kundër dhjetra mijëra viktimave të pafajshme të atij regjimi. Ata luajtën një rol me rëndësi në këtë mes, por edhe komuniteti shqiptarao-amerikan me të cilët ata ishin në kontak, ka luajtur gjithashtu një rol tepër me rëndësi – një fakt ky të cilit iu refuar edhe diplomati lartë amerikan, Z. Raymond Seitz gjatë ceremonisë së nënshkrimit të Memorandumit.
Nënshkrimi i dokumentit me 15 Mars, 1991 në Washington për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike amerikano-shqiptare -- pas një ndërprerjeje prej pothuaj një gjysëm shekulli -- ishte një rast historik për të dy kombet, veçanërisht për komunitetin shqiptaro-amerikan cili kishte pritur me dekada për agimin e asaj dite dhe për hapjen e Shqipërisë që do tu jepte atyre mundësinë për tu takuar me të afërmit e tyre në Atdhe, nga të cilët i kishte ndarë regjimi komunist për pothuaj një gjysëm shekulli. Ndihmës Sekretari i Shtetit, Zoti Raymond G. H. Seitz, nënshkruesi i Memorandumit për palën amerikane, është shprehur, me atë rast se, “Marrëdhëniet midis dy vendeve tona e kanë fillimin në agimin e këtij shekulli kur Presidenti Uodrou Uilson i dha shtetit te ri shqiptar përkrahjen e Amerikës. Kjo lidhje nuk u harrua kurrë nga mijëra amerikanë me origjinë shqiptare, disa prej të cilëve janë sot në këte dhomë, e të cilët ishin në kontakt me Atdheun gjatë gjithë këtyre viteve…”, ka thënë ndër të tjera diplomati i lartë amerikan.
Gjatë atij fjalimi, ai ka paralajmëruar gjithashtu nisjen e shpejt – pa humbur kohë siç e pat cilësuar ai -- të një delegacioni diplomatik për në Shqipëri, duke thënë se, “Shtetet e Bashkuara shpresojnë që me Shqipërinë të fillojnë marrëdhënie ndërtuese dhe produktive në baza të interesit të përbashkët. Ne kemi në plan, që mbrenda një kohe të shkurtër të dërgojmë një delegacion në Shqipëri për të zgjëruar kontaktet me qeverinë dhe popullin shqiptar, si edhe për të filluar përgatitjet për hapjen e misjonit diplomatik…”, ka theksuar me atë rast Ndihmës Sekretari i Shtetit, Raymond Seitz.
Ndër këto vite e dekada, vizitës së delegacionit të parë amerikan në Shqipëri, por as rolit të komunitetit shqiptaro-amerikan nuk i është dhënë kredia që meritojnë në zhvillimin e këtyre marrëdhënieve. Por, vet diplomati i lartë amerikan gjatë fjalimit me atë rast, 30-vjetë më parë ishte i vetdijshëm pë rolin e shqiptaro-amerikanëve, ndërsa ai i ka shprehur falënderimet e tija komunitetit shqiptaro-amerikan për kontributin që ka dhënë gjatë dekadave, për realizimin e atij momenti në histori – vizitës zyrtare diplomatike në Shqipëri dhe rivendosjes së marrëdhënive diplomatike midis dy vendeve. “…Unë dëshiroj që të falënderoj të gjithë ata që kanë bërë të mundur realizimin e kësaj dite. Ndër këta, sot në këte dhomë, janë shumë amerikanë me origjinë shqiptare të cilët kanë kontribuar jashtzakonisht shumë, me kohë e përpjekje, për të vendosur marrëdhënie të reja midis dy vendeve tona”, ka përfunduar fjalimin e tij, Z. Seitz.
Për rolin e komunitetit shqiptaro-amerikan në promovimin e marrëdhënieve amerikano-shqiptare gjatë izolimit të vet-imponuar të Shqipërisë nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, kam shkruar disa herë, por edhe burime të tjera si dhe autorë tjerë shqiptaro-amerikanë i kanë dokumentuar përpjekjet e diasporës shqiptare në Amerikë -- në pritje të një dite më të mirë për marrëdhëniet midis dy popujve tanë, e që u realizua, më në fund, me 15 mars, 1991. Ja një nga ato shkrime modeste, sa për informacion-- Frank Shkreli/ Roli i diasporës në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane | Gazeta Telegraf
Prandaj, qëllimi i këtij artikulli modest sot, para se të skadojë edhe 30-vjetori i rivendosjes së marrëdhënieve SHBA-Shqipëri, dëshiroj të kujtoj tre diplomatë amerikanë, ndër më të mirët diplomatë me të cilët gjatë viteve kam pasë fatin, nderin dhe pri-vilegjin të njihem e të punoja me ta si pjesë e delegacionit të parë amerikan në Shqipëri në mars/prill 1991. Për të cilët edhe sot -- pas 30-vitesh -- ruaj konsideratën më të thellë, kujtimet dhe respektin më të madh për ata përfaqësues të denjë të Amerikës, si njerëz të mirë, por mbi të gjitha, si diplomatë të shkëlqyer në shërbim të Atdheut tonë të adaptuar. Gjatë asaj vizite, ata ishin të pa komprometueshëm në mbrojtje dhe në promovimin e vlerave të këtij vendi të madh, që e quajmë Amerikë dhe të vetdijshëm të kaluarës komuniste të atij vendi – ndrëkohë që trashëgimia e tmershme e atij regjimi shihej qartë kudo në vitin 1991. Respekt për punën e tyre që ata kryen – tre dekada më parë – në rolin e delegacionit të parë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që shkeli për herë të parë në tokën e Shqipërisë në pothuaj 50-vjetë, pas dëbimit të diplomatëve amerikanë nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, në mbarim të Luftës së dytë Botërore. Këta diplomatë të nderuar – tani në pension -- nuk duhet të harrohen për kontributin që kanë dhënë, sidomos nga kolegët e tyre sot në Shërbimin Diplomatik të Amerikës, qofshin ata në Ambasadën Amerikane në Tiranë, qoftë në Washington. As për ata ajo periudhë nuk ishte aspak e lehtë në Tiranë, as për diplomatët amerikanë por as për shqiptarët vendas të cilëve u kishte ardhur shpirti në fyt nga një diktaturë komuniste, nga më të egrat në botë, e që e shikonin arritjen e amerikanëve si një ditë shprese për liri. Unë e di, se isha me ta, sfidat dhe problemet ishin pothuaj të pakapërcyeshme. Delegacioni përbëhej nga këta 4 veta. Ata ishin: Kryetari i delegacionit Amb. David Swartz, diplomati Richard Mueller, Susan Sutton, shefja e Zyrës që kujdesej për Shqipërinë, të gjithë këta diplomatë të karierrës me përvojë të gjatë dhe autori i këtij shkrimi përkujtimor.
Vizita e parë nga Departmenti i Shtetit në Shqipëri, 30-vjetë më parë ishte një ngjarje historike që kishte tërhequr edhe interesimin dhe vëmendjen e mediave amerikane në atë kohë. Njëra prej tyre, gazeta Nju Jork Tajms gjatë qendrimit të delegacionit të parë amerikan në Shqipëri në mars/prill 1991, kishte dërguar në Tiranë korrespondentin e saj për Evropën dhe Ballkanin, Z. Dejvid Binder, i cili dërgonte, pothuaj çdo ditë nga Shqipëria një korrespondencë për gazetën më të njohur amerikane, duke informuar lexuesit amerikanë veprimtarinë e delegacionit dhe për zhvillimet dramatike të atyre ditëve në Shqipërinë komuniste hermetike, për një vend për të cilin lexuesit amerikanë kishin pak ose aspak dijeni. Në një prej korrespondencave të tija nga Tirana, gazetari Dejvid Binder shkruante:
“Më 15 mars, Shtetet e Bashkuara rifilluan marrëdhëniet diplomatike me Shqipërinë, vetëm dy javë përpara zgjedhjeve pluraliste të autorizuara nga udhëheqja jo stabile komuniste e Presidentit Ramiz Alia. Z. Muller, specialist i çështjeve të Evropës Lindore, u nis me tre zyrtarë të tjerë anëtarë të delegacionit të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara për të përgatitur rrugën për rihapjen e ambasadës amerikane në rrugën "Labinoti". Italianët ende nuk e kanë dorëzuar ndërtesën dhe një ambasador i ri amerikan ende nuk është emëruar, megjithëse David Swartz, zyrtari i Departamentit të Shtetit, me origjinë nga Çikago, që drejton grupin diplomatik amerikan me zotin Muller, është përmendur si një kandidat i mundshëm për ambasador në Tiranë”, shkruante gazeta Nju Jork Tajms.
“Gjatë qendrimit këtu në Shqipëri”, raportonte Nju Jork Tajms një ditë të marsit 1991, “Grupi i parë diplomatik amerikan ka udhëtuar anembanë këtij vendi prej 3.5 milion banorësh, duke takuar shqiptarë të zakonshëm dhe zyrtarë të lartë. Të mërkurën mbrëma, delegacioni i parë amerikan organizoi një pritje modeste në hotel Dajti -- i ndërtuar nga autoritetet e pushtimit Italian -- për rreth 100 shqiptarë, amerikanë dhe diplomatë të huaj”, të akredituar në kryeqytetin shqiptar, të ftuar nga delegacioni i parë diplomatik amerikan në Shqipërinë ende të sunduar nga regjimi komunist. Në atë pritje, shkruante Dejvid Binder në gazetën Nju Jork Tajms, ishin të pranishëm edhe 4 anëtarë të delegacionit të Komisionit të Kongresit të Shteteve të Bashkuara për Siguri dhe Bashkpunim në Evropë, i kryesuar nga ish-Senatori Dennis DeConcini, demokrat nga shteti Arizona, pjesë e të cilit ishte edhe kolegu im në Zërin e Amerikës, Dr. Elez Biberaj, në atë kohë shef i Shërbimit shqip të Zërit të Amerikës.
Më 11 qershor 1991, ish Sekretari i Shtetit Xheims A. Bejker III ishte zyrtari i parë i nivelit të lartë i SHBA që ka vizituar Shqipërinë pas periudhës së gjatë të izolimit të vendit imponuar nga regjimi i Enver Hoxhës. Qysh nga ajo kohë, marrëdhëniet SHBA-Shqipëri kanë përparuar e janë rritur, me batica dhe zbatica nga koha në kohë, varësisht gjendjes së brendshme politike të Shqipërisë, kryesisht si rrjedhim i konflikteve dhe mosmarrëveshjeve midis dy partive kryesore të vendit, si dhe për mungesë të rendit ligjor dhe të korrupsionit masiv që ka përfshirë, aktualisht, nivelet më të larta të qeverisë dhe të shoqërisë shqiptare, në përgjithësi. Megjithë vërejtjet dhe kritikat midis miqve, për pothuaj 30-vjet “post-komunizëm”, Kombi shqiptar nuk ka as nuk besoj se do të ketë mik më të madh se Amerikën. Kjo është treguar herë pas here nga Washingtoni, madje edhe gjatë periudhës izolacioniste të Enver Hoxhës, ndërkohë që Washingtoni gjithmonë ka shprehur respektin dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Shqipërinë dhe për shqiptarët, ndonëse jo për regjimin komunist të asaj kohe.
Është normale që midis miqësh të ketë periudha ftohjeje në marrëdhëniet e tyre. Kjo ndodh edhe me aleatët, historikisht, më të ngushtë të Amerikës. Në rastin e Shqipërisë, pa dyshim se, “çështja Berisha” e kohëve të fundit, nëse mund ta quajmë ashtu, përbën ftohjen më serioze në marrëdhëniet e këtyre tre dekadave, midis dy vendeve tona. Nuk pretendoj të dijë se cilat janë meritat e kësaj çeshtjeje, por mos dëgjoni zërat e atyre që predikojnë se “çeshtja Berisha” nuk i ka prekur dhe nuk do i afektojë marrëdhëniet midis dy vendeve, tani as në të ardhmen. Presim përfundimin e kësaj çeshtjeje, por cilido të jetë përfundimi, mos tradhëtoni veten as të tjerët, se kjo “çeshtje” i ka dëmtuar rëndë këto marrëdhënie, shpresoj se jo në mënyrë të riparueshme, por shohim .
I lutem të Madhit Zot që personat dhe institucionet përkatëse që janë përgjegjëse për situatën e krijuar të dinë mirë se ç’janë duke bërë dhe të kenë faktet dhe të vërtetën në anën e tyre. Prandaj është e rëndësishme që kjo gjëndje e krijuar në marrëdhëniet dypalëshe shqiptaro-amerikane të sqarohet sa më parë për publikun shqiptar dhe mundësisht të zgjidhet sa më shpejt që të jetë e mundur, në interes të shqiptarëve dhe për hir të marrëdhënieve afatgjata midis dy kombeve tona. Varësiht se si do përfundojë kjo situatë, këtu nuk kemi të bëjmë vetëm me një person ose me një parti politike, por kemi të bejmë me mundësinë e krijimit të një destabiliteti politik. Një skenar i tillë nuk i shërben interesit të askujt në Ballkan. Interesave të Kombit shqiptar, jo se jo, por as interesave të Shteteve të Bashkuara, pasi ato nuk kanë mik më të ngusht në atë pjesë të botës, strategjikisht dhe historikisht, e rëndësishme për Washingtonin. Të gjithë atyre që po merren me këtë çeshtje u bëjë thirrje, në këtë 30-vjetor të hapjes zyrtare të ambasadës amerikane në Tiranë: Ulëjani hovin retorikës së ashpër dhe inatçore, nga të gjitha palët e përziera në “çeshtjen Berisha”: Mesazhi im është: COOLER HEADS MUST PREVAIL!
Gazeta “Rilindja Demokratike” (nr. 23 e ditës së shtunë, 23 mars,1991) e Partisë Demokratike të Shqipërisë (e sa po formuar si parti opozitare në atë kohë) – ka qenë e vetmja gazetë që ka njoftuar arritjen e delegacionit tonë në Tiranë. Media e regjimit nuk njoftoi fillimisht arritjen e delegacionit të parë diplomatik të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, deri pothuaj dy javë më vonë -- vetëm kur u takuam (me një mungesë të madhe dëshire për tu takuar me të) me Xhelil Gjonin anëtar i Byrosë Politike dhe Sekretar i Komitetit Qendror të PPSH-së.
Karta me vulë me yllin komunist, lëshuar autorit të këtij shkrimi si vezhgues i zgjedhjeve të para pluraliste 31/mars, ’91 në Shqipëri, zgjedhje të cilat -- ndryshe nga grupet evropiane -- delegacioni dhe organizatat vezhguese amerikane si, Instituti Republikan Ndërkombëtar nuk i njohën ato zgjedhje si të lira dhe të drejta. Megjithse ato u mbajtën nën ligjet komuniste jo demokratike të kohës, sot disa mund t’i konsideronin ato si më të lira se zgjedhjet e fundit “demokratike” parlamentare në Shqipëri, 30-vjet më vonë. Profesor Rexhep Meidani ishte Kryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në mars të ’91. Disa vite më vonë, Presidenti Meidani gjatë një vizite zyrtare në Washington – kujtuam ngjarjet e mars/prillit 1991 ndaloi për një vizitë në Zërin e Amerikës (prill, 1999).
Roli i ish-Ministrit të jashtëm të Shqipërisë, Z. Muhamet Kaplani ishte jetik, për të mos thenë i pazevëndsueshëm, gjatë atyre ditëve para nënshkrimit të Memorandumit për rivendosjen e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, 30-vjetë më parë. Komuniteti shqiptaro-amerikan ngulte kembë që në ceremoninë e nënshkrimit në Washington të merrnin pjesë edhe dy liderët e atëhershëm të Partisë Demokratike, pasi përfaqsues të komunitetit refuzonin që rivendosja e marrëdhënieve me mikun historik të Kombit shqiptar dhe me vendin më antikomunist në botë, të mos bëhej vetëm me përfaqsues të regjimit komunist, i cili një shekull më parë i kishte ndërprerë këto marrëdhënie. Argumenti i tyre ishte që në ceremoni të përfshiheshin edhe grupe të tjera siç ishte Partia Demokratike e posa themeluar, me liderët e saj Dr. Sali Berisha dhe Dr. Gramoz Pashko. Diplomatët e regjimit komunist të Shqipërisë pranë Kombeve të Bashkuara në Nju Jork e kundërshtonin pjesëmarrjen e përfaqsuesve të Partisë Demokratike të Shqipërisë në ceremoninë e Stejt Departmentit. Ishte masa e fundit dëshpëruese e përfaqsuesve të një regjimi kriminal komunist që si masë të fundit donin të vononin, që të mos themi të sabotonin një proces historik që ata nuk kishin më mundësi ta ndalonin. Roli i Misionit të Shqipërisë pranë OKB-së ishte shumë negativ në atë kohë, për të mos thenë armiqësor. Por ka qenë, Ministri i Jashtëm Kapllani që ndërhyri. Berisha e Pashko erdhën në Washisngton dhe morën pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të Memorandumit për rivendosjen e marrëdhënieve SHBA-Shqipëri. Respektet e mia për ish-Ministrin e Jashtëm Muhamet Kapllani!