Nga Kastriot Dervishi
Një i dënuar politik pasi u lirua nga burgu politik, ai u dërgua në kampin e internimit të Tepelenës. Ai pati fatin që atë që hoqi në Shqipëri t’ua tregojë kancelarive perëndimore, të cilat u informuan me detaje se çfarë ishte regjimi kriminal komunist. pjesa e mëposhtme është e ditës së parë në kamp. Midis të tjerash, për kampin është bërë ky përshkrim:
“Ishte nata e 23 gushtit (1951), krejt terr e rruga e prishur. Ai grup njerëzish të mjerë që tronditej mbi grumbullin e rraqeve të veta të varfra ia tërhiqte mendjen shoferit të kishte kujdes. Kështu mbërritëm aty mbas mesnate. Në hyrje të kampit ku gjendesh një numër i madh rojesh, të cilët po na prisnin. Shkarkuam sendet tona, u ulëm në tokë e pritëm zbardhjen e ditës së re. të flija kështu, nuk ishte problem për mua: koha ishte e mirë e nata e freskët. Por vura re në atë lëshim drite të zymtë nate, se oborri i pafund, sidomos gjatë anës së një kazerme të madhe, ishte krejtësisht i pakësuar nga grupe njerëzisht që flinin përtokë. Mora vesh më vonë se gjithë ata njerëz kishin braktisë dhomat e fjetjes prej pleshtave. Posa vinte nata, të internuarit hynin ndër baraka për të pushuar, nga trarët e mëdha zbrisnin ushtri parazitësh që sulmonin fatzezët. Kështu që e vetmja shpresë ishte të kaloje natën jashtë.
Ishte një grumbull grash, fëmijësh, djemsh e pleqsh, të cilëve u mungonte çdo e domosdoshme e ushqeheshin vetëm me bukë e misër dy herë në ditë. Ndrynin brenda në zemër një barrë për patreguar vuajtjesh. Përveçse ishin shkulur nga shtëpitë e zakonet e tyre, ishin plagosur në ndjenjat e tyre më të thella e të shqetësuar për të zhdukurit, për ata që kërkonin, për të burgosurit pa lajme, pa shpresa për të ardhmen. Sidomos gratë ishin të mrekullueshme: pa lot kujdeseshin për fëmijët e pleqtë, duke u munduar t’i lehtësonin atyre peshën e varfërisë”.
Bashkëlidhur vendimi nr.699, datë 14.4.1953 i Komisionit të Dëbimeve e Konfiskimeve në MBP për internimin e një familjeje “kulake” nga Libohova në kampin nr.4 Tepelenë. Dokumenti tregon se në kampin në fjalë nuk po internoheshin më vetëm nga veriu i shqipërisë, por edhe nga jugu.