Viktor Orban rizgjidhet kryeministër i Hungarisë. Ai fitoi zgjedhjet e së dielës me shumicë absolute, raportojnë mediat ndërkombëtare. Duke shpallur fitoren në një fjalim mbrëmjen e së dielës në Budapest, ai tha se fitorja e partisë së tij Fidesz, është “një mundësi për të mbrojtur Hungarinë”.
Gjatë fushatës Orban ishte përqendruar në qasjen kundër emigrantëve dhe përsëriti teoritë konspirative se Bashkimi Evropian, Kombet e Bashkuara dhe filantropisti George Soros duan ta shndërrojnë Hungarinë në “vend të emigrantëve”.
Orban ka thënë gjithashtu se rezultati është konfirmim i politikave qeverisëse sipas të cilave do të krijohen vende pune, do të mbështeten familjet e varfëra do të ruhet sovraniteti kombëtar.
Nga rreth 96 për qind e votave të cilat janë numëruar deri më tani, partia e Orban ka gjasë që të marrë 133 vende në parlament nga 199 që janë gjithsej.
Kjo tregon se ai mund të formojë lehtësisht qeverinë e re të Ukrainës. Koalicioni i drejtuar nga Orban ka marrë më shumë se dy të tretat e vendeve në parlament, sa është e nevojshme për të bërë ndryshime kushtetuese.
Si ka lëvizur rezultati?
Pjesëmarrja në votime arriti në afërsisht 69%. Nga votat e numëruara deri tani, partia nacionaliste Jobbik është në vendin e dytë me 20% të votave. Socialistët janë në vendin e tretë me 12% dhe LMP, Partia e Gjelbër e Hungarisë, është e katërta me 7%.
Kryetari i Partisë Socialiste, Gyula Molnar tha dorëheqjen pas rezultatit të dobët duke deklaruar se “ne e konsiderojmë veten përgjegjës për atë që ndodhi dhe kemi pranuar verdiktin e popullit”.
Ndërkohë që Fidesz edhe një herë e bëri portokalli hartën e Hungarisë (ngjyra e tyre), rezultatet paraprake tregojnë se ata do të arrijnë 133 vende në parlament.
Partia e kryeministrit fitoi në shumicën e zonave rurale dhe në qytete provinciale, ndërsa partitë e opozitës morën shumicën në kryeqytet, Budapest.
Legjitimiteti i Orban në një nivel evropian ka gjasa të forcohet, pasi partitë nacionaliste në të gjithë kontinentin marrin zemër nga fitorja e tij, shkruan BBC.
Orban ka premtuar të mbrojë kufijtë e vendit të tij dhe të bllokojë migracionin, sidomos nga myslimanët. Ai është një euroskeptik i mirënjohur që kundërshton integrimin e mëtejshëm në BE.
Ai nuk pranoi të merrte pjesë në programin e riintegrimit të refugjatëve të BE dhe ka lavdëruar udhëheqësin rus Vladimir Putin. Kjo është fitorja e katërt e Viktor Orban. Ai kishte drejtuar koalicionin qeverisës të udhëhequr nga partia Fidesz gjatë viteve 1998- 2002, para se të rikthehej në pushtet në vitin 2010.