Policia franceze po përpiqet të dëbojë qindra aktivistë ambientalistë nga një zonë pyjore në perëndim të Francës, ku duhej të ndërtohej një aeroport i ri.
Operacioni masiv nisi në orët e para të mëngjesit, e që atëherë autoritetet u bindën se përdorimi i forcës ishte i pashmangshëm, pasi aktivistët nuk pranuan të ikin paqësisht.
Qindra efektivë të policisë franceze ndërhynë në zonën e Notre-Dames-des-Landes, ku u përballën me aktivistët, ndaj të cilëve përdorën gazin lotsjellës dhe shkopinjtë e gomës.
Qeveria franceze i braktisi planet për aeroportin pranë qytetit Nantes, pasi ekspertët thanë se është ekonomikisht i panevojshëm për zonën dhe jo për shkak të aktivistëve.
Këta të fundit, për të kundërshtuar ndërtimin e tij ngritën një kamp në zonën, e cila prej vitesh është shndërruar në një lagje ku shumë njerëz kanë ngritur banesat, diçka që ka shqetësuar tej mase banorët lokalë, që thonë se pylli është shndërruar në një zonë ku nuk hyn dot më askush.
Aktivistët dhe banorët e paligjshëm po përpiqen të rezistojnë sa më shumë që të munden, e për të frenuar përparimin e policisë kishin ngritur barrikada, disa prej të cilave iu vunë flakën.
Ata sulmuan gjithashtu policinë me gurë apo mjete rrethanore. Por, autoritetet janë të vendosura që të spastrojnë zonën dhe ta kthejnë atë të shërbim të komunitetit.