Synimi i Greqisë në negociatat me Shqipërinë është të zgjerojë hapësirën territoriale në detin Jon. Këtë e pohoi ministri grek i Mbrojtjes Panos Kamenos, siç citohet ai nga shtypi grek.
“Së shpejti, ujërat tona territoriale do të zgjerohen, duke shpallur zona ekzkluzive ekonomike, për të shfrytëzuar pasuritë nënujore. Atdheu ynë do të kalojë në një epokë të re. Qeveria greke dhe Ministria e Jashtme kanë intensifikuar kohët e fundit negociatat për një marrëveshje me Shqipërinë për përcaktimin e zonave detare. Janë mbajtur bisedime mes ekspertësh por edhe mes Nikos Kotziasit dhe homologut të tij shqiptar për këtë çështje”.
Shtypi grek shkruan se marrëveshja përfundimtare pritet të nënshkruhet shumë shpejt nga dy Kryeministrat Rama e Tsipras. Është propozuar që takimi të zhvillohet në selinë e Kryeministrisë në Athinë. Por për këtë ende nuk është rënë dakord. Veç Shqipërisë, Greqia synon të arrijë marrëveshje për zgjerimin e zonave ekskluzive ekonomike detare edhe me Italinë, Libinë, Turqinë e Qipron.