Austria ka bërë të ditur se do të mbyllë shtatë xhami dhe do të dëbojë disa imamë që janë të financuar nga vende të huaja. Kancelari austriak Sebastian Kurz tha se lëvizja synonte goditjen e islamit politik. Qeveria austriake bëri gjithashtu të ditur se janë nën hetim 60 nga 260 imamë që ushtrojnë fenë në atë vend. Disa xhami dyshohet se kanë lidhje me nacionalistët turkë.
Në muajin prill u publikuan pamje ku dukeshin fëmijë të veshur me uniforma ushtarake turke që improvizonin betejën e Çanakalasë gjatë Luftës së Parë Botërore. Mediat austriake raportuan se improvizimi, përfshiu edhe fëmijë që bënin rolin e të vdekurve dhe u mbuluan me flamuj turq brenda një xhamie të drejtuar nga organizata turko islamike e quajtur ATIB. ” Shoqëri paralele, islami politik dhe tendencat e radikalizimit nuk kanë vend këtu” tha kancelari Kurz këtë të premte. Autoritetet kanë punuar me Autoritetin Fetar të Islamit në Austri për të identifikuar xhamitë dhe imamët që dyshohen për lidhje me nacionalistët apo radikalët islamik.
Transmetuesi publik i Austrisë, ORF, tha se një nga shtatë xhamitë në Vjenë kishte lidhje me disa foto ku shfaqeshin fëmijë që bënin përshëndetjen e ujqërve gri, të cilët janë një grup nacionalist turk i ekstemit të djathë, me degë në disa vende. Tre xhami të tjera që do të mbyllen ndodhen po në Vienë, dy në Austrinë e Sipërme dhe një në Carinthia. Ndaj kësaj lëvizjeje reagoi zyra e presidentit turk, e cila e konsdieroi atë islamofobike, raciste dhe diskrimnuese. Zëdhënësi i presidentit Erdogan shkroi në twiter se vendimi austriak për të mbyllur xhamitë dhe përzënë imamët ishte një përpjekje që shënjestronte komunitetet myslimane për të fituar disa pikë të lira në skenën politike.