Prindi i një fëmije që u paraqit në spital me temperaturë të lartë ka plagosur rëndë me mjete të forta një prej mjekëve të urgjencës, pas debatit që lindi mes tyre sepse fëmijës nuk po i ulej temperatura.
Gazeta turke “Sabah” raporton se ngjarja e rëndë ka ndodhur këtë të mërkurë në qytetin Sanliurfa, në Turqi.
Gjatë mjekimit të fëmijës, mjeku Bahattin Ahmet Yalçin ka debatuar me babanë e pacientit me iniciale A.K. Në mes u fut personeli i sigurisë që mundësoi nxjerrjen jashtë spitalit të të afërmit.
Por A. K. raportohet se pasi hoqi një pllakë nga trotuari u fut sërish në ambientet e spitalit duke e qëlluar me të në kokë mjekun me të cilin kishte debatuar më herët.
Fotot e pllakës së thyer pas goditjes në kokë të mjekut dhe pamjet e Yalçin në gjak u shpërndanë gjerësisht në rrjetet sociale, në shenjë solidariteti me bluzat e bardha.
Agjencia turke e lajmeve “AA” raportoi se mjeku iu nënshtrua një operacioni dhe vazhdon të mbetet në gjendje kritike për jetën, ndërsa policia arrestoi autorin.
Ngjarja e rëndë është dënuar ashpër nga të gjitha shoqatat e mjekëve në Turqi.