Tragjik ka qenë bilanci i zjarrit të nisur ditën e djeshme në Athinë, i cili po vijon edhe sot. Deri në orën 7:30 të mëngjesit të së martës janë raportuar 50 persona të vdekur dhe dhjetëra të tjerë të plagosur.
Trupat e fundit pa jetë u nxorën nga deti, deri dhe 4 milje nga brigjet e Rafinas, në orët e para të këtij mëngjesi.
Ndërkohë, dyshohet se bilanci përfundimtar do të përfshijë më shumë të vdekur, pasi pranë shërbimeve përkatëse janë bërë dhjetëra telefonata nga të afërm për të deklaruar persona të zhdukur.
Gjithë viktimat janë gjetur në zonën ndërmjet Rafinas dhe Nea Makrit, posaçërisht në Mati dhe Kokkino Limanaki.
Për fat të keq, shumë prej viktimave janë fëmijë, mes të cilëve dhe një foshnje 6 muajshe.
Qeveria shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në Atikën Perëndimore dhe atë lindore, ndërsa ndihmë është kërkuar nga Mekanizmi Europian i Mbrojtjes Civile.
Pamjet e mëposhtme janë sa të rënda, edhe tronditëse. Në to tregohen njerëzit që kanë mundur t’u shpëtojnë flakëve, duke u larë e duke u pastruar në breg të detit.
Shumë prej tyre u detyruan të rrinë me orë të tëra brenda në ujë, për t’u shpëtuar flakëve të zjarrit.