Ministri i ri britanik i Punëve të Jashtme, Jeremy Hunt bëri një gafë në Pekin, që shkaktoi të qeshura tek mikpritësit, pasi e prezantoi si “japoneze” bashkëshorten e tij, që në fakt është kineze.
“Bashkëshortja ime është japoneze”, theksoi Jeremy Hunt gjatë takimit me homologun kinez, Wang Yi para gazetarëve.
Ministri, emëruar në fillim të muajit nga kryeministrja britanike, Theresa May në vend të Boris Johnson është vetëkorrigjuar menjëherë “bashkëshortja ime është kineze, ç’gabim i tmerrshëm që nuk duhej bërë”, theksoi ai nën të qeshurat e mikpritësve të tij.
Kina dhe Japonia kanë prej disa kohësh marrëdhënie të komplikuara, pasi kinezët kritikojnë herë pas herë fqinjin e tyre për mosnjohje të mjaftueshme të krimeve të kryera nga ushtria pushtuese japoneze në Kinë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Në një kohë kur Britania e Madhe po përgatitet të largohet nga Bashkimi Europian, Hunt ka zgjedhur Kinës si destinacioni i turneut të parë jashtë vendit, me shpresën për të riforcuar marrëdhëniet tregtare mes dy vendeve.
Ai do të vijojë vizitën në Paris dhe në Vjenë.