Presidenti i SHBA Donald Trump priti në Shtëpinë e Bardhë Kryeministrin e ri italian Giuseppe Conte.
‘Ai po bën një punë fantastike’, tha Trump për Kryeministrin Conte para se të fillonin bisedimet.
Dy udhëheqësit nisën një bisedë private në Zyrën Ovale, i pasuar nga një takim i zgjeruar dypalësh.
Shtëpia e Bardhë tha se bisedimet kanë për qëllim thellimin e ‘bashkëpunimit në trajtimin e konflikteve globale dhe nxitjen e begatisë ekonomike në të dy anët e Atlantikut’.
Giuseppe Conte u bë kryeministër i Italisë pas një marrëveshjeje koalicioni të arritur nga dy parti politike populiste, Lega dhe Lëvizja Pesë Yjet pas zgjedhjeve të 4 marsit.
Conte ka dalë si mbështetësi më i fortë i Presidentit Trump në Evropën Perëndimore.
Trump e ka takuar Kryeministrin italian dy herë, në takimet e fundit të G-7 dhe të NATO-s, duke e quajtur atë ‘një njeri vërtet i shkëlqyer’.
Të dy kanë të paktën një gjë të përbashkët-qeveri populiste.
Takimi vjen në një kohë tensionesh midis Shteteve të Bashkuara dhe Evropës.
Conte mbështeti thirrjen e Presidentit Trump në muajin qershor që Moska të hyjë përsëri në Grupin e Shtatëshes, propozim i refuzuar me vendosmëri në samit nga të gjithë anëtarët e tjerë të grupit të fuqive perëndimore të industrializuara. /VOA