Kryeministrja e Britanisë, Theresa May ka marrë mbështetjen e kabinetit të saj për planin për “Brexit”-in.
May po këmbëngul në planin e saj për bashkëpunim në të ardhmen me vendet e Bashkimit Europian, pavarësisht se udhëheqësit e bllokut europian janë duke e sulmuar atë. Ajo është takuar me ministra të lartë, teksa rritet presioni ndaj saj për të ndryshuar planin me një pakt tregtar të stilit të Kanadasë.
Marrëveshja e Kanadasë me BE-në, e nënshkruar në vitin 2016, heq shumicën e detyrimeve doganore ndaj eksporteve të BE-së në Kanada dhe anasjelltas. Të dyja palët, ajo britanike dhe ajo europiane, janë duke synuar të negociojnë kushtet e largimit të Britanisë nga BE-ja, me qëllim arritjen e një marrëveshjeje në muajt vijues.
Mirëpo javën e kaluar, krerët e BE-së kanë hedhur poshtë bazën e planit të kryeministres britanike për zonë të tregtisë së lirë dhe rregullores së përbashkët për mallra, duke thënë se një gjë e tillë “nuk funksionon”. Gjatë një takimi të kabinetit të saj, May ka mbrojtur strategjinë e saj, teksa i është bërë thirrje për të mbajtur në tavolinë paktin e stilit kanadez, pasi bisedimet po kalojnë në një fazë vendimtare.
Pas kësaj, zyra e kryeministres ka njoftuar se May u ka thënë ministrave se plani i saj “është dokumenti i vetëm në tavolinë” që siguron “tregti më të lehtë”, gjë që është e nevojshme për të anashkaluar një kufi të ashpër mes Republikës së Irlandës dhe Irlandës së Veriut.
Qeveria britanike ka publikuar deri më tani 77 njoftime, të cilat kanë për qëllim të përgatisin bizneset, si dhe të informojnë publikun, se çfarë mund të ndodhë nëse Britania largohet nga BE-ja pa marrëveshje.