Në industrinë e errët të “lajmeve të rreme” në Maqedoni, duket se gjithçka shpaguhet.
Në prag të referendumit të 30 shtatorit, i cili mund të ndryshojë emrin e shtetit dhe t’i japë fund kontestit të gjatë me Greqinë, Maqedonia, e cila është akuzuar se ka ndihmuar ngufatjen e votuesve amerikanë me lajme të rreme gjatë zgjedhjeve presidenciale në SHBA, të cilat i ka fituar Donald Trump, është përfshirë vetë nga një fushatë e ndikimit në mediat sociale.
“Bojkotoni referendumin”, “Mos e shkatërroni Maqedoninë”, “Zaevi është tradhtar”. Këto janë vetëm disa mesazhe që, sipas analistëve, po qarkullojnë në profile të rreme në mediat sociale, në përpjekje për të kundërshtuar votën me “po” në referendum, e cila është inkurajuar nga kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, duke thënë se ajo i hap rrugë anëtarësimit të shtetit në NATO dhe në Bashkimin Evropian.
“Fushata e bojkotit nuk koordinohet nga një parti politike dominuese, por nga aktorë të shumëfishtë, pa kontroll qendror, që i bëjnë të rëndësishme ueb-faqet e tilla të lajmeve të rreme”, thotë Florian Bieber, profesor i studimeve të Evropës Juglindore në Universitetin e Gracit në Austri, transmeton REL.
Zyrtarët perëndimorë kanë paralajmëruar vazhdimisht për përpjekjet e Rusisë për të dekurajuar ambiciet e shteteve drejt BE-së dhe NATO-s, përmes internetit dhe mjeteve të tjera të “luftës hibride”.
Dhe sulmet kibernetike, pa tym, e kanë implikuar Moskën në debatin aktual në Maqedoni.
Mosmarrëveshja për emrin midis Maqedonisë dhe Greqisë daton që nga viti 1991, kur Maqedonia është ndarë në mënyrë paqësore nga Jugosllavia.
Greqia thotë se emri Maqedoni sugjeron se fqinji i saj ka pretendime territoriale dhe kulturore ndaj një rajoni grek me të njëjtin emër. Greqia, vend anëtar i BE-së dhe NATO-s, e ka shfrytëzuar kontestin për t’iu vënë veto përpjekjeve të Maqedonisë për t’iu bashkuar këtyre dy organizatave.
Athina dhe Shkupi kanë arritur së voni një kompromis për t'iu dhënë fund dekadave të grindjeve, nëse Maqedonia e pranon emrin Republika e Maqedonisë Veriore.
"Një shumicë e qartë e qytetarëve (të Maqedonisë) e duan anëtarësimin në BE dhe NATO. Marrëveshja është e vetmja mënyrë për të arritur atje", thotë Bieber.
Jo shumë maqedonas janë të lumtur për ndryshimin e emrit, por shumica thonë se e pranojnë atë për shkak të përfitimeve që pritet të sjellë integrimi më i thellë euroatlantik.
Çështja është aq e ndjeshme saqë pyetja e referendumit nuk e përmend emrin e ri.
Kjo i ka ushqyer edhe më shumë kundërshtarët që janë të etur për t’i shfrytëzuar mediat sociale, për të ndikuar opinion publik.
Ashtu si edhe në rastin e fushatës zgjedhore në SHBA, disa dyshojnë se Rusia është në qendër të fushatës së dezinformimit në Maqedoni.
Kryeministri Zaev ka thënë se nuk ka parë prova të ndërhyrjes ruse.
Por, sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis, ka thënë para vizitës në Maqedoni më 17 shtator se Rusia po përpiqet të përdorë paratë dhe ndikimin e saj për të ndërtuar opozitë ndaj referendumit të kësaj fundjave.
“Padyshim se ata i kanë transferuar paratë dhe po bëjnë fushatë më të gjerë të ndikimit”, u ka thënë Mattis gazetarëve që udhëtonin me të në Shkup.
Mattis ka thënë se nuk është e qartë se sa efektive janë përpjekjet e Moskës për të shkatërruar referendumin.
Por, Marko Trosanovski, ekspert i komunikimit dhe marketingut nga Instituti për Demokraci, paralajmëroi se "lufta" e keqinformimit që synon manipulimin e opinionit, po intensifikohet.
"Qëllimi i këtyre mesazheve është që të mbjellin frikë dhe të prekin gjendjen emocionale, duke e bërë audiencën pre të lehtë përballë çdo manipulimi", tha Trosanovski.
Gjatë fushatës zgjedhore në SHBA, shumë maqedonas të rinj, me sa duket të shtyrë më shumë nga fitimi financiar sesa ideologjia politike, janë bërë pjesë e shpërndarjes së keqinformimit.
Ata kanë krijuar ueb-faqe dhe i kanë përdorur sidomos për artikuj përçarës, që më pas i kanë shpërndarë edhe në grupe në Facebook.
Sipas raporteve të mediave në Maqedoni, rreth 40 profile të reja krijohen çdo ditë në Facebook, me qëllimin e vetëm të inkurajimit të njerëzve për të bojkotuar referendumin.
Këto ueb-faqe përfshijnë kolozeg.info dhe infomax.mk, së bashku me profile në Facebook që lidhen me grupe që bëjnë thirrje për bojkotim të referendumit, duke përdorur hashtagun #bojkotiram (bojkotoj).
Ligji i Maqedonisë kërkon pjesëmarrjen e mbi 50% të 1.8 votuesve të mundshëm, për ta bërë referendumin të vlefshëm. Andaj, fushata për parandalim e pjesëmarrjes mund të jetë më e efektshmja. Edhe presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, ka thënë se nuk do të marrë pjesë.
"Edhe me miratimin e marrëveshjes së dëmshme me Greqinë dhe ndryshimet kushtetuese, anëtarësimi në NATO dhe në Bashkimi Evropian nuk do të vijë automatikisht", ka thënë Ivanov në një fjalim para diasporës së Maqedonisë në qytetin e Detroitit në SHBA, më 22 shtator.
Një studim i kryer së voni nga Instituti i Shoqërisë së Hapur në Sofje ka treguar se maqedonasit mund të jenë më të ndjeshëm ndaj manipulimit përmes lajmeve të rreme sesa fqinjët e tyre evropianë.