Ekonomia gjermane është shumë e interesuar për thellimin e bashkëpunimit me Ballkanin Perëndimor. Bashkëpunimi po zhvillohet mirë, por ka dhe disa pengesa serioze, thotë Michael Harms, në intervistë me DW.
Deutsche Welle: Si e vlerësoni bashkëpunimin e tanishëm ekonomik të Gjermanisë me vendet e Ballkanit Perëndimor?
Michael Harms: Ky është rajon i të ashtuquajturve favoritë sekretë. Vitet e fundit është dyfishuar vëllimi i tregtisë me këto vende dhe raportet kanë një dinamikë të mirë. Por kjo ende nuk mjafton. Këto vende po zhvillohen shumë shpejt, por ato janë nisur nga një nivel shumë i ulët.
Përveç kësaj, këtu kemi të bëjmë me tregje kryesisht të vogla. Ndaj bashkëpunimi rajonal është shumë me rëndësi. Sipërmarrjet gjermane nuk duan të kenë vetëm tregti me këtë rajon, por edhe të investojnë atje. Me gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor kemi një shkëmbim tregtar në vlerë prej dhjetë miliardë euro në vit. Në Serbi kemi hapur rreth 40.000 vende të reja pune, e në Maqedoni për shembull, rreth 20.000. Me zhvillimet në përgjithësi mund të jemi të kënaqur.
A luan këtu Serbia ndonjë rol të veçantë?
Serbia është e veçantë për faktin se është vendi më i madh i rajonit dhe gjoegrafikisht zë vendin qendror në rajon. Përveç kësaj, ky vend është gjithnjë e më interesant edhe për investorë. Industria e automjeteve ka hapur atje shumë vende pune, duke përfshirë edhe sektorin e shkencës dhe teknologjisë. Mendoj se Serbia e vlerëson këtë angazhim. Prandaj ajo për ne është shumë e rëndësishme.
Çfarë presin sipërmarrjet gjermane nga ky angazhim?
Sipërmarrësit gjithmonë presin ndonjë përfitim ekonomik, duan të fitojnë para. E kjo është e mundur në këto vende. Problemi është që tregu i atjeshëm është i vogël. Ndaj sipërmarrjet nuk kanë llogari të investojnë të prodhojnë vetëm për nevojat e këtij rajoni. Shumica e prodhimeve i dedikohet edhe tregut në Gjermani, Evropë dhe botë.
Por punëtorët janë të kualifikuar, fuqia punëtore është e lirë, ekziston ndërlidhje e mirë komunikacioni mes këtyre vendeve me Evropën, ndërkohë që ekziston edhe perspektiva evropiane. Ekzistojnë edhe lidhje tradicionale me Gjermaninë, sepse shumë njerëz atje flasin gjuhën gjermane. Të gjitha këto janë përparësi të rëndësishme.
Çfarë rëndësie i kushtohet lirisë së mediave, të drejtave të njeriut dhe të drejtave të punëtorëve?
Firmat janë në parim jo politike. Për sipërmarrësit më e rëndësishmja është që të kenë një kornizë të sigurt dhe stabile juridike. Vlerat demokratike janë pjesë e tyre. Nëse nuk keni një drejtësi të pakorruptuar dhe të sigurt, atëherë nuk mund të ketë as afarizëm të mirë. Ndaj firmat janë të interesuara që të respektohen standardet dhe kriteret e Bashkimit Evropian.
Çfarë prisni në të ardhmen?
Kjo konferencë ekonomike rajonale do të ketë në qendër të vëmendjes zhvillimet në Ballkan deri në vitin 2030. Ne shpresojmë se rruga drejt integrimeve evropiane do të vazhdojë dhe se ky rajon një ditë do të jetë pjesë e BE. Shpresojmë stabilizimin e plotë politik dhe tejkalimin e problemeve nga e kaluara. Shpresojmë se banorët e këtyre vendeve do të jetojnë të lirë dhe të kenë perspektivë evropiane. Unë jam shumë optimist në këtë drejtim.
Pas disa ditësh në Maqedoni do të mbahet refrendumi për emrin e ri. A mund të ndikojë kjo në bashkëpunimin ekonomik?
Maqedonia edhe tani është një vend i bashkpunimit të suksesshëm. Ekonomia gjermane ka investuar atje shumë, bashkëpunimi tregtar është intensifikuar. Kontestimet me emrin kanë qenë gjithmonë pengesë në këtë rrugë. Ndaj shpresojmë shumë se kjo çështje do të zgjidhet dhe se do të hapet rruga për një bashkëpunim edhe më të ngushtë mes Maqedonisë dhe ekonomisë gjermane.
Po sa ndikojnë negativisht mospajtimet rreth Kosovës për zhvillimin ekonomik të këtij rajoni?
Me rëndësi është që palët të merren vesh mes vete. Sepse ky është një problem dhe këto kontestime nuk bllokojnë vetëm Kosovën por tërë rajonin.
Michael Harms është ekspert i ekonomisë, drejtor ekzekutiv i Shoqatës së Ekonomisë Gjermane për Evropën Lindore dhe organizotor i konferencës dyditore "Ballkani Perëndimor 2030 - Vizionet. Dëshirat, Realiteti", e cila u zhvillua më 26 dhe 27 shtator në Beograd.