Erdogan në Gjermani për të zbutur marrëdhëniet

Premte, 28 September 2018 17:40

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan filloi një vizitë shtetërore në Gjermani të enjten, në një përpjekje të re për të zbutur marrëdhëniet pas acarimeve mbi një vjeçare mes dy vendeve.

Në një artikull redaksional të enjten në të përditshmen gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung, zoti Erdogan bënte thirrje për një kapitull të ri në marrëdhëniet dypalëshe.

Arrestimi i shtetasve gjermanë në Turqi ka qenë pikë fërkimesh mes dy aleatëve të NATO-s. Pritet që Kancelarja Merkel të kërkojë lirimin e tyre. Në këtë grup përfshihen pesë shtetas gjermnanë, për të cilët Berlini thotë se janë arrestuar për arsye politike.

Një tjetër temë acarimesh me Gjermaninë është qëndrimi i qeverisë së zotit Erdogan ndaj të drejtave të njeriut. Berlini ka kritikuar me forcë fushatën ndëshkimore që pasoi grushtin e dështuar të shtetit në 2016 në Turqi ku u arrestuan dhjetëra mijëra njerëz dhe u pushuan po aq shumë nga detyra. Vjet Presidenti Erdogan akuzoi zonjën Merkel se po përdorte taktika naziste, pasi Gjermania pranoi mijëra azilantë politikë pas dështimit të grushtit të shtetit.

Të premten, zoti Erdogan kërkoi nga Berlini ekstradimin e azilantëve turq, të cilët i cilësoi si përkrahës të klerikut Fethullah Gulen. Presidenti turk i bëri komentet në një konferencë të përbashkët për shtyp me Kancelaren gjermane Angela Merkel. Ai bëri thirrje gjithashtu që Gjermania ta identifikojë si rrjet terrorist organizatën e Gulenit, të cilin ai e fajëson për grushtin e dështuar të shtetit në 2016.

Zoti Erdogan nuk përfill kritikat ndërkombëtare për mosrespektimin e të drejtave të njeriut, duke thënë se gjyqësori po funksionon normalisht dhe thjesht po i shërben demokracisë. Por disa analistë thonë se të drejtat e njeriut mund të bëhen pengesë në përpjekjet për të përmirësuar marrëdhëniet me Gjermaninë.

Të tjerë parashikojnë se të dyja palët janë të interesuara të mos lejojnë temën e të drejtave të njeriut të pengojë zbutjen e marrëdhënieve. Fakti që Berlini po e pret Erdoganin për vizitë shtetërore shihet si fitore diplomatike për udhëheqësin turk.

"Eshtë një martesë e nxitur nga logjika, nga nevoja. Ata nuk duhen medoemos, por po bashkohen për arsye të prioriteteve strategjike e gjeopolitike, pasi s’kanë rrugë tjetër,” thotë profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Huseyin Bagci në Universitetin e Lindjes së Mesme në Ankara. “Erdogani e ka kuptuar se pa mbështetjen e udhëheqëses gjermane nuk bën dot gjë me Evropën,” shton Profesor Bagci.

Erdogani do të zhvillojë bisedime me zonjën Merkel gjatë vizitës tri-ditëshe, si dhe do të marrë pjesë të premten në një banket për nder të tij, i organizuar nga Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier.

Vizita e zotit Erdogan zhvillohen në një kohë kur ekonomia turke po kërcënohet nga kriza, pas rënies mbi 40% të lirës këtë vit. Analistët parashikojnë se ekonomia turke do të ketë nevojë për mbështetje të madhe financiare, duke pasur parasysh faktin se Turqia ka marrë kredi ndërkombëtare në vlerë mbi 140 miliardë dollarë, pjesa më e madhe e së cilës duhet shlyer brenda 12 muajve të ardhshëm.

Ankaraja ka hedhur poshtë vazhdimisht nevojën për të kërkuar ndihmë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Një veprim i tillë do ta dëmtonte politikisht Erdoganin, pasi ai shpesh lavdërohet që e ka çliruar Turqinë nga vartësia tek FMN-ja.

Berlini, po ashtu edhe BE-ja në përgjithësi, shihen në Turqi si alternativë ndaj FMN-së. Ministrat e financave të dy vendeve u takuan në fillim të shtatorit për bisedime që njoftohet se përfshinin edhe mundësinë e mbështetjes financiare gjermane për Turqinë.

Johannes Hahn, Komisioneri i BE-së për zgjerimin, duket se është kundër mbështetjes së Turqisë nga BE-ja. “Problemet aktuale ekonomike në Turqi janë rezultat i faktorëve të brendshëm. Kjo situatë nuk zgjidhjet nga BE-ja apo një shtet i vetëm me ndihma apo kredi për Ankaranë,” tha zoti Hahn këtë javë për gazetën gjermane Die Welt.

Ankaraja ka peshë diplomatike në marrëdhëniet me Gjermaninë, pasi shërben si portë kontrolli për valën e refugjatëve që dyndet drejt BE-së. Marrëveshja e BE-së me Ankaranë dy vjet më parë solli një rënie drastike të numrit të refugjatëve që kalonin nga Turqia në territorin e BE-së. Erdogani ka kërcënuar shpesh se do ta anulojë marrëveshjen.

Presidenti Trump po ashtu është një tjetër faktor që i nxit palët të përmirësojnë marrëdhëniet. Si zoti Erdogan, ashtu edhe Kancelarja Merkel janë kundër tërheqjes së Amerikës nga marrëveshja me Iranin dhe kundër rivendosjes së sanksioneve amerikane.

Irani është një furnizues i rëndësishëm i naftës për Ankaranë. Presidenti Erdogan ka deklaruar se nuk do të respektojë sanksionet amerikane, gjë që e ka vënë atë në pozitë konfrontuese me Uashingtonin.

Presidenti Trump paralajmëroi të mërkurën se kushdo që nuk respekton sanksionet amerikane do të ndeshet me “pasoja serioze”. Marrëdhëniet SHBA-Turqi vazhdojnë të jenë të acaruara për një numër arsyesh. Në gusht tarifat amerikane mbi importet turke sollën rënie drastike të lirës.

Aydin Selcen, ish-diplomat i lartë turk, nënvizon se Berlini është me rëndësi kyçe në rezistencën e Ankarasë ndaj sanksioneve amerikane.

“Aleati më i madh për Turqinë do të jetë BE-ja dhe ndër vendet e BE-së, pa dyshim është Gjermania. Prandaj po ndjekim me vëmendje vizitën e Erdoganit në Berlin,” thotë zoti Selcen.

Presidenti Erdogan ka gjasa të marrë zemër nga njoftimi i Shefes së Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini të mërkurën se Bashkimi Evropian synon të krijojë një sistem të ri pagesash që nuk mbështetet tek dollari, si reagim ndaj sanksioneve amerikane për tregtinë me Iranin.

Presidenti i Turqisë ka të ngjarë të marrë oferta për kontrata afat-gjata biznesi me kompani gjermane. Media gjermane njofton se kompania Siemens është pranë nënshkrimit të një kontrate prej 35 miliardë dollarësh për modernizimin e hekurudhave turke. Analistët nënvizojnë se Ankaraja e ka të qartë se kontrata të tilla gjigande janë një faktor që Berlini të mbështesë ekonominë turke në të ardhmen.

Login to post comments

Lajmet e fundit

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

Politikë

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

  “Përshkallëzohet drama në portin e Durrësit. Detaje të reja mbi kompaninë fiktive kroate dhe lidhje të mundshme kriminale”. Me këtë titull e përditshmja gjermane “Focus Online” i ka kushtuar vëmendje...

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...