Britania e Madhe pritet të përpilojë një politikë të veçantë për emigrantët pas daljes nga Bashkimi Europian.
Me realizimin e Brexit do të pranohen në vend në bazë të aftësive profesionale dhe jo vendit të tyre të origjinës.
Kryeministrja britanike,Thereza May, ka premtuar se sistemi i ri i vizave do të sjellë uljen e emigrantëve të cilët nuk kanë përgatitje profesionale dhe do e bëjë më të përballueshëm procesin e trajtimit të të ardhurve të rinj.
Planet për politika të reja për emigrantët vijnë pas një rekomandimi të bërë më herët nga një organ këshillimor britanik, i cili kërkoi heqjen e kufirit të pranimit të emigrantëve që e kanë një profesion dhe mund të integrohen në tregun e punës.
Komisioni për Migrimin tha se një formë e tillë do të sjellë kontribut pozitiv në financat publike.
Madje është saktësuar se dhe personat që kanë pasaportë të një prej vendeve të BE do t'u nënshtrohen të njëjtave rregulla.
Si kusht është vendosur që në kontratat e emigrantëve të rinj tu parashikohet një pagë minimale, si formë që të mos konkurrojnë me punëtorët vendas.
Për ta do të sigurohet vizë së bashku me familjen me kushtin që punëdhënësi i tyre ta financojë lëvizjen drejt Britanisë.
Më parë kryeministrja Thereza May është shprehur se Anglia dëshiron të mbetet një vend i hapur për të huajt por do të vazhdojë të tërheqë njerëzit që i duhen vendit.
Por vetë largimi i Britanisë nga BE-ja është larg të qenit realist, sipas presidentit të Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker.
Duke folur në një forum publik në qytetin gjerman të Frajburgut të hënën, ish-kryeministri i Luksemburgut tha se publiku britanik ishte pak i informuar për pasojat e largimit nga blloku europian.
"Anglezët, përfshirë ministrat e qeverisë, po zbulojnë vonë sa shumë pikëpyetje ka ngritur dalja e tyre nga BE-ja. Çfarë do të ndodhë me transportin ajror në Europë? Nëse procesi merr të tatëpjetën, avionët britanikë nuk do të mund të ulen më në kontinent. Njerëzit nuk e dinin këtë, dhe u duhej thënë kjo gjë."
Presidenti Juncker tha se Brexit ishte një çështje e së kaluarës dhe se ai donte të merrej me të ardhmen e 27 vendeve të BE-së.