Japonia ka nxjerrë projekt-udhëzime që lejojnë përdorimin e mjeteve për modifikimin e gjeneve në embrionet njerëzore. Propozimi është lëshuar nga një panel ekspertësh që përfaqëson ministrinë e shëndetësisë dhe shkencës në vend më 28 shtator.
Deri më tani Japonia sipas rregullave mund të përdorte embrionet njerëzore vetëm për hulumtime, por nuk ka pasur udhëzime specifike për përdorimin e mjeteve të tilla si “CRISPR-Cas9” për të bërë modifikime të sakta në ADN-në e tyre.
Tetsuya Ishii, një bioetist në Universitetin Hokkaido në Sapporo, thotë se nëse udhëzimet miratohen, do të kufizonin modifikimin e embrioneve njerëzore për riprodhim, edhe pse kjo nuk do të ishte ligjërisht e detyrueshme.
Modifikimi i ADN-së në embrione mund të zbulojë njohuri për zhvillimin e hershëm njerëzor. Hulumtuesit gjithashtu shpresojnë se në afat të gjatë, këto mjete mund të përdoren për të rregulluar mutacionet gjenetike që shkaktojnë sëmundje, para se ato të trashëgohen.
Por modifikimi i gjeneve në embrionet njerëzore, madje edhe për hulumtime, ka qenë e diskutueshme. Etikët dhe shumë studiues shqetësohen se kjo teknikë mund të përdoret për të ndryshuar ADN-në në embrione për arsye jo mjekësore. Shumë vende e ndalojnë praktikën, duke lejuar mjetet e modifikimit të gjeneve të përdoren vetëm në qelizat jo-riprodhuese të të rriturve.
Hulumtuesit në mbarë botën kanë botuar së paku tetë studime mbi modifikimin e gjeneve në embrionet njerëzore.
Projekt-udhëzimet e Japonisë do të jenë të hapura për komente publike nga muaji i ardhshëm dhe ka gjasa të zbatohen në gjysmën e parë të vitit 2019.