Disa persona janë lënduar të mërkuren, derisa emigrantët që po mundohen ta kalojnë kufirin veriperëndimor të Bosnjës, kanë hedhur gurë në drejtim të policisë kroate, e cila e ka përdorur gazin lotsjellës dhe shkopat e gomës për t’i zmbrapsur ata.
Qindra emigrantë e kanë thyer një kordon të policisë boshnjake të mërkuren, duke e bllokuar pikëkalimin kufitar në Malevac, me shpresën se në këtë mënyrë do t’i bëhet presion Kroacisë fqinje për ta hapur kufirin dhe për t’i lejuar ta vazhdojnë rrugën drejt veriut, kanë bërë të ditur autoritetet boshnjake, raporton Reuters, transmeton Koha.net.
Qindra emigrantë, që po ikin nga luftërat dhe varfëria në Azi dhe Afrikë të Veriut kanë mbetur në Bosnjë, derisa shumica kanë nisur të shqetësohen shkaku i dimrit dhe mungesës së strehimoreve adekuate në shtetin boshnjak.
Shumica prej tyre duan që ta vazhdojnë rrugën nëpër Kroaci, duke ia mësyer shteteve më të pasura të BE-së.